E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Uithers, diskutojnë për zbatimin e "Dosjeve"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uithers, të cilit i ka shprehur urimet më të përzemërta për Presidentin e ri të SHBA-së, Barak Obama. Takimi u zhvillua pa praninë e mediave, por zyra e shtypit të Presidentit bën të ditur se Presidenti Topi ka shprehur besimin se edhe pas zgjedhjes së Obamës në krye të SHBA-së, marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve do të intensifikohen dhe forcohen më tej. Presidenti Topi i shprehu ambasadorit amerikan vendosmërinë për angazhimin e tij për të qenë gjithnjë partner i vendosur përkrah SHBA-së në të gjitha sipërmarrjet e saj, në funksion të thellimit të reformave demokratike, të ruajtjes së stabilitetit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. "Shqiptarët i mbeten mirënjohës SHBA për mbështetjen në të gjitha proceset demokratizuese, por edhe integruese të vendit tonë", theksoi Presidenti Topi. Kreu i shtetit nënvizoi se kjo miqësi historike mes dy vendeve i nxit shqiptarët që të punojnë edhe më shumë në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që kërkon integrimi euroatlantik. Ndërsa ambasadori i SHBA-së Uithers e ka siguruar Presidentin Topi për vazhdimësinë e mbështetjes dhe vëmendjes së administratës "Obama" për hapat që Shqipëria po ndërmerr për forcimin e demokracisë, mbrojtjen dhe respektimin e Kushtetutës, institucioneve të pavarura, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e shtetit ligjor. Pjesë e diskutimit në takimin e djeshëm ishin edhe zhvillimet e fundit politike në vend, hapat e domosdoshëm për anëtarësim në NATO, zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme të qershorit 2009, zhvillimet e fundit politike në vend, si ligji për pastërtinë e figurës dhe raportet e fundit të Shqipërisë me Këshillin e Evropës. Më shumë detaje rreth këtij takimi nuk janë bërë të ditura as nga Presidenca dhe as nga përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-së në vendin tonë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›