E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen tre shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë

Tre shtetas shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia janë arrestuar në flagrancë nga shërbimet e policisë portuale. Paraqitja e dokumenteve të falsifikuara në kohën e imbarkimit në tragetet e linjave detare që lidhin Durrësin me portet italiane ka bërë që tre shtetas në moshë të re të arrestohen për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave e formularëve. Në pranga është vënë fillimisht 25-vjeçari nga Shkupi i Maqedonisë, Afrim Asipi, pasi ka tentuar të udhëtojë drejt Italisë, duke paraqitur pranë autoriteteve të Policisë Kufitare një leje qëndrimi italiane në emër të tij, e cila dyshohet të jetë false. Më pas prangat janë shtrënguar dhe në duart e Ramadan Krasniqit, 39 vjeç, nga Rahoveci dhe Valentino Gashit, 26 vjeç, nga Gjilani i Kosovës. Të parit i është gjetur një pasaportë jugosllave dhe një leje qëndrimi austriake me identitetin e një tjetër personi. Ndërkaq, Gashi dyshohet se po përdorte një pasaportë jugosllave me vizë suedeze të falsifikuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›