E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria do të përmbushë detyrimeve brenda kohës

02/10/2009  Ministri i Jashtëm Ilir Meta flet për liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE

“Objektivi madhor i qeverisë do të realizohet në kohën e premtuar”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka bëri me dije se dikasteri që drejton ka dorëzuar në kryeqendrën e Bashkimit Europian, Bruksel, raportin e dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Për shefin e diplomacisë shqiptare raporti i miratuar në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave përfshin një skanim tërësor të shkallës së përmbushjes së detyrimeve për blloqet e këtij udhërrëfyesi: siguria e dokumenteve, kufijtë, azili, migracioni, siguria dhe rendi publik, si dhe marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore të njeriut. “Përgatitja e këtij dokumenti është bërë me përgjegjësinë më të lartë, jo vetëm në evidentimin e arritjeve të gjashtë muajve të fundit, por dhe në angazhimin për përmbushjen brenda afateve të përcaktuara të gjithë listës së detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian”, - deklaroi ministri i Jashtëm. Ai theksoi se qeveria ka shprehur vendosmërinë e saj për të realizuar në një kohë sa më të shpejtë të gjitha detyrimet e kërkuara, që do të bëjnë të mundur që qytetarët tanë të fitojnë një aspiratë shumë të rëndësishme: atë të liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian. Ministri Meta, duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të integrimit europian, ka deklaruar se opozita duhet të bëhet pjesë e reformave të nevojshme, të cilat do të sillnin realizimin e këtyre proceseve. “Do të ishte në interes të vendit që në këtë proces të rëndësishëm të përfshihej edhe opozita, kontributi i së cilës nuk duhet të mungojë dhe do të jetë i vlerësuar në përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, - theksoi ai. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm ka vlerësuar në maksimum punën e bërë deri tani. Sipas tij, të gjitha realizimet dhe arritjet e këtyre gjashtë muajve kanë të bëjnë me blloqet e këtij udhërrëfyesi, ndërkohë që Komiteti Ndërministror për Integrimin, mbledhur dy ditë më parë, ka vendosur afate të qarta përshpejtuese edhe për të gjitha ato aspekte që do të vijojnë të përmbushen ditët, javët dhe muajt e ardhshëm. “Ne jemi tërësisht të bindur se qeveria do ti plotësojë të gjitha detyrimet e kërkuara, ashtu sikurse jam i bindur se ky objektiv madhor i kësaj qeverie do të realizohet në kohën e premtuar”, - deklaroi ai.

Komisioni Amerikan i Helsinkit

“Zgjedhjet, përparime të dukshme”

Komisioni Amerikan i Helsinkit në Kongresin Amerikan në mbledhjen e fundit të tij ka vlerësuar qeverinë shqiptare dhe standardet e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Në seancën lidhur me sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ecur përpara, ku të gjitha vendet janë të angazhuara dhe po ndërmarrin hapa drejt anëtarësimit eventual në Bashkimin Evropian, duke zbatuar reformat e duhura, si e vetmja rrugë drejt integrimit evropian. Xhons ka raportuar se Shqipëria po ecën gradualisht drejt integrimit europian. Duke u ndalur te zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Xhons tha se është bërë përparim i dukshëm krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, duke evidentuar përmirësimet në regjistrimin e votuesve, kartat e identitetit dhe kornizën ligjore. “Sipas vlerësimeve të ODHIR-it, zgjedhjet e 28 qershorit përmbushën shumicën e standardeve”, - deklaroi ai. Xhons tha se në këto zgjedhje ende nuk janë arritur standardet maksimale dhe fushat në të cilat duhet bërë përmirësim është numërimi i votave, mbulimi i zgjedhjeve nga media dhe presioni i krijuar nga partitë politike.

Bjorn Lyrvall

Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Suedisë, Bjorn Lyrvall, ka deklaruar se Shqipëria ka ecur gradualisht drejt integrimit evropian, proces ky që ka marrë hov gjatë viteve të fundit.

Kosova

Zyrtari i lartë amerikan Stjuart Xhons ka thënë se suksesi i Kosovës si shtet demokratik, i pavarur, tolerant e shumë etnik vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm kritik për stabilitetin në rajon.

Meta për protestat e opozitës

“E pakuptimtë të protestosh kundër integrimit”

Numri dy i qeverisë shqiptare dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta i ka vlerësuar si të pakuptimta protestat e opozitës kundër procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimit europian. Ai ka vlerësuar se Shqipëria është një vend demokratik dhe opozita pa dyshim që është e lirë të bëjë edhe protesta demokratike, pasi në vendet demokratike këto gjëra ndodhin. Por të ndërmarrësh protesta të tilla, për Metën është absurde. “Të bësh një protestë kundër liberalizimit të vizave, të bësh një protestë kundër integrimit evropian, unë këtë nuk arrij ta kuptoj dot”, - deklaroi ai. Ministri i Jashtëm theksoi se qeveria ka shprehur vullnetin maksimal për të përmirësuar më tej standardet e zgjedhjeve, të cilat u vlerësuan me shumë objektivitet nga faktorët ndërkombëtarë. Sipas tij, kryeministri Berisha dhe mazhoranca në tërësi kanë qenë të hapur dhe e kanë ftuar lidershipin e PS-së të marrë rol drejtues në përmirësimin e mëtejshëm për reformën zgjedhore dhe të Kodit Zgjedhor. Meta sheh te protestat e socialistëve vetëm një përpjekje për të mbrojtur interesa personale. “Të jeni gjithashtu të sigurt se të gjithë ata që do të përpiqen të vonojnë apo të dëmtojnë këtë proces do të marrin ndëshkimin e qytetarëve shqiptarë, sepse për interesa të ngushta nuk mund të cenohet imazhi i vendit”, - deklaroi zëvendëskryeministri Meta. Ai theksoi faktin se qeveria do të bëjë detyrën e saj gjatë gjithë procesit të integrimit evropian.

Takim ministror në Goteborg

Suedia mbështetëse e Shqipërisë për integrimin

Suedia, shteti që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, do të kontribuojë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Garancitë i ka dhënë në Goteborg ministri i Mbrojtjes së Suedisë gjatë një takimi që ai zhvilloi me zëvendësministrin shqiptar të Mbrojtjes, Petrit Karabina. Gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të BE-së zëvendësministri shqiptar i Mbrojtjes, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi falënderoi ministrin suedez të Mbrojtjes për ftesën si dhe për mbështetjen që Suedia po i jep Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, informoi për angazhimin e qeverisë së re në vazhdimin e reformave në vend edhe në Forcat e Armatosura. Ai theksoi se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s është e angazhuar në Afganistan, por në të njëjtën kohë, si vend i angazhuar drejt anëtarësimit në BE, ka dhënë e jep kontributin e saj në operacionet e BE-së, në Bosnjë-Hercegovinë, në Çad etj. Gjithashtu Karabina nënvizoi faktin se Shqipëria e shikon seriozisht angazhimin e saj në çështjet e ESDP. “Në këtë kuadër, ajo është gatshme që të bashkëpunojë jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe më gjerë si në vendosjen e rritjen e bashkëpunimit në kuadër të hapësirës detare, ashtu dhe në forcimin e kapaciteteve në bashkëpunimin civil e ushtarak. Në të njëjtën kohë Shqipëria do të shqyrtojë me seriozitet edhe rritjen e angazhimit të mëtejshëm në operacionet e drejtuara nga BE-ja”, - ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›