E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën me të dashurin në Durrës, prindërit se pranojnë 19-vjeçaren

02/10/2009  Burrë e grua mohojnë fëmijën e tyre. Policia e çon në qendrën e strehimit në Linzë

TIRANE- Pasi kanë mësuar se vajza e tyre ishte larguar nga banesa me dëshirën e saj, dy prindër në kryeqytet kanë vendosur që të mos e pranojnë më në shtëpi fëmijën e tyre, duke e lënë atë të jetojë në Qendrën e Rehabilitimit të Femrave të Trafikuara që ndodhet në Linzë të Tiranës. Drama familjare i ka rënë në pjesë një adoleshenteje me inicialet A.S, e cila prej dy javësh ishte larguar nga banesa duke qëndruar me të dashurin e saj në qytetin e Durrësit. Mirëpo pas ndalimit nga policia, ajo ka treguar se ishte larguar nga anëtarët e familjes, pasi këta të fundit nuk pranonin që 19-vjeçaria të kishte lidhje sentimentale me një moshatarin e saj. E ndodhur në këto kushte, adoleshentja së bashku me të dashurin e saj, janë larguar në Durrës, ku janë strehuar në një nga apartamentet e këtij qyteti. Largimi misterioz ka shqetësuar anëtarët e familjes së 19-vjeçares me inicialet A.S, të cilët fillimisht për gjetjen e vajzës së tyre kanë kryer kontrolle private dhe më pas i janë drejtuar Drejtorisë së Policisë Tiranë. Për të gjetur vendndodhjen e saj, prindërit kanë kërkuar informacion nga shoqet dhe shokët e vajzës së tyre, të cilët ditën kur ishte “zhdukur” 19-vjeçarja nuk kishin arritur ta shihnin atë edhe në ambientet e shkollës. Të ndodhur në këtë situatë ankthi, mamaja e 19-vjeçares, shtetasja me inicialet A.M, 41 vjeç i është drejtuar policisë së Tiranës, në të cilën ka denoncuar zhdukjen e vajzës së saj. Menjëherë pas kësaj, efektivat e policisë kanë shpërndarë fotografinë në të gjitha pikat e kalimit doganor si dhe në komisariatet e vendit. Përgjigjja pozitive për gjetjen e vajzës ka ardhur një ditë më pas nga policia e Durrësit, e cila tha se kishte ndaluar adoleshenten e humbur në shoqërinë e një djali. 19-vjeçaria është transportuar në policinë e Tiranës, ku në prani të prindërve të saj dhe policisë, adoleshentja deklaroi se ishte larguar me dëshirën e saj nga banesa, ndërsa nuk kishte preferuar të lajmëronte familjen për adresën se ku ndodhej gjatë dy javëve. Mirëpo me dëshminë e saj nuk janë pajtuar prindërit e vajzës, ku burrë e grua ata kanë vendosur të mos e pranojnë në banesë atë duke e bërë “lanet”. Sipas tyre, adoleshentja i ka cenuar nderin e familjes si dhe ka sjellë mjaft probleme gjatë kësaj kohe, dhe për këtë qëllim prindërit kanë vendosur të mos pranojnë më si vajzën e tyre 19-vjeçaren, e cila i ka kërkuar policisë një strehëz ku të qëndronte. E ndodhur në këto kushte si dhe duke mos pasur asnjë rrugëdalje, 19-vjeçaria i ka kërkuar policisë një vend strehimi. Mësohet se policia ka kontaktuar me Qendrën Kombëtare të Qenieve të Trafikuara në Linzë për të strehuar të renë. Vajza aktualisht ndodhet në këtë qendër, ndërsa ende nuk dihet nëse do të kthehet më në banesën e saj apo jo. Adoleshentja është nën mbikëqyrjen e një mjeku psikiatër, pasi gjendja psikologjike e saj është tepër e rënduar nga vendimi i paparashikuar i prindërve të saj. Ndërkohë që 19-vjeçaria është braktisur edhe nga i dashuri, me të cilën ajo u largua për rreth dy javë nga banesa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›