Qeveria e Kosovës: Marrëveshja e KFOR me serbët e papranueshme

Hashim Thaçi
Prishtinë, 4 gusht 2011, NOA Update – Qeveria e Kosovës e cilëson të papranueshme draft-marrëveshjen e arritur mes gjeneralit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe kryenegociatorit serb në bisedimet me Kosovën Borisllav Stefanoviç, e përmbledhur në tri pika.
Qeveria e Republikës së Kosovës, duke respektuar plotësisht kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur e autonom në vendimmarrje, njofton opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar se kjo draft-marrëveshje është e papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Në njoftim bëhet me dije se Qeveria e Kosovës do të respektojë në përpikmëri masat e reciprocitetit me Serbinë.
Gjithashtu ekzekutivi i Kosovës shprehet se mirëpret përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, detyra këto në përputhje me mandatin që e ka KFOR-i.
Në fund të deklaratës së qeverisë thuhet se Për Kosovën nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut, një vendim të cilin shefi i qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi e ripërsëriti edhe gjatë takimit me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler mbrëmjen e të mërkurës.
Qeveria e Kosovës bëri me dije se konsultat me KFOR-in për situatën në veri do të vijojnë edhe gjatë ditës së enjte.
Marrëveshja mes komandantit të KFOR-it dhe zyrtarëve serbë e arritur mbrëmjen e 3 gushtit në kampin e KFOR-it Nothing Hill, mbi zhbllokimin e situatës në veri të Kosovës mbështetet në tri pika:
Në portën 1 (vendkalimi kufitar në Jarinje) dhe portën 31 (vendkalimi kufitar në Bernjak) sistemi i tanishëm i kontrollit do të vazhdojë i pandryshuar deri në mes të muajit shtator 2011. Nëse është e nevojshme, kjo kornizë kohore mund të zgjatet. KFOR-i mban komandën dhe kontrollin në kalimet kufitare.
Veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe kontrollit për armë.
Bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset.
mit/NOA