Vit i zhvillimit

Raporti i Bankës Qendrore për vitin 2010 ka treguar vetëm për zhvillime pozitive të ekonomisë së Kosovës. Parametrat pozitivë, sipas këtij raporti, kanë vazhduar edhe në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Guvernatori i BQK`së, Gani Gërguri potencoi se viti 2010 është karakterizuar me një sektor privat dinamik, i shoqëruar me stabilitet financiar dhe makroekonomik.
“Sektori financiar reflektoi stabilitet, në veçanti sistemi bankar ka treguar nivel të lartë të kapitalizmit, cilësi të mirë të portofolit kreditor dhe gjendje të kënaqshme të likuiditetit. Sektori financiar vazhdoi me trendin e rritjes”, tha Gërguri.
Treguesit në raport flasin për qëndrueshmëri të lartë të sistemit bankar në Kosovë, duke arritur në 59.7 për qind të bruto produktit të brendshëm.
“Në të njëjtën kohë industria e sigurimeve u karakterizua me zvogëlim të tarifave për policat kufitare si dhe ngritje të shkallës së kompensimit të dëmeve. Trusti i Kursimeve Pensionale shënoi rritje të çmimit për njësi të aksioneve si dhe kthim më të mirë nga investimet”.
Guvernatori shtoi se qëndrueshmëria e sektorit financiar në vend është konfirmuar edhe nga stres-testi i sistemit bankar, ku sistemi bankar reflekton të jetë në gjendje të përballojë edhe tronditje serioze, të cilat janë supozuar në shembuj hipotetikë.
Drejtori i drejtoratit për analiza ekonomike në BQK, Arben Mustafa, në prezantimin e raportit për 2010 tregoi se Kosova ka shënuar një rritje reale të bruto produktit vendor deri në 4,0 për qind, sipas vlerësimeve të FMN-së.
“Kontributin më të madh në rritjen reale të PBB e kishin konsumi dhe investimet në sektorin privat të nxitura nga dërgesat e emigrantëve, rritja e kredidhënies, investimet e huaja direkte dhe rritja e eksporteve”.
Mustafa shpjegoi se për vitin 2010 norma mesatare e inflacionit arriti në 3,5% (-2,4% në 2009).
Të hyrat buxhetore në 2010 ishin 1.17 miliard euro, ndërsa shpenzimet vjetore ishin 1.27 miliardë, një rritje vjetore prej 3.2 për qind. Sipas raportit të prezantuar në konferencën për gazetarë, eksportet kosovare kanë shënuar rritje vjetore për 77.8 për qind. Po ashtu rritje ekonomike kanë shënuar edhe importet, të cilat arritën në 2,1 miliardë apo 10,8 për qind më shumë se në vitin 2009.
Me gjithë rritjen e eksporteve, deficiti tregtar mbetet ende i lartë 1,85 miliardë euro apo 45 për qind e bruto produktit vendor.
“Në vitin 2010 janë pranuar 511,6 milionë euro dërgesa të emigrantëve, që ka një rritje vjetore 1,2 për qind, ndërsa rritje të investimeve të huaja direkte kanë shënuar vlerën 314,6 milionë euro me një rritje vjetore prej 8%”.
Shifra
Sektori financiar vazhdon të dominohet nga sistemi bankar, që përfaqëson 77 për qind të aseteve. Vlera e kredive ka arritur në 1.45 miliardë euro, që përbën 34,4 për qind të bruto produktit vendor, me një rritje prej 13.2 për qind. Treguesit e performancës po ashtu kanë shënuar një rritje të fitimit neto në vitin 2010 në vlerën 32.8 milionë euro apo një rritje vjetore 29.9 për qind. Eksportet kanë shënuar trend të rritjes në vlerë 168.1 milionë.