E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Kosovës organizon zgjedhjet serbe!

Foto: Getty Images

Pavarësisht nga deklaratat e ashpra se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të vendit, Qeveria e Kosovës, jo vetëm që nuk do ti ndalojë, por edhe do ti organizojë ato.

Madje, për ti shërbyer sa më mirë shtetit serb, qeveria që drejtohet nga Hashim Thaçi, ka hartuar një plan konkret, me të cilin udhëzohet se si do të votojnë qytetarët serbë në Kosovë, më 6 maj 2012.

Dokumentin të cilin e ka parë Zëri përcakton në detaje se si do të shkojë mbarëvajtja e procesit zgjedhor, ndërkaq, për gjithçka që ka të bëjë me procesin në fjalë do të angazhohet një trup ndërkombëtar.

Sipas këtij plani, trupi ndërkombëtar, mes tjerash, do të angazhohet që të sigurojë fletëvotimet, do të ketë përgjegjësi për numrin e fletëvotime të shpërndara, do ta mbikëqyrin futjen e fletëvotimeve në kutitë e votimit, dhe do të merret me transportin e fletëvotimeve dhe kutive të votimit nga vendvotimet tek autoritetet serbe.

Qytetarët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në komunat në vijim: Prishtinë, Graçanicë, Novobërdë, Ranillug, Kllokot, Gjilan, Shtërpc, Prizren, Deçan, Pejë, Klinë, Mitrovicë, Zveçan, Zubim-Potok, Leposaviq dhe në vendet tjera për të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partnerët e saj zbatues mund të japin miratimin më vonë, thuhet në njërën nga pikat e këtij plani. /Zëri/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›