Qeveria e brengosur për arrestimet, beson në drejtësi dhe pafajësi
.jpg)
(E plotësuar) Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet e brengosur për zhvillimet e fundit lidhur me aktakuzat për krime lufte ndaj ish-komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, thuhet në një komunikatë të ekzekutivit të vendit pas arrestimeve të sotme.
“Qeveria e Republikës së Kosovës beson në luftën e drejtë të UÇK-së dhe të luftëtarëve e komandantëve të saj, luftë kjo që bëri që Kosova të fitojë lirinë, pavarësinë, shtetin demokratik dhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA-në dhe NATO-n.
Qeveria ndërton dhe mbështet sundimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e pavarur dhe të paanshëm të gjyqësorit në tërësi dhe të EULEX-it dhe pret që edhe ky proces të zhvillohet mbi këto parime që mbrohen nga ne dhe bota demokratike”, thuhet në këtë njoftim, për të shtuar në fund se “Qeveria beson në drejtësi dhe në pafajësinë e komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së”.
-----
Lajmin për arrestimin e disa ish ushtarëvë të UÇK-së me shqetësim të thellë e kanë marrë edhe OVL e UÇK-së, duke i konsideruar ato si gjykime politike.
Sipas tyre, kjo ngjarje mund të jetë fundi i durimit të familjeve të dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së
“Rasti i sotëm ku akuzohen Sahit Jashari, Sami Lushtaku, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi, që të gjithë luftëtarë të hershëm dhe bashkluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, njerëz që kontribuan në luftë dhe në paqe, tregon se Serbia përmes mekanizmave të saj, po tenton të godas luftën e UÇK-së që në bërthamat e saj të para, në mënyrë që të arrihet një qëllim: baltosja e të gjitha figurave emblematike të UÇK-së, baltosja e dëshmorëve të kombit dhe luftëtarëve të gjallë. Me këtë veprim, është prekur edhe vet liria, shteti dhe sovraniteti i vendit.
Të përballur me presionin e bashkluftëtarëve, ne jemi duke u munduar që për momentin të mbajmë situatën nën kontroll. Mirëpo, duhet të jetë e qartë, se situata e sigurisë në Kosovë është shumë e brishtë dhe se kjo ngjarje mund të jetë fundi i durimit”, thuhet në komunikatën e OVL të UÇK-së.
Organizatat e Veteranëvë të luftës së UÇK-së, kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të shqyrtojnë pozicionin e EULEX-it në Kosovë.
“Persekutimi i vazhdueshëm i luftëtarëve të lirisë nga EULEX, në fakt ka argumentuar se këta kanë vetëm një detyrë në Kosovë: njollosjen e luftës çlirimtare të kombit shqiptar në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Tentimi i vazhdueshëm i tyre për të goditur bartësit e luftës çlirimtare, nxjerr përfituese Serbinë dhe bashkëpuntorët e saj të shumtë në Kosovë.”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së./Indeksonline/