Restorantet McDonald’s në Maqedoni mbeten të mbyllura

Restorantet McDonald's në Maqedoni vazhdojnë të jenë të mbyllur deri në ndonjë marrëveshje eventuale mes kompanisë “SJ” dhe korporatës McDonalds lidhur me franshizën, të cilën kompania maqedonase e posedonte që nga viti 1997.
Ndërkohë në opinion ende nuk ka ndonjë sqarim për shkaqet që çuan në mbylljen e restoranteve që nga data 14 maj, përveç njoftimit se kjo ka ndodhur për shkak të arsyeve të brendshme.
Nuk ka as informacione nëse ndonjë kompani tjetër do ta marrë biznesin me zinxhirin e restoranteve McDonald’s.
Si raporton Rel, kompania “SJ” ka bërë të ditur se janë në kontakt të vazhdueshëm me korporatën për rifillimin e shpejt të punës. Gjithashtu, të gjithë 236 të punësuarit vazhdojnë të qëndrojnë në vendet e tyre të punës në pritje të ndonjë epilogu pozitiv.
Mbyllja e restoranteve McDonald's nuk është pritur mirë nga mijëra vizitorë të ushqimeve të shpejta që shërbehen nga korporata e njohur botërore.
Nga kompania “SJ” nuk besojnë në humbjen e lejes pasi, sipas tyre, gjatë 16 vjetëve të fundit kanë ofruar shërbime të cilësisë së lartë duke investuar mbi 6 milionë euro./Indeksonline/