Ymeri e Konjufca: Duhej një vend tjetër për pllakën e Holokaustit

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca kanë thënë se Qeveria Kosovës duhej të zgjidhte një vend tjetër për ndërtimin e pllakës përkujtimore për viktimat e Holokaustit dhe jo të vendosej në oborrin e ndërtesës së Qeverisë. Ata këtë shpjegim e kanë bërë duke treguar si arsye të mospjesëmarrjes së tyre në këtë ceremoni. Sipas tyre, brenda rrethojave të objektit qeveritar mund të vendoseshin figura kombëtare siç është praktikë edhe në vende të tjera.
“Të gjithë e dimë që Holokausti përbën një ngjarje më shumë se tragjike në historinë dhe ndërgjegjen njerëzore. Holokausti ishte një krim masiv monstruoz i përmasave të papara. Holokausti është një martirizim i skajshëm që paraqet një moment të pakthyeshëm në vetëdijen njerëzore për t'i mbyllur rrugë çfarëdo mundësie që ajo të përsëritet. Dhe si i tillë nuk ka fije dyshimi se i takon kujtesës universale të botës. Por, memorialet e Holokaustit nëpër botë rëndom vendosen nëpër hapësirat e caktuara publike, e jo domosdoshmërisht brenda oborrit të institucioneve qendrore të shteteve”, thuhet në një reagim të përbashkët të Ymerit dhe Konjufcës.
Sipas tyre, Komuna e Prishtinës do të duhej të caktonte një hapësirë se ku të vendosej kjo pllakë.
“Brenda oborrit të institucioneve qendrore nacionale zakonisht vendosen shenjat e ngjarjeve apo figurave kombëtare. Ne ende nuk kemi brenda oborrit të institucioneve tona një monument të përkujtimit të gjenocidit serb ndaj popullit tonë. Në anën tjetër, figura e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndodhet jashtë oborrit të Qeverisë e Kuvendit”, kanë shtuar ata.
Në reagim poashtu thuhet se një vendim i tillë duhej të diskutohej në Kuvend por Qeveria e Kosovës e ka marrë njëanshëm./Indeksonline./