E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e re, Nishani do mandatojë Ramën. Sot betimi i deputetëve

Presidenti Bujar Nishani pritet të mandatojë sot kreun e PS Edi Rama për krijimin e qeverisë së re.

Kryeministri i propozuar Rama do të pritet sot në orën 10:00 nga kreu i shtetit të cilit do t’i prezantojë kabinetin e ri qeveritar që do të udhëhiqet prej tij.

Propozimi për emërimin e zotit Rama, si Kryeministër i Shqipërisë, iu dorëzua një ditë më parë kreut të shtetit nga kryetari i Partisë Socialiste, ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në emër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, mbështetur në nenin 96, pika 1, të Kushtetutës së vendit.

Pas emërimit nga ana e presidentit, Rama dhe qeveria e ardhshme do të votohet në Kuvend.

Ndërkaq rreth orës 11:00 do të zhvillohet  seanca parlamentare gjatë së cilës pritet paraqitja e raportit të komisionit të verifikimit të mandateve të çdo deputeti të zgjedhur fitues në zgjedhjet e 23 qershorit.

Pasi komisioni të paraqesë raportin, 140 deputetët do të kryejnë procedurën e betimit.

Ndërkohë, pas proçedurës së betimit të deputetëve do të jetë procedura e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, që do të jetë kryetari i LSI, Ilir Meta. Ky i fundit do të zgjedhë nënkryetarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›