Qeveria e re, Rama lë jashtë aleatët dhe gardën e vjetër të PS
Surpriza më e madhe e qeverisë së re të propozuar dje nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama ishte padyshim mungesa e emrave të per të cilët prej vitesh janë në radhët e Partisë Socialiste. Pjesë e qeverisë së Ramës, janë pothuajse të gjithë deputetët e PS-së të cilët i janë bashkuar kësaj force politike që kur në krye të saj u zgjodh Edi Rama. Ndërkohë një mungesë tjetër ishte edhe ajo e aleatëve të Partisë Socialiste. Vangjel Dule, Spartak Ngjela, Skënder Gjinushi, Paskal Milo por edhe Mark Frroku nuk do të jenë pjesë e qeverisë Rama.
Mungesat
Pjesë e qeverisë së re që do të nis nga puna në muajin shtator nuk do të jenë disa nga emrat më të njohur të së majtës. Kështu, Pandeli Majko, Taulant Balla, Ben Blushi, Erjon Braçe por edhe shumë emra të tjerë me kontribut prej vitesh në Partinë Socialiste nuk do të drejtojnë asnjë post ministror. Taulant Balla dhe Erjon Braçe kanë qenë dy nga deputetët më të spikatur gjatë opozitës së socialistëve për akuzat e forta në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit Berisha, por të dy këta deputetë nuk janë përfshirë në qeverinë e re socialiste. Nuk dihet ende nëse ka qenë vetë zgjedhje e tyre për të mos lënë mandatin e deputetit për post ministror, ndërkohë që ende nuk ka pasur një qëndrim të tyre për qeverinë e re.
Aleatët
Surpriza tjetër e qeverisë së re ishte mungesa e aleatëve të Partisë Socialiste me përjashtim të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Vetë një ditë më parë, emrat e Vangjel Dules, Mark Frrokut por edhe Spartak Ngjelës mendoheshin se do të ishin pjesë e qeverisë së re. Vetë Frroku në një deklaratë për mediat bëri të ditur se ai do të vijojë të mbështes mazhorancën e re duke theksuar se mbështetja e tij nuk kushtëzohet nga një post ministror. Ndërsa mungesa e minoritarëve solli menjëherë reagimin e organizatës OMONIA e cila i kërkonte Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të që riorientonte qëndrimin e saj politik.