Rama takim kokë më kokë me ministrat e Partisë Socialiste
24 orë pasi bëri publik emrat e ministrave të qeverisë kryeministri i zgjedhur Edi Rama zhvilloi në selinë e Partisë Socialiste takimin e parë konsultativ me disa prej tyre. Takimi mes Ramës dhe ministrave zgjati për më tepër se 60 minuta pa praninë e mediave.
Takimi
Burime brenda Partisë Socialiste bëjnë me dije se kryeministri i zgjedhur, Rama u ka lënë ministrave të rinj një sërë detyrash. Sipas të njëjtave burime Rama u ka kërkuar ministrave që të nisin menjëherë nga puna për ndërtimin e kabineteve respektive ndërsa u ka kërkuar gjithashtu që të bëjnë kujdes në krijimin e strukturave për çdo ministri. Ajo që ra më tepër në sy ishte se Rama zhvilloi takim vetëm me ministrat e Partisë Socialiste dhe jo ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vetë Rama një ditë më parë kur bëri edhe prezantimin e qeverisë u shpreh se ne duam që qysh në ditën e parë të fillojmë të qeverisim, jo të njihemi me punën që kemi përpara. Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama tha të mërkurën gjatë prezantimit të emrave të qeverisë së re se ministrat e rinj duhet të marrin paraprakisht detyrat e tyre. Është e udhës që të gjithë ministrat të marrin detyrat paraprake dhe të njihen me përmbajtjen e punës së tyre, të mendojnë dhe pastaj të punojnë bashkarisht për ato ndarje që i duhen bërë dikastereve ekzistuese, u shpreh Rama të mërkurën. Ndërkohë pas përfundimit të takimit me kryeministrin e zgjedhur Rama, asnjëri prej ministrave nuk bëri asnjë prononcim për mediat. Mësohet gjithashtu se të tilla takime, mes Ramës dhe ministrave do të ketë edhe gjatë ditëve në vijim deri në betimin e qeverisë së re në muajin shtator. Qeveria e bërë publike nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama do të ketë 16 ministri, 3 ministri paportofol dhe një post zëvendëskryeministri.