E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re dhe sfida e vërtetë e Shqipërisë

Jordan Jorgji/ PhD për Marrëdhënie Ndërkombëtare

-Reformat që mund të ndërmerren nga qeveria “Rama” kanë për qëllim – ashtu si dhe në vende të tjera – që të ndryshojnë, mundësisht të përmirësojnë, jetën e njerëzve dhe punët e shtetit. Stabilitet financiar, diplomaci më e kujdesshme, përmirësim i rendit dhe sigurisë, ashtu si edhe përmirësim i kushteve ekonomike, arsimit dhe shëndetësisë; këto pritet të jenë disa prej reformave kryesore, që do të ndërmerren nga qeveria e re, e cila fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare me diferencë të madhe votash. Madje, Kryeministri i zgjedhur, z. Edi Rama, foli për një revolucion të heshtur të shqiptarëve përmes votës. Por, karakteristika kryesore e revolucioneve është përmbysja e një rendi të vjetër nga një i ri.

Natyrisht, nevojitet një “revolucion” për të ndryshuar mentalitetin e shqiptarit, në lidhje me vendin dhe shoqërinë ku ai jeton. Mendoj se karakteristika kryesore e shoqërisë shqiptare, nëse heqim disi periudhën komuniste, ka qenë një gjendje “anomie”, për sa i përket mungesës së ligjit dhe jo në kuptimin sociologjik të fjalës. Me fjalë të thjeshta dhe në kuadrin praktik të jetës së përditshme, secili mund të ketë parë të rinj me makina luksoze, të cilët e çojnë shpejtësinë në maksimum në rrugica të vogla ku kalojnë pleq dhe luajnë fëmijë. Pothuajse në çdo qytet, sot, mungojnë kapakët e pusetave, të cilat shiten për skrap nga njerëz që mbase nuk vuajnë për bukën e gojës.

Diku tjetër, për një shikim shtrembër, një konflikt me fjalë, apo për një flirt me ndonjë femër, llogaritë lahen me armë dhe nga pakujdesia e shënjestrës, plumbat mund të zënë kalimtarë të rastit. Disa mund të thonë se këto ndodhin edhe në vende të tjera, por kjo nuk duhet të përbëjë arsye të fuqishme për të justifikuar “anominë” shqiptare. Këtu mungon vlera e detyrimit të qytetarit, mbase edhe ajo e së drejtës. Gjithashtu, ekziston një disproporcion në dëm të së mirës së përgjithshme, të së mirës së bashkësisë dhe ku mbizotëron individualiteti i shqiptarit: “Është e mirë çdo gjë që më kënaq mua dhe dinjitetin tim”.

Në Shqipëri ekzistojnë shumë ligje të shkruara, por shumë pak rregulla të përgjithshme morale dhe shoqërore. Në radhët e gjata, pak persona i mbajnë ato dhe ai që nuk ka forcë të shtyjë të tjerët dhe të dalë i pari, paguan nën dorë nëpunësin për të mbaruar punë shpejt. Në qoftë se konsumon diçka, mbeturinat i hedh në rrugë, edhe pse koshi i plehrave mund të jetë pak metra më larg – ndonëse në shumë raste, koshat e mbeturinave në Shqipëri janë të pakta. E gjithë kjo “anomali” mbijeton dhe trashëgohet në kohë, duke sfiduar ligjin dhe reformat. Kjo sepse fuqinë e ka ai që ka edhe paranë, sepse sistemi gjyqësor nuk është serioz dhe kryesisht i paanshëm, sepse shkollat blihen me lekë ose me “miq” dhe brezi i ri nuk brumoset me vlerat e nevojshme dhe bashkëkohore.

Kjo është një situatë që duhet të ndryshohet me kalimin e kohës, pasi përbën një sfidë rrënjësore dhe serioze për shoqërinë tonë dhe për këtë nevojitet që qeveria e re, ashtu si edhe qeveritë e ardhshme, të punojnë seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Duhet të kufizohet liria dhe mentaliteti individual, në të mirë të vlerave të përgjithshme, të cilat na bashkojnë. Duhet të mësohemi se kemi detyrime ligjore, por edhe morale – ashtu si edhe të drejta – në çdo hap që ne hedhim. Vetëm kështu, mund të përmirësohet imazhi i brendshëm dhe i jashtëm i shqiptarëve dhe në këtë mënyrë, ne do të arrijmë të kemi një shtet serioz dhe demokratik, bashkë me një shoqëri të shëndoshë dhe progresive.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›