E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e re, ja cilët janë tetë anëtarët e kabinetit të kualifikuar në Amerikë

TIRANE - Ambasada e SHBA në Tiranë shprehu dje, vlerësimin për ministrat e rinj të kabinetit qeveritar "Rama". Në një deklaratë të saj, kjo ambasadë thotë se: "Mirëpret ministrat e sapopërzgjedhur të kabinetit të 'Aleancës për Shqipërinë Europiane' dhe vëren me vlerësim emërimin e një numri më të madh ministrash dhe caktimin e tyre të propozuar në dikastere kyçe". "Përfshirja e ministreve pasqyron një hap pozitiv drejt barazisë më të madhe gjinore brenda udhëheqjes politike të Shqipërisë", thuhet në mesazhin e fundit të ambasadës amerikane në Tiranë. Më tej në reagim, ambasada amerikane "pret me kënaqësi të punojë me Këshillin e Ministrave të ardhshëm, shumë prej të cilëve kanë pasur përvoja profesionale dhe arsimore në Shtetet e Bashkuara, në zbatimin e axhendës së tyre të reformave, për të arritur synimet e Shqipërisë për integrim më të madh euroatlantik". "Gjithashtu presim me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë", përfundon mesazhi i misionit diplomatik të SHBA-ve në Tiranë. 

Në fakt, përzgjedhja e ministrave nga kreu socialist, njëherësh kryetari i ri i qeverisë, Edi Rama, është bërë jo vetëm në bazë të kontributeve, por edhe formimit të gjithsecilit prej ministrave. Kështu, rreth 8 ministra figurojnë të kenë shkollim apo kualifikime në universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.
Ministrat
Të këtij formati janë edhe tre nga ministrat e përzgjedhur si përfaqësues të LSI-së në qeverinë e re; profesori i veterinarisë, Edmond Panariti, por edhe dy ministrat e tjerë, Edmond Haxhinasto e Nasip Naço. Ministri i Bujqësisë, Panariti ka në CV-në e tij dy bursa Fullbrajt në Toksikologji, një në Universitetin e Misisipit, Departamenti i Shkencave Veterinare, në vitin 2000, dhe në vitin 1995, në Universitetin e Kentakit, në SHBA. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço është pjesëmarrës në disa seminare dhe kurse trajnuese të organizuara në SHBA. Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto mbaroi studimet në vitin 2000, për Master në Politika Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në shkollën "Udrou Uillson", në Universitetin e Princtonit, SHBA. Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj numëron një sërë kualifikimesh në SHBA. Ai ka marrë diplomën Master në Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci Patterson, në Universitetin Kentucky, SHBA. Po kështu ai zotëron edhe një diplomë në Menaxhimin e Politikave Ekonomike e Publike në Universitetin George Washington, si dhe disa diploma po në SHBA. Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në vitin 2003 ka marrë diplomë trajnimi, në Akademinë e së Drejtës Ndërkombëtare, në Dallas. Ndërsa në vitin 2006 ka diplomë nga Universiteti i Harvardit, ndërsa ka punuar për një sërë organizatash më bazë në SHBA. Ministrja Eglantina Gjermeni në vitin 1997-1998 ka marrë diplomën Master në Punë Sociale, Grand Valley State University, Grand Rapids, Michigan, SHBA. Ndërsa ministri i Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka përfunduar në periudhën janar 2003 -qershor 2004, Shkollën e Monterey, në Kaliforni SHBA. I formimit amerikan është edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili kreu studimet për shkenca politike në Grand Valley State University, Michigan, Shtetet e Bashkuara, dhe studimet master në University of Sussex. 

TETË MINISTRAT E QEVERISË “RAMA” TË KUALIFIKUAR NË SHBA
1. ARBEN AHMETAJ (PS)
- M.A. Tregëti Ndërkombëtare dhe Diplomaci Patterson Universiteti Kentucky, SHBA, Diplomuar dhjetor 1996.
- Universiteti George Washington, Diplomuar, Departamenti i Ekonomisë: Menaxhimi i Politikave Ekonomike Publike.
- Universiteti Georgetown, Edmund Walsh School of Foreign Service, Washington, SHBA.
- Bursa awards Patterson 1994. George Town University program, Mbështetur nga Kongresi USA, 1999.

2. DITMIR BUSHATI (PS)
- 2003: Diplomë trajnimi, Akademia e së Drejtës Ndërkombëtare, Dallas
- 2006: Diplomë trajnimi nga programe pasuniversitare nga Universiteti i Harvardit.
- 2007-2008: Autor i Raportit për Shqipërinë të Kombeve në Tranzicion të Freedom House dhe si Reporter i Shoqatës Europiane për të Drejtën Ndërkombëtare.
- Bushati ka shërbyer si konsulent në disa projekte të BE-së, OSI, Bankës Botërore, GZI, IOM, USAID, Fondacionit Friedrich Ebert, SNV.

3. EGLANTINA GJERMENI (PS)
1997-1998: Master në Punë Sociale, Grand Valley State University, Grand Rapids, Michigan, SHBA.

4. DAMIAN GJIKNURI (PS)
Studime pasuniversitare jashtë vendit:
- Master of Arts” në Politikat Publike me fokus; “Çështjet e Sigurisë Kombëtare” në NPS.
- Janar 2003-qershor 2004: School Monterey, Kaliforni, SHBA.

5. ERION VELIAJ (PS)
- Kreu studimet për shkenca politike në Grand Valley State University, Michigan, Shtetet e Bashkuara, dhe studimet master në University of Sussex.
- Ka punuar për organizata dhe agjenci të ndryshme të Kombeve të Bashkuara në Amerikë, Afrikën Lindore dhe Kosovë.

6. NASIP NAÇO (LSI)
Pjesëmarrës në disa seminare dhe kurse trajnuese të organizuara nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, nga Shkolla e Magjistraturës dhe jashtë vendit në Itali, Poloni, SHBA, Danimarkë, Gjermani, me tematika të ndryshme në fushën e të drejtës penale e procedurës penale, të përmbarimit, gjyqësor, të policisë etj.

7. EDMOND HAXHINASTO (LSI)
Në vitin 2000 mbaroi studimet Master në Politika Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Udrou Uillson në Universitetin e Princtonit, ShBA.

8. EDMOND PANARITI (LSI)
- Viti 2000: Fulbright Research Grant në Toksikologji, Universiteti i Misisipit, Departamenti i Shkencave Veterinare
- Viti 1995: Fulbright Research Grant në Toksikologji, Universiteti i Kentakit, Departamenti i Shkencave Veterinare. Kentucky USA. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›