Organizohet Marshi i Pavarësisë në Mitrovicë
Qindra të rinj mitrovicas kanë marrë pjesë të enjten në Marshin e Pavarësisë të organizuar nga Lëvizja “Koha” në Mitrovicë, që është organizuar për nder të përvjetorit të tretë të pavarësisë së vendit.
Ferdi Kadriu, kryetar i kësaj Lëvizje në Mitrovicë, ka thënë se kur politika dështon të jap zgjidhje, atëherë ndërhynë qytetarët.
“Ne nuk jemi të pafuqishëm dhe mund të ndikojmë për paqen, andaj të bëhemi të gjithë bashkë, qytetarë, intelektualë, akademikë, klerikë, gazetarë, politikanë, studentë, besimtarë dhe gjithë të tjerë për këtë çështje madhore”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.
Duke bartur në duar flamuj kombëtarë e shtetërorë, ata marshuan nga sheshi “Nënë Terezë” për të vazhduar te rrethi pranë Xhamisë së Zallit që ndodhet në qendër të qytetit dhe për të përfunduar te sheshi Mehë Uka.
Përfaqësuesit e Lëvizjes “Koha” gjatë marshutës së tyre janë ndalur para objektit të bibliotekës së qytetit, ku kanë shkruar kartolina me pyetje të ndryshme të adresuara për kryetarin e qytetit, e që kanë të bëjnë me shqetësimet dhe problemet që i preokupojnë ata.
Kartolinat me pyetje do t’i dorëzohen kryetarit të komunës së Mitrovicës të hënën.