Qeveria firmos dhënien me koncesion për 7 hidrocentrale. Berisha: Po bëhemi superfuqi e energjisë
Kryeministri Sali Berisha ka vendosur të nënshkruajë dhënien me koncesion të 7 hidrocentraleve. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e Berishës, Erla Mëhilli, që tani po del gjithmonë e më shpesh nëpër konferenca për shtyp.
Në kuadrin e punësimit gjithnjë e më të madh të shqiptarëve dhe nismës Shqipëria një superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon, kryeministri Berisha firmosi sot dhënien me koncesion edhe për 7 hidrocentrale. Konkretisht hidrocentrali Qarr dhe Kaltanj në rrjedhën e sipërme të Osumit, hidrocentralet Babjen dhe Lozhan 2 si dhe Kasollet e Selcës në rrjedhën e mesme të lumit Devoll, hidrocentrali Guri i Kuq në degët e lumit Osum, hidrocentrali Driza në ujërat e lumit Bistricë, hidrocentrali Potam në degën e lumit Pavlës dhe hidrocentrali Denas në lumin e Cemericës. Shuma totale e investimeve arrin vlerën e rreth 6 miliard lekë ndërkohë që punësojnë rreth 1500 punonjës të profesioneve të ndryshme. Energjisë së rinovueshme këto hidrocentrale i shtojnë kapacitetin e prodhimit me 18 megavat.
Me këto 7 hidrocentrale numri i hidrocentraleve të dhëna me koncesion në Shqipëri arrin në 332, kapacitetit prodhues në tërësi arrin 1450 megavat, ndërsa vlera e investimit të tyre është mbi 2 miliardë euro, tha Mëhilli.
Këto rritje kapacitetesh energjie të rinovueshme po realizohen jo më para publike, por janë investime 100 për qind private të nxitura dhe mbështetura nga klima e favorshme investuese e krijuar nga qeveria shqiptare. Në të gjitha hidrocentralet e dhëna me koncesion që do ndërtohen parashikohet të krijohen mbi 25 mijë vende pune në të katër anët e vendit. Përpjekjet për të dekurajuar biznesin dhe interesin e tij për koncesione në fushën e energjisë janë anakronike, ziliqare dhe keqdashëse.
