Gjinushi: E drejta ka vdekur
“Veçanërisht në dënimin e veprave penale apo manipulative të politikës dhe drejtësia është bërë vetëm një alibi për të korruptuarit”
Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, ishte i pari që reagoi për vendimmarrjen e Kolegjit. Skënder Gjinushi u shpreh se Kolegji ka shpikur një alibi për të gjithë kriminelët, që thotë që një vjedhje mund të denoncohet vetëm pa u bërë sepse po ndodhi “hallall!”. Sipas tij, edhe në një vrasje, kriminelët duhet t’i dënosh pa lindur, duhet të parashikosh që bëhet kriminel, ndryshe hallall i qoftë, sipas Kolegjit. “Absolutisht sot thuhet me plot të drejtë që e drejta në këtë vend ka vdekur, veçanërisht në dënimin e veprave penale apo manipulative të politikës dhe drejtësia është bërë vetëm një alibi për të korruptuarit, skandalet e politikës dhe për manipulimet. Nuk bëhet gjyq, kanë shpikur ndërhyrjet procedurale”, theksoi Gjinushi. Në vlerësimin e kreut socialdemokrat, Gjykatat në Shqipëri tani janë të kapura nga klanet mafioze të pushtetit. Gjinushi këmbënguli në idenë e tij se zgjidhja e vetme e ngërçit që, sipas tij, u krijua nga vjedhja në tavolinë e fitores së kreut të opozitës, do të ishte rivotimi në Tiranë. Socialdemokrati Gjinushi në vijimësi ka qenë në linjën radikale të opozitës, sa i takon procedurave që po ndërmerrte Kolegji Zgjedhor dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.