E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria formon 6 grupe për implementimin e strategjisë

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të formojë gjashtë grupe punuese për implementimin e strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës, e cila është e përmbledhur në katër pika kryesore, siç është sundimi i ligjit, formimi i komunës së re të Mitrovicës, organizimi i zgjedhjeve të lira në tri komunat e veriut dhe plani socio-ekonomik. Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur bindjen e thellë se do të këta angazhime konkrete, të cilat do të reflektojnë drejtpërdrejt në jetën më të mirë dhe më të sigurt për qytetarët në atë pjesë të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se formimi i grupeve të reja është në kuadër të kryerjes së obligimeve për implementimin e strategjisë për veriun e Kosovës.

“Mendoj se formimi i këtyre gjashtë grupeve punuese për implementimin e strategjisë është një veprim që do të përcillet edhe me mbulesa financiare, siç kemi thënë me fondin e veçantë. Në këto grupe punuese, siç jemi dakorduar do të ketë njerëz nga shoqëria civile dhe opozita në mënyrë që të jetë një veprim nacional dhe unifikues. Presim përkrahje të fuqishme për implementimin e këtij projekti, projekt ky integrues, i shpresës dhe besimit të qytetarëve në veri, por edhe shtrirjes së autoritetit të Kushtetutës dhe ligjeve në veri të Kosovës”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se përveç këtyre gjashtë grupeve, mund të formohen edhe të tjera, në rast se e kërkon nevoja.

Sipas tij, grupi i parë është ai i sundimit të ligjit, kthimit, dialogut dhe pajtimit ndëretnik, pastaj zhvillimi ekonomik, rivendosja e sistemit të reformimit të pushtetit lokal, shtrirja e shërbimeve publike si dhe komunikimi.

Lidhur me sundimin e ligjit, Thaçi ka thënë se angazhime konkrete do të ketë për rivendosjen e pikave kufitare 1 dhe 31, ruajtjen e zinxhirit komandues, funksionalizimin e gjyqësorit në veri, kthimin e pjesëtarëve në gjithë pronat dhe banesat, nxitjen e pajtimit ndëretnik, zhvillimin ekonomik dhe social, nxitjen e hapjes së vendeve të reja të punës, themelimin e Universitetit Evropian, identifikimin e projekteve zhvillimore për gjithë komunitetet.

Gjithashtu pjesë e angazhimeve do të jetë edhe krijimi i zonës së lirë tregtare, vendosja e sistemit të reformimit të pushtetit lokal, formimi Mitrovicës veriore, hapja e zyrave të komuniteteve, shtrirja e shërbimeve publike në veri, dokumentet e identifikimit, pasaportat, shërbimi kadastral, etj.

Ndërkaq pika e gjashtë që parasheh komunikimin, sipas Thaçi, nënkupton një fushatë vetëdijësuese në kuptimin edhe të brendshëm edhe ndërkombëtar dhe nxitja e projekteve të përbashkëta mes OQJ-ve, mediave etj.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka shprehur bindjen e thellë se do të këta angazhime konkrete, të cilat do të reflektojnë drejtpërdrejt në jetën më të mirë dhe më të sigurt për qytetarët në atë pjesë të Kosovës.

Ai u ka bërë ftesë edhe partive opozitare, që të jenë pjesë e këtij procesi në mënyrë që të arrihet një unitet në implementimin e strategjisë për veriun.

“Sot do tu dërgohet edhe ftesë partive opozitare që të japin kontributin e tyre që të jenë pjesë e këtyre grupeve punuese, sepse këto grupe dhe ajo që po angazhohemi duhet të jetë i përgjithshëm, unik dhe funksional”, ka thënë Thaçi.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Sadri Ferati ka mirëpritur këtë vendim, duke thënë se kjo është dëshmi që institucionet e Kosovës po i afrohen asaj pjese të vendit që të shtrijnë përkujdesjen për qytetarët e atjeshëm, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të përballen me grupe kriminale dhe me struktura paralel.

Ndërkaq Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi pas mbledhjes në një konferencë për media, ka thënë se konsolidimi i këtyre gjashtë grupeve do të bëhet ne ditët e ardhshme, meqenëse Qeveria duhet të pres nga opozita dhe shoqëria civile që ta dijë se kë po e delegojnë në këto grupe.

“Është me rëndësi që sot janë themeluar grupet. Janë gjashtë grupe të cilat do të udhëhiqen nga qeveria, ku do të jenë pjesëmarrës edhe partnerët tanë qeveritarë dhe ne besojmë se edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile, do t’i përgjigjën kësaj ftese për të marrë pjesë në këto grupe, meqenëse se kjo është një çështje që na përket të gjithëve dhe ka një karakter gjithëpërfshirës. Siç thash në ditët e ardhshme me siguri do të bëhet edhe finalizimi meqenëse ne presim të dimë se kush do të jetë edhe prej partive opozitare, shoqërisë civile e kështu me radhë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, këto grupe tani pas finalizimit të strategjisë për veriun, do të merren drejtpërdrejt me implementimin dhe përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të fushave të caktuara nga ana e grupeve të caktuara.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për rritjen e stafit në Agjencionin për Menaxhimiin e Pasurisë së Sekuestruar edhe për 17 pozita, ka miratuar edhe propozimin për inicimin e procedurës për hartimin e strategjisë nacionale dhe planit të veprimit për sigurinë në bashkësi, propozimin për ndryshimin e vendimit nr. 04/35 për pagesën e trajnerëve të angazhuar në Institutin e Kosovës për Administratë Publike dhe projekt-udhëzimin administrativ për procedurat e delegimit të përgjegjësive për skemën e ndihmave sociale në nivel komunal.

Qeveria ka miratuar gjithashtu Projektligjin për energjinë elektrike, ndërkaq ka lënë për t’u diskutuar më shumë ndërmjet ministrit Ahmet Shala, ministrit Arsim Bajrami dhe ministres Nekibe Kelmendi, kërkesa e kësaj të fundit për rritjen e stafit prej 84 pozita për minoritarët serbë si oficerë korrektues.

Ministri Arsim Bajrami ka thënë se për t’u kthyer në punë oficerët korrektues që janë larguar njëherë, duhet që të shpallet konkurs publik, ndërkaq Ahmet Shala ka thënë se rritja e numrit të tyre, duhet të planifikohet në Kuvend me planifikimin gjashtëmujor të buxhetit. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›