E Diel, 1 Nëntor 2026

Hani i Rufkisë

"…Unë shkoj në çajtore sepse atje mund të takohem më shumë me qytetarët që kanë halle. Nuk shkoj nëpër restorante ekskluzive vetëm pse jam bërë kryetar komune. Shpeshherë shokët më kritikojnë sepse po u duket që po e përul veten. Mirëpo, unë jam aty ku kam qenë gjithmonë. Me qytetarët. Rufki Suma …" Me farmerka e setër lëkure dallohet nga të gjithë kryetarët e tjerë të komunave, që zakonisht i shohim të veshur me kostume gri e kravata të kuqe, vetura luksoze e me truproje që ecin si hije mbrapa tyre.

Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, përpos imazhit tjetër fare, ka hyrë në historinë më të re politike të Kosovës si personi i vetëm që ka fituar garën për kryetar komune si kandidat i pavarur.

Fitoren thotë se ia solli modestia dhe paraqitja e realitetit.

Rufki Suma beson se ashtu siç edhe e ka filluar karrierën e tij me thjeshtësi, ashtu thotë se do të vazhdojë edhe më tutje. Arsyeja e vetme që e shtyri të sfidojë veten në një garë të tillë është që të bëjë një jetë më të mirë për qytetarët e Hanit të Elezit.

“Për nëntë vite të pasluftës unë kam qëndruar këtu. Me qytetarët e mi. Unë nuk kam dashur kurrë të lëshoj qytetin tim, por dua të punoj për të. Arsyeja që kam kandiduar për kryetar komune ka qenë që të bëj jetën më të mirë për qytetarët dhe besoj që jam në atë rrugë”, thotë kryetari Suma.

Ai pohon se nuk do të garonte për një mandat të dytë nëse do të shihte se punët e Hanit të Elezit kanë filluar të bien në terezi.

Me vetëm 1 milion e 250 mijë euro buxhet sa janë ndarë për këtë komunë, Suma beson se do të bëjë investime në qytetin e tij aq sa nuk janë bërë në nëntë vitet e pasluftës në këtë vend. Suma beson se kjo do të arrihet me ndihmën e madhe që i kanë ofruar organizata të ndryshme ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe Këshilli Evropian.

“Buxheti që do të investohet në projekte kapitale do të jetë rreth katër fish më i madh sesa ai që kemi të ndarë nga pushteti qendror. Kjo do të mundësohet nga ndihmat ndërkombëtare, që asnjëherë nuk kanë qenë më të mëdha sesa tani. Mendoj se arsyeja kryesore e këtyre investimeve është fakti që unë jam kandidat i pavarur. Organizatat ndërkombëtare kanë dëshirë që të dihet se kush ka investuar e jo të dalë ndonjë parti dhe të lavdërohet në emër të tyre”, thotë Suma.

Vetëm për vitin e ardhshëm është planifikuar që në Hanin e Elezit të fillojnë 15 projekte të mëdha, duke përfshirë këtu edhe ndërtimin e rrugës tetë kilometra Han i Elezit- Paldenicë.

Me gjithë punët e mëdha në zyrën e tij në Komunë, Suma thotë se ndan kohën për të dëgjuar edhe hallet e qytetarëve. Ai thotë se për çdo ditë në zyre pret më se njëzet palë qytetarë.

Megjithatë, Suma nuk heziton të dëgjojë hallet e tyre edhe nëse është duke pushuar në ndonjë çajtore të qytetit.

“Unë shkoj në çajtore sepse atje mund të takohem më shumë me qytetarët që kanë halle. Nuk shkoj nëpër restorante ekskluzive vetëm pse jam bërë kryetar komune. Shpeshherë shokët më kritikojnë sepse po i duket që po e përul veten. Mirëpo, unë jam aty ku kam qenë gjithmonë. Me qytetarët”, shton Rufki Suma.

Ai thotë se asnjëherë nuk harron edhe zyrën e tij të vjetër në objektin e ish-TMK-së.
Në këtë objekt, ai me xhelozi ruan çdo kujtim të kohës kur ai ishte komandant i TMK-së për Hanin e Elezit.

“Ne ende nuk e kemi shuar TMK-në. Ushtarët që janë edhe shokët e mi ruajnë me ndërrime këtë objekt. Kryejnë punët që i kemi bërë çdo herë. Po ashtu nuk kemi harruar as varrezat e dëshmorëve. Unë së bashku me ushtarët dalim dhe i pastrojmë çdo herë ato”, thotë kryetari Suma.

Ai pohon se nga janë 12 ushtarët të TMK-së, që së bashku me të nuk kanë pranuar të shkojnë në FSK e që tani ata kanë gjetur veten e tyre në ndonjë zyrë të komunës, për t’i shërbyer sërish ish-komandantit të tyre.

Asambleja Komunale e Hanit të Elezit përbëhet me nga gjashtë anëtarë të LDK-së dhe PDK-së dhe tre anëtarët të AAK-së.

Kryetari Suma qytetin e tij e bashkëqeveris me koalicionin LDK-AAK. Projekti i tij është që Hani i Elezit do ta bëhet një qytezë plotësisht urbane, me rrugë të asfaltuara, me kanalizim dhe me ujësjellës.

Ndihmë familjeve të dëshmorëve

Me një vendim të Asamblesë Komunale të Komunës së Elezit, pesë familje të dëshmorëve të rënë në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës kanë fituar pagën mujore me nga 150 euro. Kryetari i kësaj komune thotë se, edhe pse shteti nuk është kujdesur për ta, këto para janë të ndara nga vetë buxheti i Komunës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›