E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtetet e Bashkuara përgënjeshtrojnë kryeministrin Berisha



Vetëm pak minuta pasi kryeministri deklaroi dje se “nuk ekziston asnjë deklaratë e asnjë diplomati dhe e asnjë zyrtari se qeveria po pengon hetimet për Gërdecin”, ka ardhur dhe reagimi i zyrtarëve amerikanë të Ambasadës në Tiranë. Krejt ndryshe nga sa trumbetoi me të madhe e plot siguri kryeministri shqiptar, zyrtarë të Ambasadës kanë rikonfirmuar shqetësimin e tyre lidhur me hetimet e kësaj çështjeje. Një zyrtar i kësaj ambasade i tha dje “Albania”-s se jo vetëm shqetësimi i tyre është i fortë lidhur me hetimin, ndërsa ka theksuar se një gjë e tillë nuk është bërë e ditur vetëm gjatë takimit të analistëve me diplomatin, porse ky shqetësim i është shprehur edhe qeverisë shqiptare. ”Takimi midis diplomatit amerikan dhe përfaqësuesve të medias është bërë pasi shumë përfaqësues të saj kanë qenë pjesëmarrës. Çështjet e ngritura nuk janë të reja, por janë diskutuar shpesh midis Ambasadës Amerikane dhe qeverisë shqiptare”, - ka deklaruar dje zyrtari amerikan për “Albania”-n. Ky pohim i zyrtarit të Ambasadës Amerikane në Tiranë duket se i vë kapakun jo vetëm përpjekjeve të qeverisë për të vënë nën kontroll hetimet, por edhe përpjekjeve të saj për të fshehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me këtë fakt. Jo më larg se dje kryeministri shqiptar deklaroi me siguri të plotë se nuk ekzistonte asnjë shqetësim i ndonjë diplomati amerikan në Tiranë lidhur me ndërhyrjen e qeverisë në dosjen “Gërdeci”. Por jo më larg se disa minuta pas kësaj deklarate, një tjetër zyrtar amerikan e ka hedhur poshtë këtë deklaratë të kryeministrit, duke rikonfirmuar shqetësimin e Shteteve të Bashkuara. Dje, Berisha, ndërsa e mohoi kategorikisht këtë fakt, u ndje i çuditur nga pyetja e gazetarit dhe i konsideroi si trillime dhe keqinterpretime. ”Ky është një dezinformim. Ju këshilloj t'i lexoni mirë deklaratat. Së dyti, qeveria ka dhënë të gjithë ndihmën që i takon të japë. Janë marrë të gjitha masat administrative ndaj të gjithë personave potencialisht ose direkt të lidhur me këtë ngjarje. Qeveria ka plotësuar çdo kërkesë të bërë. Së treti, qeveria ka bërë kërkesa të caktuara në vendet mike për të kontribuuar në zbardhjen e së vërtetës së këtij hetimi. Këto mund të bëjë qeveria, hetimin nuk mund ta bëjë dot. Ata që mendojnë se qeveria ka penguar hetimet, po trillojnë. Nëse ka institucion më të interesuar për zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, ajo është qeveria shqiptare”, - deklaroi dje kryeministri, ndoshta pa e menduar se kjo deklaratë e tij do ta kishte jetën e saj vetëm pak minuta, pasi menjëherë një zyrtar amerikan konfirmoi shqetësimin lidhur me çcështjen në fjalë.

16 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›