Qeveria, 15 kalendarë pune për detyrat e integrimit
Secili nga 15 ministrat e qeverisë do t’i dorëzojë ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, kalendarin e punës së çdo dikasteri për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Brukseli për anëtarësimin e plotë në BE. E gjithë puna e tyre do të verifikohet nga ministrja Bregu dhe nën mbikëqyrjen e plotë të kreut të qeverisë, Sali Berisha. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Sali Berisha kërkoi vijimësinë e praktikës të vitit të kaluar, ku secila ministri duhet të paraqesë programin e punës për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga progres-raporti i KE-së për Shqipërinë. "Ne u premtojmë shqiptarëve se qeveria do të bëjë gjithçka për të përshpejtuar procesin e integrimit të tyre në BE", - tha kreu i qeverisë. Kryeministri Berisha analizoi dje në Këshillin e Ministrave progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2009. Kryeministri e cilësoi progres-raportin një dokument bazë për të gjitha institucionet e vendit për reformat që duhet të ndërmarrin. Kryeministri e konsideroi Progres-Raportin 2009 si raportin më të mirë të lëshuar për Shqipërinë, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në vlerësimet që raporti i bën demokracisë në vend dhe procesit të fundit zgjedhor. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha u shpreh: “Në vetvete, ky raport është më i miri që është lëshuar ndonjëherë për Shqipërinë. Kjo, sepse raporti dëshmon se në Shqipëri demokracia funksionon dhe vlerësimi që i bëhet procesit zgjedhor në vendin tonë, është unik, i pari i këtij lloji, në dallim nga të gjitha raportet e tjera dhe përbën një arritje të madhe për çdo qytetar shqiptar dhe vendin në tërësi”. Z. Berisha përmendi se në raportin e KE-së, bazuar në raportin e watchdog-ut ndërkombëtar, OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës, rezulton se zgjedhjet në Shqipëri përmbushën zotimet kryesore të OSBE-së, kushti më kryesor ky për një demokraci funksionuese. “Në këtë kontekst, - u shpreh Berisha, - Shqipëria del nga lista e vendeve ku renditej më parë me zgjedhje problematike, me zgjedhje që përmbushnin vetën pjesërisht standardet ose me zgjedhje që nuk përmbushnin standarde”. “Këtu një kontribut të madh dhanë të gjitha qytetarët shqiptarë, dhanë miqtë e Shqipërisë kudo në botë, dhanë forcat politike, dha opozita shqiptare që sot bojkoton Parlamentin, por që mori pjesë në zgjedhje, përzgjodhi sistemin zgjedhor dhe pati zërin kryesor në Kodin aktual Zgjedhor”, - theksoi Kryeministri i vendit. Kryeministri bëri të qartë se edhe për një seri problemesh që ngrihen në raport, do të ketë një shqyrtim të qenësishëm nga secila ministri dhe çdo institucion i vendit.