Qeveria heq doganën për makinat
Çdo qytetar që do të importojë një makinë nga jashtë, në doganë do të paguajë vetëm TVSH-në. Pas kësaj, çdo detyrim i tij me doganën ka përfunduar. Financat kanë hequr përfundimisht taksën për importin dhe shitjen e makinave në vend.
Formula e re
Formula e re rrëzon atë që zbatohet aktualisht, e cila e ka lënë tregun në ngërç për shkak të detyrimit që qytetarët që donin të shisnin apo blinin një makinë, duhet të paguanin. Burime nga qeveria thanë dje për gazetën se drafti i ri ka përfunduar dhe përmban në vetvete një formulë më të thjeshtuar, por edhe më favorizuese për qytetarët. I diskutuar prej shumë muajsh, ky draft ka mbërritur në këtë përfundim për heqjen e taksës së importit dhe shitjes së makinës brenda vendit pas konsultimit me një seri shembujsh dhe eksperiencash të huaja të mara si referencë për të gjetur mënyrën më të mirë të adoptimit të kësaj takse dhe zbatimit të saj në vendin tonë. Me draftin e ri, një qytetar që kërkon të importojë një makinë nga jashtë shtetit nuk do të paguajë zhdoganimin dhe nëse vendos që në një moment të dytë ta shesë këtë makinë sërish, nuk do ti duhet që të paguajë ndonjë tarifë. Të njëjtat burime nga qeveria bëjnë me dije se drafti i ri që pritet që shumë shpejt të miratohet, mbart në vetvete formulën e nxitjes së importimit të makinave të reja dhe dekurajimit të atyre të vjetra, një karakteristikë që në fakt e ka edhe ligji që zbatohet aktualisht. Nevoja për një ligj të ri për shitjen e makinave të përdorura brenda vendit erdhi pas ngërçit që pësoi tregu që me miratimit e ligjit aktual. Kjo në fakt bie në sy edhe nga treguesit fiskalë të katërmujorit të këtij viti. Taksa mbi transaksionin e makinave të përdorura: të ardhurat nga kjo taksë janë në renie me 22.2 për qind, kundrejt periudhës janar/prill 2010, thuhet në treguesit e Financave. Me fillimin e zbatimit të ligjit për shitjen e makinave të përdorura brenda vendit vjet shitjet ranë në mënyrë të ndjeshme. Shumica e njerëzve preferonin që në vend të një kontrate të lëshonin me prokurë përdorimin e makinës, çka do të bënte të mundur që asnjëra nga palët, si blerësi dhe shitësi, të mos paguanin një dorë të mirë parash.
Formula sot
Por çfarë detyrimesh paguan sot një qytetar që kërkon të shesë makinën brenda vendit. Ligji parashikon taksimin për të gjitha shitjet e njëpasnjëshme që mund të pësojë një mjet. Formula e përllogaritjes së taksës në këtë rast është cilindrat në cm3 x koeficient fiks për çdo vit përdorimi dhe taksë fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse do të jetë 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën, koeficienti për vitet e përdorimit, 0.5 për autoveturat për çdo vit përdorimi dhe 0.25 për mjetet e tjera. Në rastet e shitjes brenda vendit të automjetit, taksa vilet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Për mjetet që kanë paguar taksën në doganë dhe pësojnë shitje të tjera brenda vendit, ligji parashikon që taksa të jetë diferenca ndërmjet taksës së llogaritur në çastin e shitjes brenda vendit dhe asaj të paguar në doganë.
22 për qind
kanë rënë të ardhurat nga taksa mbi transaksionin e makinave të përdorura për periudhën janar-prill të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto janë treguesit fiskalë të Ministrisë së Financave.
Shembujt per shitjen dhe importin e makinave
Shembulli për importin e makinës
Një qytetar ka një makinë nafte e prodhuar në vitin 2008, me cilindratë 2500 kubik. Me formulën në fuqi qytetarit i duhet që të paguajë këtë taksë në doganë.
Formula: taksë fikse x cilindrata e motorit x koeficienti i viteve të përdorimit x 0.5 në vit.
Pra, tarifa do të ishte: 25 x 2500 x 0.5 x 3 vite.
Me formulën e re qytetari do të paguajë 93 750 lekë.
Shembulli për shitjen e makinës brenda vendit
Një qytetar ka blerë jashtë Shqipërisë në vitin 2008 një makinë me naftë, të vitit 1996. Makina ka një cilindratë prej 2500 kubik. Ai e ka zhdoganuar makinën në bazë të formulës së vjetër që ishte në fuqi para qershorit të 2010-s, vlera e të cilës llogaritej:
Taksa fikse x cilindrata e motorit x koeficienti i viteve të përdorimit. Pra, formula në këtë rast ka qenë, taksa fikse për automjetet me naftë, 25000 lekë shumëzim për cilindratën 2500 shumëzim për kofeicientin e makinave mbi 10-vjeçare 0.0048.
Qytetari ka paguar 300 mijë lekë doganë për makinën e importuar në vitin 2008.
Në rast se sot ky qytetar do të dojë të shesë makinën, atëherë ai duhet të paguajë edhe taksën e mjedisit. Por, duke qenë se qytetari e ka paguar një herë doganën, atëherë taksa shtesë që duhet të paguajë ai llogaritet nga shuma e taksës së mjedisit për vitin 2010 duke zbritur vlerën doganore të paguar në vitin 2008.
Sot, taksa e mjedisit për një makinë të viti 1996 llogaritet me formulën e re:
taksë fikse x cilindratë x koeficientin fiks 0.5 për çdo vit vjetërsie. Pra, formula për këtë rast është, taksa fikse 25 shumëzohet me cilindratën, që është 2500, shumëzohet me koeficintin 7.5 (Koeficienti llogaritet duke shumëzuar vjetërsinë e makinës, (makina është prodhuar në vitin 1996 dhe po shitet në vitin 2011) pra 15-vjeçare me 0.5 që është koeficienti për çdo vit vjetërsie.
Formula jep shifrën 437500 lekë. Në momentin e shitje së makinës, qytetari që e blen sot paguan diferencën e taksës, 4680750 me doganën e makinës së paguar në vitin 2008, 300 mijë lekë.
Pra, kur të shitet makina, do të duhet të paguhen edhe 168 750 lekë shtesë.
Financat ishin kundër: Do të kthehemi në varrezë
Heqja e taksës për shitjen e makinave të përdorura brenda vendit ka qenë një nga përplasjet që Kryeministri Berisha ka pasur me ministrin e Financave, Ridvan Bode. Në muajin mars Berisha kërkoi që të hiqet taksa e shitjes, pasi vlerësohet se ka sjellë probleme në treg. Por kjo kërkesë nuk u prit mirë nga ministri i Financave, Bode, i cili solli si argument faktin që heqja e taksës së shitjes mund ta kthente vendin tonë në një varrezë makinash të vjetra. Ligji i cili zbatohet aktualisht që në momentin që u publikua si draft, u lakua si një ligj që do të dekurajonte përdorimin apo importimin e makinave të përdorura. Formula e Financave favorizon makinat e reja dhe ngarkon detyrime më të mëdha për ato që kanë më shumë vite në përdorim.
Ankesat e qytetarëve te deputetët e maxhorancës
Problematika e shitjes së makinave të përdorura brenda vendit u ngit edhe nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese dhe më saktë nga kreu i këtij komisioni, Jemin Gjana. Në një nga takimet e zhvilluara me Grupin Parlamentar të PD-së, kryeministri Sali Berisha dëgjoi edhe kërkesën e Gjanës për një ligj të ri të shitjes së makinave të përdorura që do të zhbllokonte tregun nga situata në të cilën ka mbetur. Shqetësimi i qytetarëve për situatën e krijuar pas hyrjes në fuqi të ligjit ishte aq i madh, sa e ngritën si problematikë te deputetët e tyre për të marrë një zgjidhje lidhur me këtë problem. Ndërkaq, një ngërç në tregun e shitjes së makinave e kanë konfirmuar dhe vetë noterët, të cilët janë shprehur se më shumë bëhen prokura sesa kontrata shitjeje, çka qartëson faktin pse kanë rënë të ardhurat nga taksa e shitjes.
NERTILA MAHO