Qeveria i heq fondet Beratit e Korçës, ia jep Shkodrës

Konflikti/ Qeveria i heq Bashkisë së Beratit fondet për Tregun Industrial. Vendorët dhe deputetët ftojnë qytetarët në protesta
Fronti i konflikteve midis qeverisë dhe pushtetit vendor, tashmë ka marrë përmasa të reja. Pas konfliktit për kompetencat e pushtetit vendor, Qeveria Berisha ka miratuar vendimin për t'u marrë bashkive fondet e investuara nga Banka Botërore dhe për t'i adresuar ato në qarkun e Shkodrës.
Një gjë e tillë ka bërë që të reagojnë Bashkia e Beratit dhe ajo e Korçës, në të cilat Banka Botërore ka investuar për to. Kështu qytetit-muze i hiqet një financim prej 56 milionë dollarësh ndërkohë që Korçës i hiqen 560 000 dollarë.
Berat, hiqet financimi për tregun industrial
Kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi, dhe deputetët socialistë Erion Braçe e Ermonela Felaj, kanë dhënë një konferencë për shtyp pas vendimit të marrë nga qeveria. Në të u bë e ditur se Tregu Industrial në qytetin e Beratit është një projekt i financuar nga Banka Botërore në shumën prej 75 780 000 mijë lekësh, projekt i mbështetur nga vetë përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Camile Nuamah, e cila ka qenë në Berat dhe e ka parë situatën nga afër.
Miratimi për projektin e tregut ka marrë miratimin edhe nga qeveria shqiptare, madje ka një marrëveshje të nënshkruar më 21 mars 2007, midis qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore, financim që kap shumën 56 milionë dollarë, i detajuar për tre faktorë të rëndësishëm, ku bëjnë pjesë plani rregullues i qytetit, regjistri i pronave dhe investimet në infrastrukturën bashkiake, fondet për të cilat u janë adresuar ministrive përkatëse.
Në projektin për investimet në infrastrukturën bashkiake, mes tre projekteve me shifër deri në 800 mijë dollarë, Bashkia e Beratit konkurroi dhe fitoi mes disa bashkive projektin për Tregun Industrial, investim ky që është në fazën e fillimit të zbatimit. Gjatë konferencës u dhanë detaje në të cilat vërtetohet miratimi i këtij investimi.
Nga ana e saj, Bashkia e Beratit, sipas kryebashkiakut Nasufi, ka akorduar 30 % të buxhetit në shumën 22,74 milionë lekë dhe ka përfunduar të gjitha procedurat e dosjes së projektit ku bën pjesë edhe leja e Ministrisë së Mjedisit. Pikërisht kur qytetarët prisnin fillimin e punimeve, kryeministri ka urdhëruar adresimin e fondeve drejt Shkodrës.
Nasufi dhe Braçe ftojnë qytetarët në protesta
Për kryebashkiakun Nasufi, i cili nëpërmjet një letre ka bërë me dije kryeministrin dhe përfaqësuesen e Bankës Botërore Nuamah, kjo është një absurditet. "Ndërtimi i Tregut industrial në Berat është projekt parësor. Përfitues të drejtpërdrejtë janë 308 subjekte ambulante, që kanë 20 vjet që punojnë me tezga, çadra dhe terren të hapur, në shi e në diell, e që i zhvendosin çdo ditë në krah mallrat që tregtojnë.
Ndaj është hipokrizi nga ana e qeverisë që të përdorësh si kredenciale termat "Berati 2400-vjeçar", "Berati në UNESKO" kur këtë qytet si qeveri e asfikson financiarisht, që edhe prezencën e donatorëve të huaj e largon ose e orienton për qëllime të mirëfillta politike në bastione apo krahina të preferuara për qeverinë e zotit Berisha", - u shpreh Nasufi.
Deputeti Erion Braçe ironizoi duke i quajtur investimet e Berishës në Berat për tregje të tipit "geto", siç edhe janë në të vërtetë tregjet aktuale. Braçe e cilësoi vendimin e qeverisë për heqjen e fondeve për tregun si një hakmarrje ndaj qytetarëve të Beratit dhe ftoi qytetarët më 10 prill në një protestë deri në bllokimin e rrugës nacionale Berat - Lushnjë.
"Bashkia e Beratit ka fituar një projekt në mënyrën më konkurruese të mundshme mes gjithë bashkive të tjera, që kanë marrë pjesë në këtë garë dhe thjesht e vetëm për shkak të fobisë që Sali Berisha ka ndaj qytetarëve të Beratit, për shkak të urrejtjes që ky njeri ka ndaj qytetarëve të gjithë Qarkut të Beratit, që nuk e votojnë prej 20 vjetësh, për shkak të këtyre veprimeve që ai ka ndërmarrë ndaj tyre, nartyrisht që po bën një akt të pashembullt, të paprecedent, që në fazën përfundimtare të fillimit të punimeve, t'u heqë qytetarëve të Beratit një projekt zhvillimi kaq të rëndësishëm, siç është Tregu Industrial",- u shpreh Braçe dhe shpalli datën 10 prill ditë proteste në Berat.