Dilemat e piramidës
Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, "Pjetër Arbnori", prej një viti vishet dhe zhvishet me pllaka majolike
Drejtori, Buçpapaj: S'mund të ndërhyjmë. Kompetenca jonë është vetëm firmosja e preventivit të punimeve
Duhen pllaka të bardha, apo një ngjyrë tjetër? Duhet të jenë prej mermeri apo mjafton që të duken si të tilla? Këto ndoshta janë disa nga pyetjet që projektuesit e fytyrës së re të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës "Pjetër Arbnori" kalojnë nëpër mendje teksa qepin dhe shqepin fasadën e saj.
Njësoj si një vajzë adoleshente që është e pavendosur se cilin fustan do të vesh në mbrëmjen e maturës dhe kalon nëpër duar shumë syresh, e në fund zgjedh diçka jo shumë të përshtatshme, po sillen edhe ata që kanë marrë përsipër të veshin piramidën.
U bënë disa muaj që ballina e Qendrës së njohur ndryshe si Piramida është e zhveshur nga pllakat e mermerit që e kishin mbuluar që nga koha e ndërtimit të saj më 1986. Ndërsa brendia e saj, si një qendër multifunksionale ka marrë paksa formë, nuk mund të themi të njëjtën gjë për pamjen e jashtme të saj. Përpara disa muajsh, një pjesë e fasadës së Piramidës u vesh me pllaka të bardha, nga ato që rëndom përdoren për dekorime të ambienteve shtëpiake (!).
Përse u bë një gjë e tillë? Sipas drejtorit aktual të Qendrës "Arbnori", Mujë Buçpapaj, kjo ishte thjesht një provë e arkitektit të projektit, për të parë se si do të dukej fasada me këtë apo atë pllakë. Kjo veshje e përkohshme prej qeramike të dorës së fundit, qëndroi në muret e piramidës vetëm për pak javë, pasi para disa javësh dhe këto pllaka u hoqën, duke i dhënë godinës një pamje edhe më të keqe nga ajo që i jepnin pllakat majolike.
Ende në muret e jashtëm të godinës mund të dallohen format katërkëndëshe ,që kanë lënë pllakat e hequra, gjë që e bën Piramidën të duket më keq se një kuti shahu, e shpëlarë nga ngjyrat dhe e veshur e gjitha në gri.
Sipas Buçëpapajt, në kontratën për rikonstruktimin e Piramidës thuhet qartë se ajo do të vishet më pllaka graniti gri (pak a shumë të ngjashme me pllakat e mëparshme), por se përse ndërtuesit nuk po i përmbahen kësaj kontrate ende nuk dihet. Në këtë punë QNK-ja vetë është thjesht një vëzhgues, roli i të cilit është të presë e të shohë se çfarë do të ndodhë.
Vetëm në fund të punimeve drejtuesit e QKK, do të japin një vendim, dhe në këtë rast Buçëpapaj thotë se e vetmja kompetencë e tij është që në fund të punimeve të firmosë preventivin e projektit. Për sa i përket institucionit që ka në varësi këtë projekt, Ministrisë së Kulturës, aty nuk mund të marrësh një përgjigje.
Zinxhiri burokratik i marrjes së informacionit është aq i gjatë sa ndoshta më parë do të përfundojnë punimet në Piramidë se sa do të ketë një përgjigje nga ky institucion. Shuma që kjo Ministri ka akorduar për shndërrimin e Piramidës është 700 milionë lekë, një shifër jo e vogël, karshi të cilës nuk mund të rrijë indiferente ministria.
unonjësve, punimet përkohësisht janë ndërprerë, pasi ministria do të rishikojë sërish projektin e firmës shqiptaro-franko-amerikane, "Louis Berger", por edhe ky lajm nuk konfirmohet nga vetë institucioni.
Fituesja e projektit për Piramidën, në vitin 2007-të, u shpall firma shqiptaro-franko-amerikane, "Louis Berger", ndërsa tenderi për zbatimin e tij u fitua nga firma greko-shqiptare, "Orion SA & AK & Art", e cila në bazë të kontratës do të kryejë punimet për 16 muaj.
Punimet ishin parashikuar që të përfundonin në verën e vitit 2010-të (mbeten më pak se katër muaj deri në këtë kufi, dhe përfundimi i plotë i projektit duket se do të shtyhet edhe për pak kohë). Tek e fundit në vendit tonë ndodh shpesh që një projekt të përfundojë një ose dy vite pas afatit të përcaktuar.
Piramida është projektuar si ndërtesë në vitin 1986-të nga Klement Kolaneci, fillimisht si muze për Enver Hoxhën, por pas vitit '91 mori emrin Qendër Ndërkombëtare e Kulturës. Vetëm në gusht të vitit 2006-të, QNK ka marrë emrin e shkrimtarit, politikanit dhe disidentit të njohur shqiptar, Pjetër Arbnori, pas një vendimi të qeverisë "Berisha".