Qeveria i quan qytetarët të pandërgjegjshëm

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për anulimin e ceremonisë së përurimit të Autoudhës së Kombit, sot në orën 10:00, që ishte edhe moment i shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Anulimi ndodhi për shkak të ndërhyrjes së një grupi qytetarësh të pandërgjegjshëm, që demoluan vendin ku duhej të mbahej ceremonia, thuhet në komunikatën për opinion të Qeverisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës falënderon qytetarët e shumtë, që kishin ardhur për të festuar, në veçanti falënderon dhe u kërkon mirëkuptim për ndërprerjen e ceremonisë kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, Presidentes Jahjaga, ambasadores amerikane në Prishtinë, Jacobson, ambasadores së Turqisë në Prishtinë, Ozan, dhe shumë personaliteteve të tjera vendore dhe ndërkombëtare, që ishte paraparë të mbanin fjalë rasti në këtë ceremoni.
Qeveria konsideron se është kohë feste kombëtare dhe secili duhej dhe duhet të jemi të përmbajtur, që ta ruajmë këtë atmosferë festive.
Qeveria e Republikës së Kosovës uron qytetarë e Kosovës për hapjen e Autoudhës së Kombit Prishtinë-Tiranë, kësaj vepre me rëndësi infrastrukturore, por edhe të rëndësisë së zhvillimit dhe emancipimit kombëtar.
Ta gëzojnë qytetarët me fat këtë rrugë dhe rrugëtimin tonë kombëtar në shekullin e ri të pavarësisë kombëtare dhe integrimeve euroatlantike, përfundon komunikata.
Edhe presidentja Atifete Jahjaga ka shprehur keqardhjen për anulimin e përurimit të shumëpritur të Udhës së Kombit, si pasojë e protestës së një grupi qytetarësh në fshatin Gjurgjicë.
“Përurimi i Udhës së Kombit “Ibrahim Rugova”, veprës të përbashkët madhore, është përmbushje e një ëndrre dhe synimi të kamotshëm. Autostrada është realizim i vizionit tonë për lidhje me korridoret evropiane që rrëzon përfundimisht barrierat mes nesh, thuhet në një komunikatë shtypi të Zyrës së Presidentes.
“Shprehim keqardhjen tonë që një vepër kaq madhore u pamundësua sot të përurohet”.
Presidentja Jahjaga i ka ftuar qytetarët të shfaqin maturinë që e ka karakterizuar shoqërinë kosovare përballë sfidave shumë të rënda në të kaluarën dhe “t’iu besojnë institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e përgjegjësive të tyre”. / Indeksonle/