E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria kallëzon kryebashkiakun e Durrësit, Berisha “harron” dosjet për ish-kryebashkiakun KokaNga TemaQeveria vijoi dje sulmet ndaj përfaqësuesve vendorë të Partisë Socialiste, kësaj radhe duke kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë së Durrësit.

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Qeveria kallëzon kryebashkiakun e Durrësit, Berisha “harron” dosjet për ish-kryebashkiakun KokaNga Tema

Qeveria vijoi dje sulmet ndaj përfaqësuesve vendorë të Partisë Socialiste, kësaj radhe duke kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë së Durrësit.

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, që po udhëheq këtë fushatë, tha se kryetari i kësaj bashkie ka lejuar një pallat që të shtojë shtatë kate më shumë sesa leja e marrë.

“Doja t’ju njoftoja se Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ka depozituar në prokurorinë e rrethit Durrës një kallëzim penal në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako.

Objekti i kallëzimit është ky pallat, i cili ka 9 kate mbi lejen e ndërtimit.

Pallati sot ka mbërritur në 21 kate, ndërkohë që leja fillestare, e dhënë në vitin 2001 nga ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, z. Miri Hoti, ka qenë fillimisht për 12 kate, më pas me një shtesë mbi lejen në vitin 2003 janë akorduar dhe 2 kate të tjera, pra nga 12 kate ka vajtur 14 kate.

Ndërkohë, ndërtuesi ka shtuar mbi 12 katet tashmë të shitura dhe ku banojnë qytetarë me familje, edhe 7 kate”, - tha Olldashi.

Por ka qenë vetë ministri që ka deklaruar se Bashkia e Durrësit ka miratuar një vendim për prishje.

“Për këtë pallat Bashkia e Durrësit ka marrë një vendim për prishje dhe e keqja është se ky vendim për prishje nuk po ekzekutohet.

Në analizën e ekspertëve të Inspektoratit Kombëtar Urbanistik ky pallat është më një rrezikshmëri shumë të lartë për jetën e banorëve që janë brenda tij.”

Ndërkohë, gjatë një konference kryebashkiaku Dako ka sqaruar se firma përkatëse që ka ndërtuar pallatin në fjalë është paditur në prokurori, e cila tashmë ka regjistruar procedimin penal ndaj firmës. Nga ana tjetër, sipas Dakos firma është gjobitur edhe me 10 milionë lekë për shkeljen e lejes. Ai ka sqaruar se nuk është neglizhuar vendimi për shembjen e kateve shtesë, por për këtë më parë Këshilli Bashkiak i Durrësit duhet të miratojë shumën që nevojitet për të ndërhyrë në këtë ndërtesë. Sipas tij, sapo të zyrtarizohet kjo, do të nisë edhe ndërhyrja.

Shtesat e pallateve

Të gjithë kujtojnë para disa kohësh, kur Bashkia e Tiranës dilte në konferenca për shtyp për të treguar se shumë pallate po shtonin katet pa kriter, për shkak se kjo gjë stimulohej nga qeveria që nuk ndërhynte.

Problemi nuk u ngacmua dhe qeveria u shpreh se mund të legalizoheshin të tilla shkelje.

Vetë qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim, pasi, nëse do të duhet të vepronte, duhej të shembte pallatin e Aleksandër Frangajt që ka disa kate pa leje.

Megjithatë, “TemA” risjell sot një deklaratë të bërë para tre vjetësh nga kryeministri, ku kërkohej që të shkonte në burg ish-kryebashkiaku i Durrësit, Lefter Koka, për shkak të një ndërtimi. Sot kjo akuzë është harruar, pasi kryeministri e ka Kokën në shtëpinë politike. Fakti që nuk ka asnjë aksion dhe qëndrim serioz dhe gjithëpërfshirës ndaj kësaj çështjeje, bën që fushata të jetë thjesht politike.

Berisha: Gjyq Kokës për “monstrën” 24 kate

26 maj 2006

Kryeministri Berisha kërkoi dje në mbledhjen e KRRTRSH ndjekje penale për kryetarin e Bashkisë se Durrësit, Lefter Koka, dhe për anëtarët e KRRT së këtij qyteti. Shkak për këtë, sipas tij, është dhënia e një lejeje ndërtimi nga KRRT e qytetit të Durrësit për godinën me tri kulla, me nga 4, 23 dhe 24 kate, si dhe me 2 kate nëntokë në rrugën “Taulantia”, të marrë përsipër nga firma ndërtuese “SIG”. Kjo leje është vlerësuar nga kryeministri si në kundërshtim me ligjin.

Sipas zotit Berisha, kjo leje ndërtimi “ka shkatërruar anën muzeale të qytetit të Durrësit” dhe konkretisht objektin e Amfiteatrit të qytetit. Berisha nuk ka nguruar ta vlerësojë objektin 23-katesh si një “përbindësh” që po mbyt amfiteatrin. Kryeministri Berisha kërkoi që ky ndërtim të prishet dhe të zhdëmtohet çdo objekt historik që është dëmtuar si pasojë e tij. “Mediet kanë informuar në mënyrë të përsëritur për varrosjen e vlerave të mëdha kulturore nga ky pallat përbindësh. Nuk mund të ketë asnjë ndërtim ngjitur me Koloseun dhe me pjesën më të çmuar të qytetit. Kjo duhet të jetë çështje e një analize shumë serioze”, - ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, leja e ndërtimit në fjalë është një ndëshkim për qytetin e Durrësit dhe kjo do të thotë se ata që e kanë dhënë, “nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e këtij qyteti të mrekullueshëm, e kësaj trashëgimie shumë të madhe që kemi në atë qytet”. Berisha ka urdhëruar ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, që të mbikëqyret objekti në ndërtim dhe të hiqet çdo lopatë betoni e hedhur për ndërtimin e pallatit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›