PS bëhet anëtare e Partisë Socialiste Evropiane, Rama zgjidhet anëtar i PresidencësNga TemaPartia Socialiste e Shqipërisë është zgjedhur dje anëtare e Partisë së Socialistëve Evropianë, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është zgjedhur a
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
PS bëhet anëtare e Partisë Socialiste Evropiane, Rama zgjidhet anëtar i PresidencësNga TemaPartia Socialiste e Shqipërisë është zgjedhur dje anëtare e Partisë së Socialistëve Evropianë, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është zgjedhur anëtar i Presidencës së PES.
Martin Schulz, kryetar i grupit socialist në Parlamentin Evropian, e quajti një sukses anëtarësimin e PS në këtë organizatë. Schulz shprehu mbështetje për kryetarin e PS dhe për nismat e tij në mbrojtje të demokracisë në vend.
“Sot, në Pragë, Kongresi i Partive Socialiste asocioi Partinë Socialiste në familjen evropiane socialiste. Ky është një sukses i madh për të gjithë ne. Është mbi të gjitha një sukses për ju dhe për Shqipërinë, pasi është një hap më tej i juaji drejt Evropës.
Ne, socialistët evropianë, besojmë se Partia Socialiste e Shqipërisë është një anëtar i ri i fortë dhe i rëndësishëm për familjen tonë. Ka shumë gjëra që duhen bërë në vitet që do të vijnë. Na duhet të përmirësojmë më tej jetën e qytetarëve tanë në të gjithë Evropën, e sidomos në vendin tuaj.
Ajo për të cilën ne kemi nevojë është demokracia, drejtësia sociale dhe respekti për shtetin ligjor, parime këto të rëndësishme sidomos për Shqipërinë në këto momente. Ndaj më lejoni t’ju uroj më të mirat të dashur miq, shokë e shoqe në Shqipëri, urimet më të mira Edi Ramës, kryetarit të Partisë Socialiste dhe gjithë anëtarëve të kësaj partie që luftojnë sot për parimet tona të përbashkëta: demokracinë, drejtësinë sociale dhe shtetin ligjor”, - tha Schulz.
Ndërkohë, edhe Presidenti i PES, Poul Nyrup Rasmussen, e quajti historik anëtarësimin e PSSH në familjen e socialistëve evropianë.
“Sot është një ditë historike. Në emër të PES unë i uroj mirëseardhjen Partisë Socialiste të Shqipërisë në familjen evropiane të socialistëve. Shpresoj që ju do të dini të ecni përpara duke përdorur të gjitha mjetet demokratike, ashtu si ne të gjithë bëjmë brenda familjes sonë.
Ju uroj edhe njëherë e shpresoj që të mund të bashkëpunojmë për të mirën e Shqipërisë”, - tha Rasmussen.
Rama: U mbështetën kërkesat tona për zgjedhjet, kërkova përshpejtimin e liberalizimit të vizave
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur pas anëtarësimin në Partinë Socialiste Evropiane, tha se ky është një rast i mirë që ata të ngrenë zërin e tyre dhe të dëgjohen nga socialistët evropianë.
“Unë jam sot shumë krenar që ne kemi paskëtaj, jo vetëm të drejtën, por edhe të gjitha mundësitë që të ngremë zërin dhe të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet në këtë strukturë të socialistëve dhe progresistëve evropianë, që ka zëdhënësit e vet në Parlamentin Evropian dhe mishëron idealet e këtij shekulli, duke përfaqësuar të gjitha Partitë Socialiste dhe progresiste të BE, dhe duke pasur në përbërjen e saj të gjithë liderët socialistë dhe progresistë që kanë drejtuar, drejtojnë dhe do të drejtojnë vendet e BE, dhe që sjellin në këtë parti eksperiencën e jashtëzakonshme dhe fuqinë e jashtëzakonshme të së majtës evropiane”, - tha Rama.
Drejtuesi socialist tha gjithashtu se PSE ishte shprehur në mbështetje të kërkesave të tyre, por shtoi gjithashtu se kishte kërkuar nga ata që të ndikojnë që Shqipëria të liberalizojë sa më shpejt vizat me BE.
“PSE është shprehur qartë në mbështetje të PSSH, në mbështetje të kërkesave tona legjitime, për të bërë transparencën e plotë të procesit elektoral të 28 qershorit, në mbështetje të një hetimi të thellë dhe të plotë parlamentar, duke filluar nga transparenca e kutive të votimit. Është shumë e rëndësishme sot, që socialistët dhe progresistët shqiptarë kanë marrë këtë mbështetje dhe duke filluar nga sot ne jemi pjesë e kësaj Partie Socialiste të evropianëve në gjithë hapësirën e BE, e cila mbron të drejtat tona, e cila është avokate e lirive dhe njëkohësisht e të gjitha të drejtave ligjore, kushtetuese, qytetare të të gjithë atyre që e përbëjnë këtë forcë të madhe.
Po ashtu, unë jam shumë krenar, sepse sot ne kemi marrë edhe një mbështetje të plotë edhe nga PSE, për qëndrimin tonë lidhur me domosdoshmërinë që procesi i liberalizimit të vizave të përshpejtohet në nivelin e BE dhe që Shqipëria e shqiptarët të mos paguajnë asnjë kosto për një proces politik të mbërthyer nga një ngërç i madh, që është marrë peng nga pushteti i Sali Berishës, por përkundrazi të lëvizin lirisht një orë e më parë si gjithë të tjerët në Ballkan, kur për fat të keq ne kemi mbetur të fundit”, - tha Rama.
LSI: PSE nuk ka miratuar rezolutë për Shqipërinë
Edhe pse drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste Evropiane u shprehën në favor të kërkesave të Partisë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Petrit Vasili, tha dje se PSE nuk ka votuar asnjë rezolutë për Shqipërinë. Gjithashtu LSI ka deklaruar se PS nuk është bërë anëtare me të drejta të plota në PSE, edhe pse zyrtarët e saj thanë të kundërtën. LSI ka deklaruar gjithashtu se PS është anëtare e asociuar në këtë parti, për shkak se vendi ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit. LSI është munduar gjatë këtyre dy ditëve që të tregojë se në Pragë ka pasur tension, se Rama ka shpërfillur Metën dhe se nuk i janë pranuar kërkesat.