E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ditën e betejës për pluralizmin Berisha deklaron: “Do e hedh opozitën në kosh të plehrave”Nga Tema Kryeministri, Sali Berisha, i përdori festimet për 8 Dhjetorin, ditën e protestave të rinisë për të rrëzuar regjimin komunist, për të sulm

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Në ditën e betejës për pluralizmin Berisha deklaron: “Do e hedh opozitën në kosh të plehrave”Nga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, i përdori festimet për 8 Dhjetorin, ditën e protestave të rinisë për të rrëzuar regjimin komunist, për të sulmuar ashpër kundërshtarët e tij politikë. Në fakt doli ashtu siç ishte paralajmëruar, se kjo festë do të ishte thjesht një mbulesë për interesat politike të ditës të kryeministrit.

Berisha foli para të pranishmëve duke përsëritur refrenin se po lufton kundër një opozite që është e njëjtë me mafien dhe komunizmin.

Fillimisht kryeministri nxitoi të tregojë se ky ishte një mesazh force, kur tha se ata në shesh dje ishin të shumtë.

“Sot ne jemi shumë, me shumë se kurrë më parë, mbetjet e së shkuarës, hijet e saj kurrë nuk do të mund të zbehin dritën e lirisë që lindi në rrugët dhe sheshet e Tiranës, më 8 dhjetor të vitit ’90”, - tha Berisha.

Më pas kryeministri e identifikoi opozitën me komunizmin, duke e quajtur një hedhurinë të së shkuarës.

“Sot ne jemi të lirë, më të lirë se kurrë në ekzistencën tonë. Sot ne jemi më shumë se asnjëherë më parë. Hedhurinat e së shkuarës, të bllokmenëve të rinj, s’do mund të ndalin kurrë vrapin tonë drejt së ardhmes që meritojmë. Thirrja jonë vëllazërore në sheshin “Skënderbej” për çdo shqiptar është: Eja me ne të vrapojmë drejt së ardhmes që meritojmë!” - tha Berisha.

Kryeministri mori dhe të gjitha meritat e integrimit të vendit.

“8 Dhjetori është dita e marshit të lirisë sonë drejt Evropës, drejt anëtarësimit të plotë në BE, drejt fluturimit tonë pa viza në hapësirën e pafundme evropiane. Për ne, studentet dhe studentët, të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë që shembën perden e hekurt, që shembën bllokun barbar të tiranisë, pasi u rikthyem në pushtet, shembëm murin e krimit dhe të korrupsionit, zhbllokuam integrimin e Shqipërisë në Evropë, firmosëm marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, pranimin e kërkesës sonë për anëtarësim në BE. Sot ne jemi shumë, jemi më shumë se kurrë më parë, ne së bashku do të ndërtojmë Shqipërinë evropiane, Shqipërinë e ëndrrës sonë biblike, Shqipërinë zonjë midis zonjave në Evropë. Ndaj dhe nga ky shesh së bashku me ju le të ftojmë çdo shqiptar të bashkohet me ne, të bashkohet me uraganin tonë të integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë”, - tha Berisha.

Por, ndërsa fliste për festën, kryeministri gjithë synimin e kishte te politizimi i saj. Aq e madhe ishte dëshira për të sulmuar opozitën nga ajo tribunë, sa kryeministri mezi u përmbajt, kur nisi të kërcënonte opozitën.

“Ne në këtë shesh dhe mbarë shqiptarët kremtojmë 8 Dhjetorin më krenarë se kurrë, sepse vijmë, pasi kemi shndërruar në realitet ëndrrën atlantiste të kombit shqiptar. Sot flamuri ynë kombëtar valëvitet në Bruksel në mes të flamujve krenarë të Aleancës më të madhe të lirisë së kohërave. Sot liria e Shqipërisë, liritë e shqiptarëve janë më të sigurta se kurrë, mjerë kush do të guxojë...”, - tha Berisha duke e kaluar me shpejtësi këtë frazë.

Megjithatë ai nuk arriti deri në fund të përmbahet, kur pak para mbylljes së fjalimit e quajti opozitën mafioze.

“Ndaj dhe sot unë ftoj shqiptarët të bashkohen me ne për një Shqipëri pa viza, për një Shqipëri në Evropë, sikundër në emër tuaj më lejoni që me plehrat e bllokut të djeshëm, me kockat e mafies do të tentojnë të na pengojnë, se garancia jonë e plotë dhe totale është se mafies do t’i tregojmë ligjin me të gjithë rreptësinë e tij, kurse plehrat e bllokut do t’i hedhim në koshin e historisë që meritojnë”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›