Qeveria kërkon më ngulm fajtorë, shmang përgjegjësitë e vetaNga TemaKanë qenë të menjëhershme hetimet për skandalin e fikjes së dritave në stadium gjatë ndeshjes Gramozi-Reali, duke nxjerrë në pah se qeveria është e interesuar për këtë gjë. Në rastin
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Qeveria kërkon më ngulm fajtorë, shmang përgjegjësitë e vetaNga TemaKanë qenë të menjëhershme hetimet për skandalin e fikjes së dritave në stadium gjatë ndeshjes Gramozi-Reali, duke nxjerrë në pah se qeveria është e interesuar për këtë gjë. Në rastin e përmbytjeve apo kur Rezart Taçi dhunoi drejtorin e gazetës “TemA”, mekanizmat lëvizën shumë ngadalë dhe shteti u mundua të marrë në mbrojtje krimin. Qeveria është munduar që të gjejë një fajtor, duke u përpjekur ta quajë atë si një incident, por nuk ka marrë përgjegjësi politike, për faktin se një vend në mes të Evropës nuk ka një stadium që të plotësojë parametrat normalë. Shumë herë është kërkuar nga UEFA që të bëhen investime në këtë drejtim, por është heshtur. Pak muaj më parë, u desh të bëheshim gaz i botës, pasi dushet e këtij stadiumi nuk kishin ujë të ngrohtë. Lojtarët e Realit janë terrorizuar dhe nga fusha që kanë gjetur. Por qeveria nuk sheh asgjë të keqe në këtë mes. Ajo nuk heton për një klient të sajin, Rezart Taçin, që hedh miliona për shfaqje, e që nuk paguan taksat. Janë të shumta firmat që fitojnë miliona euro në këtë vend, por askush nuk hedh paratë si Taçi, dhe kjo duhet të jetë një pistë për hetim.
Qeveria paturpësisht deklaronte se ngjarja mund të ishte dhe vepër e konkurrentëve të Taçit, hidhte pista sabotazhi e gjente minj që prishin imazhin e saj. Por kjo është Shqipëria, ne jemi vendi që nuk kemi drita, që nuk kemi ujë. Mediet e huaja dhe Reali janë përballur me atë realitet që jetojmë çdo ditë.
***
Ndërsa hetimet për ngjarjen që na bëri gazin e botës, fikjen e dritave për më shumë se 90 minuta në ndeshjen Gramozi-Real Madrid, sapo kanë nisur, qeveria ka sulmuar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Indrit Fortuzi, është shprehur dje se përgjegjësia për këtë ngjarje bie pikërisht mbi OSSH dhe drejtorin e stadiumit, Perikli Dhales, i cili tashmë është shkarkuar. “Problemi që ekziston për OSSH është se nuk ka marrë një furnizim të dytë. Duhet të kesh dy burime energjie”, - ka deklaruar Indrit Fortuzi, këshilltar për sportin në MTKRS. Këshilli Mbikëqyrës i Qendrave Sportive është thirrur dje në një mbledhje të jashtëzakonshme, për të bërë një analizë të hollësishme të incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes Gramozi-Real Madrid. Sipas kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, Indrit Fortuzi, përgjegjës kryesor për incidentin e mbrëmshëm është OSSH, ndërsa theksoi se edhe ish-drejtori, Perikli Dhales, ka pjesën e tij të përgjegjësisë.
Indrit Fortuzi theksoi se ndeshja nuk duhej të niste pa gjeneratorë, kështu që përgjegjësia bie mbi ish-drejtorin, i cili nuk zbatoi rregulloren e FIFA-s. “Ish-drejtori i shkarkuar sot është përgjegjës, për shkak se ai lejoi fillimin e ndeshjes, edhe pse nuk ishin marrë masat e parashikuara në rregullore, sidomos ato të cilat duhet të siguroheshin nga OSSH dhe që lidhen me furnizimin alternativ me energji elektrike”- theksoi Fortuzi në deklaratën e tij.
Kreu i Këshillit Mbikëqyrës të stadiumeve ka deklaruar se brenda mbledhjes janë hedhur edhe hipotezat për sabotim, por këto duhet ende të vërtetohen. Ndërkohë, Këshilli Mbikëqyrës ka emëruar edhe drejtorin e ri të stadiumit “Qemal Stafa”, i cili është Gazmend Sallaku. Ky i fundit është shprehur se objektivi i tij është ta kthejë stadiumin në një impiant modern. “Shumë shpejt do bëj që stadiumin “Qemal Stafa” ta kthejmë në një impiant vërtet modern”, - tha Sallaku, drejtor i ri i stadiumit “Qemal Stafa”. Lidhur me skandalin është shprehur edhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, i cili është përpjekur ta zbusë atë, duke thënë se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në stadiumet e huaja. “Nuk mund të them që kjo ishte diçka pozitive, ndonëse është diçka që ka ndodhur edhe në stadiumet e huaja. E rëndësishme është se duhet të evitohej”, - pohoi Xhaferri.
Ministri deklaroi se ministria është duke reflektuar për menaxhimin e stadiumit “Qemal Stafa”, i cili në një të ardhme të afërt mund të jepet me koncesion.
“Lidhur me stadiumin unë sot kam ngritur një grup pune me ekspertë të Ministrisë së Ekonomisë, për të hartuar formën e organizimit të stadiumit “Qemal Stafa”, e cila ka qenë defektoze. Do të shohim mënyra të reja, si dhënia me koncesion”, - deklaroi ministri i Kulturës.
OSSH: Nuk kemi asnjë përgjegjësi për skandalin
E ndërsa qeveria përgjegjës ka bërë pikërisht Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike për skandalin e ndodhur në ndeshjen Gramozi-Real Madrid, kjo e fundit ka reaguar, duke hedhur poshtë pretendimin. Sipas një deklarate, OSSH shpreh keqardhje për incidentin, por ka pohuar se nuk ka pasur asnjë përgjegjësi për incidentin e ndodhur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. “Ndërprerja e energjisë elektrike sigurisht që pengoi zhvillimin e suksesshëm të këtij aktiviteti. Megjithatë OSSH nuk mban përgjegjësi për problemin e shkaktuar, pasi OSSH nuk ka kontroll mbi shpërndarjen e brendshme të tensionit të lartë brenda stadiumit “Qemal Stafa”, qark i cili bën të mundur furnizimin e projektorëve ndriçues të stadiumit”, - thuhet në deklaratën e OSSH.
Kjo e fundit bëri me dije se nuk ka një kontratë që përcakton sigurimin me gjenerator të klientit të vet dhe se defekti gjatë ndeshjes ka ndodhur në nënstacionin që është në përgjegjësinë e menaxherëve të stadiumit. Në deklaratë theksohet se “OSSH me iniciativën e saj u ka dërguar një letër, ku shpjegohet se, nëse do të kërkohej sigurimi i një gjeneratori nga OSSH, duhej nisur një kërkesë nga menaxherët e stadiumit dhe ky shërbim mund të plotësohej në këmbim të një pagese. Por, sipas OSSH, “nga menaxhimi i stadiumit nuk morëm asnjë përgjigje për sinjalizimet tona”.
Ndërkohë tashmë kanë nisur hetimet për incidentin e rëndë të ndërprerjes së dritave për më shumë se 90 minuta në stadiumin “Qemal Stafa”. Një grup hetimor i Task Forcës së Prokurorisë së Tiranës ka këqyrur dje paradite kabinën elektrike të stadiumit dhe ambientet e tjera të qarkut elektrik të tij. Megjithëse ende nuk ka një skemë zyrtare për atë që ka ndodhur, burime konfidenciale pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se pista më e mundshme është ajo e mbingarkesës në transformator. Në të njëjtën kohë grupi hetimor duket se ka hedhur poshtë pistën e brejtësve, ashtu siç ishte përfolur më parë. Menjëherë pas incidentit në “Qemal Stafa”, autoritetet thanë se u shoqëruan 25 persona, të cilët janë marrë në pyetje për ngjarjen. Mes të shoqëruarve ishin pjesëtarë të stafit të mirëmbajtjes së stadiumit, por edhe punonjës të OSSH.
“Taçi Oil”: Evenimenti i ndeshjes me Realin ishte i suksesshëm
Kompania “Taçi Oil” është shprehur dje se, në kompensim të ikjes së dritave gjatë ndeshjes mes Gramozit dhe Realit të Madridit, do të ndërtojë një shkollë sportive. Shkolla, sipas kompanisë, do të jetë nën kujdesin e Realit të Madridit. Pavarësisht skandalit të shkaktuar, kur për më shumë se 90 minuta kanë ikur dritat në stadiumin “Qemal Stafa”, kompania “Taçi Oil” e ka cilësuar evenimentin si mjaft të suksesshëm. Kompania “Taçi Oil” theksoi se nga ana e saj janë përmbushur të gjitha detyrimet e kontratës dhe se edicioni i tretë i trofeut “Taçi Oil” ishte shumë i suksesshëm, pavarësisht incidentit të fikjes së dritave. Për këtë incident kompania ka kërkuar marrjen e masave nga autoritetet, si dhe ndëshkimin e shkaktarëve të saj. Kompania është shprehur e shqetësuar për këtë ngjarje, që e ka cilësuar si të rëndë.