E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Prokuroria të hetojë provat që kemi ne për përmbytjenNga TemaPartia Socialiste tha dje se kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit po kërkojnë që të largojnë vëmendjen nga përmbytjet. “Të gjithë shqiptarët kanë parë këto ditë se si qeveria e Sali

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PS: Prokuroria të hetojë provat që kemi ne për përmbytjenNga TemaPartia Socialiste tha dje se kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit po kërkojnë që të largojnë vëmendjen nga përmbytjet.
“Të gjithë shqiptarët kanë parë këto ditë se si qeveria e Sali Berishës po përpiqet me të gjitha mënyrat të tërheqë vëmendjen nga katastrofa e pashoqe që u shkaktoi banorëve të Shkodrës, ku me diversione për seanca të jashtëzakonshme, por që në fakt parashikohen nga Kushtetuta, e ku me përralla për heqje mandatesh. Saliu dhe Jozefina po bëjnë të pamundurën që përmbytjet të harrohen, ashtu siç harruan përmbytjet në Fier e Vlorë apo viktimat e tërmetit në Dibër”, - tha deputetja Ermonela Felaj.
Felaj shtoi se faktet që disponon Partia Socialiste për përmbytjet i bëjnë të kota arsyetimet e qeverisë.
“Jo vetëm kaq, por të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë të mënyrës cinike e fyese se si qeveria e Sali Berishës e Jozefina Topallit po përpiqet të dalë pa lagur nga kjo katastrofë me deklarata absurde që ia atribuojnë katastrofën tërheqjes së hënës e humbjes se fuqisë thithëse të detit, ngrohjes globale apo ndëshkimeve nga perëndia që vijnë një herë në 100 vjet. Por Sali Berisha e ka të kotë. Faktet e paraqitura në vazhdimësi nga Partia Socialiste i bëjnë këto përpjekje sa qesharake aq dhe të kota.
Le të na e thotë Sali Berisha se ç’përgjegjësi ka perëndia për faktin që, teksa prurjet në kaskadën e Drinit rriteshin katër herë, prodhimi bëhej katër herë më i vogël dhe importi vazhdonte, për të mbrojtur kësisoj interesat korruptive të tij dhe ministrit të tij të energjitikës?
Le të na e thotë Jozefina Topalli se ç’faj pati hëna për faktin që qeveria e tyre i përmbyti me qindra miliona metra kub ujë banorët e Shkodrës?
Ishte perëndia, hëna, ngrohja globale apo fuqia thithëse e detit që e shtyu ministrin Prifti të shkonte për pushime luksoze në Turqi pikërisht në momentin më kritik, kur situata duhej mbikëqyrur sekondë pas sekonde?
Kush e ka fajin që përballë fakteve të djeshme, që demaskojnë gënjeshtrën e Saliut për fenomene që ndodhin njëherë në 100 vjet, askush, as dhe një zë i vetëm nga kjo mazhorancë e votave të vjedhura nuk flet, por hesht?” - tha Felaj.
Deputetja socialiste e përfundoi deklaratën e saj duke thënë se prokuroria duhet të hetojë provat që disponon opozita.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë që, në qoftë se i ka ngelur qoftë edhe një fije ndërgjegjeje qytetare, që në qoftë se ndjen qoftë edhe një grimë përgjegjësi për vuajtjet dhe traumën e pësuar nga banorët e Shkodrës, të mos harrojnë përgjegjësinë që kanë kundrejt banorëve të dëmtuar, edhe për sa i përket nxjerrjes përpara drejtësisë shkaktarëve të kësaj katastrofe.
Mbi të gjitha i bëjmë thirrje Prokurorisë shqiptare që të bëjë detyrën e saj e të vihet në veprim për të hetuar të gjitha faktet e provat e publikuara ditët e fundit nga Partia Socialiste.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›