Qeveria konfirmon shpenzimin 500 milionë për vilën në Vlorë
Drejtoria e Shërbimeve: Nuk është rezidenca e Berishës
Një ditë pasi Top Channel bëri publike pamjet e rezidencës qeveritare në Vlorë, e sapomobiluar dhe shpenzimet për arredimin e saj, ka reaguar Kryeministria.
Në një njoftim të shpërndarë në media, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, agjenci në varësi direkte të Këshillit të Ministrave thuhet: Dje, televizioni Top Channel, transmetoi në edicionin e tij të lajmeve një montim lidhur me një rezidencë qeveritare në Vlorë, të cilën e paraqiti, duke shpifur, si rezidencë të Kryeministrit Berisha.
Lidhur me këtë kronikë, – thuhet në reagimin e qeverisë – zëdhënësi i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare sqaron opinionin publik se vila në Vlorë, e paraqitur në kronikën e televizionit Top Channel është rezidencë qeveritare, shtëpi pritje për personalitete të larta të vendit dhe të huaja, miq të shquar të Shqipërisë.
Më tej, në reagimin e qeverisë thuhet se pretendimi i Top Channel se vila qeveritare në Vlorë është rezidencë e Kryeministrit është një trillim i ulët që ka qëllime të kundërta me misionin e një media.
Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrit, ky është një rast i përsëritur, duke sjellë në vëmendje videon e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta me ish-ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti, si dhe atë të makinës 700 mijë euro Mercedes Benz, të blerë për transportin e kryetarëve të shteteve, kryeministrave dhe kryetarëve të Parlamenteve të vendeve mike, që vizitojnë Shqipërinë dhe që sipas njoftimit zyrtar, nuk është përdorur asnjëherë nga Kryeministri apo personalitete të tjera të vendit.
Pavarësisht reagimit, në njoftimin e zyrës së shtypit të Kryeministrit nuk përgënjeshtrohen pamjet e brendshme të vilës dhe as shuma për arredimin e saj, për të cilën Top Channel i është referuar institucioneve zyrtare në varësi të vetë qeverisë, por thuhet se ajo nuk është rezidencë e Kryeministrit.
Top Channel ka nënvizuar se vila në Vlorë është rezidencë qeveritare dhe jo e Kryeministrit Berisha. Por, si çdo rezidencë qeveritare, sipas protokollit, mund të përdoret nga Kryeministri Berisha, zyrtarë të lartë të shtetit dhe personalitete të huaja, siç pranohet në njoftim.
Gjithsesi, ajo që duhet të theksohet është se në fokus të lajmit të Top Channel nuk ka qenë Kryeministri Berisha, por shpenzimet prej 500 milionë lekësh për arredimin e një rezidence qeveritare në një kohë kur buxheti i shtetit ka njohur shkurtime shpenzimesh në sektorë të tjerë prioritarë.
Deputeti
Braçe: Berisha ka kthyer tashmë Bllokun e Regjimit
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar dje në rrjetin social Facebook, në lidhje me deklaratën e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për rezidencën superluksoze në Vlorë.
Braçe shkruan se Berisha është kreu i dhunshëm i regjimit që po vuajmë dhe sot u rikthye gjuha-kamxhik mbi median që provon të thotë të vërtetën. Referuar deklaratës qeveritare, që i konsideron pamjet e montuara, Braçe thotë: Unë e sfidoj Sali Berishën të shkojmë nesër e ta vizitojmë dhomë për dhomë rezidencën e Vlorës, kolltuk më kolltuk, tavolinë më tavolinë, karrige më karrige… Në sy të popullit, unë dhe ti Sali Berisha. E hapim rezidencën për popullin e Vlorës dhe të shohim sa i zoti do jesh tua shpjegosh vlonjatëve të varfër luksin e paguar nga paratë e tyre.
Braçe kundërshton edhe argumentin e dytë të agjencisë qeveritare, sipas së cilës, vila në Vlorë nuk është rezidenca e Kryeministrit, por rezidencë qeveritare. Nuk është rezidenca jote, por e personaliteteve të larta të vendit, mes të cilëve ti juridikisht je i treti, por faktikisht je i pari në radhë, siç qëmoti Sekretari i Parë!, shkruan Braçe. Sipas deputetit socialist, ky është blloku i rikonstruksionit me paratë e shqiptarëve, i modernizuar në luks me paratë e shqiptarëve, funksional për ty dhe sojin tënd politikëbërës, po me paratë e shqiptarëve. Në përfundim të reagimit të tij të gjatë, Braçe i drejtohet Kryeministrit me këto fjalë: Ti ke rikthyer Sulltanin e Bllokut. Po shet çdo gjë, pasuritë tona, naftën e kromin, ndërmarrjet e hidrocentralet, për të paguar luksin tënd prej sulltani. Po shet Atdheun për gjithë jetën. Dua të të them diçka të fundit dhe mbaje mend: Fuqia e të varfërve që po paguajnë luksin tënd do të mundë, do të përmbysë, si çdo Sulltan tjetër.
si Gadafin!.
Qeveria konfirmon shpenzimin 500 milionë për vilën në Vlorë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip