Qeveria kufizon mundësinë e arrestimit, kushte të vështira që dikush të mbahet në burg

Një e pesta e Kodit të Procedurës Penale pritet të ndryshojë, me amendamente që prekin rregullat për masat e sigurimit, administrimin e provave, të drejtat e personave nën hetim dhe mënyrën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Drafti i publikuar më 30 shtator përmban 105 ndryshime të propozuara.
Gjatë prezantimit të ndryshimeve, kryeministri Edi Rama theksoi se paraburgimi duhet të përdoret si masë e fundit, në rastet kur ka prova të forta dhe kur vepra penale parashikon dënim mbi pesë vite burgim. Sipas tij, nga ky rregull do të përjashtohen veprat e rënda penale dhe çështjet që janë nën hetim nga SPAK.
Gjykatat do të duhet të arsyetojnë në mënyrë të hollësishme vendimet për caktimin e masave të sigurisë, ndërsa palëve do t’u vihen në dispozicion provat dhe materialet e plota të dosjes. Drafti parashikon gjithashtu që prokurori të argumentojë në mënyrë të vazhdueshme arsyet për vijimin e masës së arrestit në burg.
Ndryshime parashikohen edhe në mënyrën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Marrjet në pyetje do të regjistrohen me zë dhe figurë, duke synuar dokumentimin e plotë të procedurës.
Ndaj akuzave të mëparshme se dëshmitë merren me shkrim dhe pa regjistrim, Rama u shpreh për ndryshime ligjore që synojnë ta ndryshojnë këtë praktikë.
Sponsorizuar
Deklarimet e marra nën dhunë ose presion nuk do të pranohen si prova. Ndërkohë, për kontrollin e telefonave dhe pajisjeve elektronike parashikohet një procedurë e posaçme dhe autorizim gjyqësor për aksesin në përmbajtjen e tyre.
Publikimi i materialeve hetimore në media u paraqit sërish si një shqetësim nga kryeministri. Sipas Ramës, në rast se materialet e dosjes dalin nga prokuroria, gjykata apo avokatët, përgjegjësia penale nuk do të bjerë mbi gazetarët.
Përballë kritikëve, Rama theksoi se ndryshimet nuk cenojnë institucionet e reja të drejtësisë. Sipas tij, ligji nuk do të prekë vendimet e marra dhe hetimet e zhvilluara përpara hyrjes në fuqi të amendamenteve. Kryeministri deklaroi gjithashtu se rishikimi i masave të sigurisë nuk përbën amnisti.
Personave nën hetim do t’u bëhet e ditur edhe data e regjistrimit të procedimit penal ndaj tyre.m.k