Spanja hyn zyrtarisht ne recesion

Tremujori i parë i vitit 2012 ka regjistruar për Spanjën një rënie të ekonomisë me 0,3% për të dytin tremujor në radhë. Sipas instituti spanjoll të statistikave, duke raportuar rënien në recesion shprehet se ecuria e ekonomisë ka shkuar në negativ për shkak të performancës së keqe të kërkesës së brendshme. Spanja qëndron në këtë situatë që nga viti 2008 ku lëkundet mes recesionit dhe stanjacionit, ndërkohë që papunësia ka arritur nivele rekord në 24,44% të popullsisë aktive. Gjithsesi kjo tendencë e ekonomisë spanjolle ishte parashikuar nga qeveria dhe ekspertët, ndërkohë që parashikimet e bankës qëndrore flisnin për një rënie më të madhe të ekonomisë. Në të njëjtin vlerësim negativ qëndron edhe borxhi publik, ku vetëm disa ditë më parë agjencia ndërkombëtare e Standard&Poor’s uli me dy nota aftësitë paguese të borxhit spanjoll. Ndërkohë që kjo agjenci ka vijuar me zhvlerësimet edhe për nënëtë institute financiare në Spanjë, mes të cilave banka Santander dhe BBVA.
Në këto kushte sipas shtypit vendas thuhet se Spanja po përgatitet për krijimin e një Bad bank ku do të përfshihen aktivitetet në rrezik të bankave spanjolle. El Mundo shkruan se Banka e Spanjës ka ngarkuar shoqërinë e konsultimeve Black rock të krijojë një bank të keqe sipas modelit irlandez ku do të përfshihen të gjitha aktivitetet me risk të bankave spanjolle. Idea sipas bankës qëndrore synon ndarjen e aktiviteteve toksike nga bankat spanjolle për t’i hequr ato nga bilancet e tyre. Sipas FT ky projekt është në linjë edhe me përcaktimet e FMN dhe do të drejtohet nga ministri i ekonomisë Luis de Guindos. Banka e Spanjës ka bërë të ditur javën e kaluar se sektori bankar ka arritur në 184 miliardë euro kredi të këqija deri në fund të 2011-ës, apo në nivelin e 60% të totalit të portofolit.