Qeveria maqedonase u vonon shqiptarëve njohjen e shtetësisë
Shqiptarët e Maqedonisë vazhdojnë që të kenë probleme me njohjen e shtetësisë së tyre në vendin fqinj. Burime pranë Ministrisë së Brendshme maqedonase kanë njoftuar për mediat vendase se deri me regjistrimin e vitit të ardhshëm, është e vështirë që të merret shtetësia. Qindra familje shqiptare akoma vazhdojnë të përballen me këtë padrejtësi. Ministria e Punëve të Brendshme ka aplikuar kontrolle të rrepta lidhur me lëshimin e shtetësive, ndërsa përkohësisht siç bëhet e ditur është dhënë urdhër për një bllokadë të heshtur për të mos shtuar numrin e shtetësive, sidomos për komunitetet jomaqedonase. Nga zyra e Avokatit të Popullit theksojnë se problemi i shtetësive është një ndër problemet kryesore dhe me përplot ankesa në Kumanovë, Shkup dhe rajonin e Tetovës. Nga ana tjetër, zëvendësministri i MPB-së, Xhevat Buçi ka theksuar se po ndjek problemin e shtetësive, duke pasur parasysh se shumë familje shqiptare kanë pasur peripeci për marrjen e shtetësisë së tyre shqiptare.
"Ne jemi të angazhuar në këtë proces dhe jemi duke zgjidhur këto probleme. Por, duhet të kuptojmë se këto janë çështje që nuk zgjidhen brenda natës, por duan një kohë të gjatë. Së shpejti gjithë ata që kanë aplikuar apo janë procedurë do të kenë përgjigje", ka theksuar zëvendësministri, Buçi.
Ministrja e MBP-së, Gordana Jankullovska kohë më parë ka deklaruar se problemi që kanë shqiptarët e Maqedonisë me shtetësitë nuk është më në rend dite, ndërsa sipas saj me këtë problem tani ballafaqohen kryesisht komuniteti rom. Ndryshimet e vitit 2004 në Ligjin për shtetësi kanë lënë të pa zgjidhur këtë problematikë për shumë shqiptarë në Maqedoni.