Rubena Moisiu: Si do të ruajmë mjekët nga gabimet në punë
Pakkush mund të jetë në dijeni, por viti 2010 do të jetë vërtet ambicioz, për shëndetësinë në përgjithësi, por edhe për fushën e obstetër-gjinekologjisë në mënyrë të veçantë.
Risitë që për tre apo katër vite janë vendosur në punë nga spitalet më luksoze europiane dhe amerikane, do të jenë pjesë edhe e shëndetësisë shqiptare. Të paktën projekti i instalimit të një softi i quajtur astraja, është një nga projektet më të rëndësishme për qendrën spitalore, maternitetin “Koço Glozheni”.
Nëpërmjet këtij softi, shefat do të kenë mundësi të kontrollojnë punën e mjekëve, precizioni dhe cilësia e ekzaminimeve që u bëhet pacientëve. Po ashtu instalimi i këtij softi do të sjellë edhe krijimin e një baze të dhënash për pacientet që vijnë në maternitet, që kryejnë analiza, si dhe për uljen e lindjeve të foshnjave me keqformime.
Në një intervistë për gazetën “Shqip”, drejtoresha e maternitetit “Koço Glozheni”, Rubena Moisiu, tregon avantazhet e instalimit të kësaj aparature, projektet e qendrës për vitin 2010. Moisiu thekson avantazhet e kryerjes së vaksinës së re në Shqipëri, kundër tumorit të qafës së mitrës, si dhe pozitiviteti që merr marrëdhënia në çift dhe prind-fëmijë, në kohën kur burri asiston në sallën e lindjes.
Duke qenë se jeni në fillim të vitit 2010, cilat janë disa nga prioritetet dhe projektet më ambicioze që ka vendosur në axhendë, institucioni juaj?
Vërtet kemi një projekt ambicioz të cilin kemi nisur ta praktikojmë, por që ta vendosim plotësisht në punë duhet implementimi i rrjetit dhe më pas trajnimi i personelit. Bëhet fjalë për një soft i cili quhet astraja, për mjekët gjinekologë, sidomos mjekët e rinj është shumë i qartë, pasi ata kanë mundësi të ndjekin konferenca, kongrese të ndryshme, por edhe të hyjnë në internet.
Në këtë sistem që po implementojmë aktualisht, dhe që ka filluar, futen të tëra të dhënat e çdo pacienteje që hyn në maternitet dhe kryesisht të dhënat mjekësore, më pas do të tentojmë edhe për të dhënat financiare, të cilat i mban rrjeti, por ne jemi të interesuar më shumë për të dhënat mjekësore. Ky soft kontrollon çdo mjek, nëse e ka kryer mirë një ekzaminim apo jo, sepse ta jep marzhin e gabimit në moment, sapo ti fut në sistem të dhënat, dhe në këtë mënyrë çdo mjek është në gjendje të kontrollojë veten. Por nga ana tjetër, administratori, drejtori, nëndrejtori apo shefi i shërbimit ka njëkohësisht të drejtën dhe mundësinë të kontrollojë punën e çdo mjeku. Flas gjithmonë nga ana profesionale, nëse e ka kryer korrekt një ekzaminim apo jo, dhe këto gjëra bëhen në një farë mënyre pa lëvizur nga vendi. Duke qenë në zyrën time kam mundësi të kontrolloj teknikisht, çdolloj ekzaminimi që kryhet këtu mbi çdo paciente. Nga ana tjetër ky lloj softi të krijon mundësinë që të kalkulosh riskun, rrezikun, në 3-mujorin e parë për keqformime të bebeve. Nëse një bebe ka një keqformim, apo dyshohet se ka një keqformim, me këtë soft çdolloj mjeku i aftë apo i paaftë, në moment është në gjendje të dallojë nëse kjo bebe ka një keqformim. Pastaj vazhdon me ekzaminime të mëtejshme për të vërtetuar apo për të përjashtuar keqformimin.
Në këtë mënyrë përveç kontrollit të cilësisë së punës, në një farë mënyre do të pakësohen edhe bebet e lindura me keqformime, të cilat janë me pasojë për shoqërinë, shtetin, familjen.
Ky është projekti që aktualisht ne kemi në plan dhe që për Shqipërinë përbën revolucion. Revolucioni nuk nënkupton vetëm luftën, por edhe zhvillimin në një farë mënyre. Ky sistem ka pak vite që ka hyrë, si në Europë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 4-5 vjet jo më shumë. është një gjë e re dhe për të tjerët, jo vetëm për ne dhe jemi krenarë. Kostoja është tanimë e planifikuar. është gjetur fondi, është marrë nga Ministria e Shëndetësisë, e cila u tregua në fakt në këtë rast mjaft bashkëpunuese, duke kuptuar rëndësinë e problemit. Kjo përmirëson në mënyrë të dukshme cilësinë e punës në spital, pakëson numrin e lindjeve me keqformime, kjo tepër e rëndësishme për të ardhmen.
Përpos kësaj ne natyrisht kemi futur dhe sistemin e informatizimit në të gjithë institucionin që prapë këtë vit do të hyjë në punë, tanimë kjo ka lidhje me pjesën financiare. Kështu do të llogaritet kostoja e çdo pacienteje që hyn, e çdo veprim që kryhet duke nisur nga ndërrimi i plagës, diçka e thjeshtë, por për ne ka kosto. Dhe sa kohë ne kemi hyrë dhe në të ardhmen do të hymë edhe më shumë në sigurimet shëndetësore, llogaritja e kostos për çdo paciente, e çdo veprim, është shumë e rëndësishme, sepse në bazë të këtyre varen edhe investimet ose paratë që në dukje do të japë Instituti i Sigurimeve Shëndetësore. Në varësi të punës do të paguhet, qoftë institucioni, qoftë mjeku apo personeli i mesëm që kryen një veprim. Dhe këtë po e implementojmë dhe e kemi në përfundim e sipër.
E treta që ne kemi projekt që e kemi nisur vjet është projekti i telemedicinës, lidhja në distancë me kolegë të huaj me më shumë eksperiencë, për probleme të ndryshme që ne hasim.
Janë bërë shumë pak lidhje, sepse ne na nevojitet trajtim i personelit tonë. Pala italiane do të vijë dhe do të kryejë një trajnim 1 javor, në mënyrë që ta fusim në veprim, në një shkallë më të gjerë. Kjo që procesi të mos ketë përdorim të kufizuar, por të gjerë për të gjithë personelin mjekësor, në momentin që i duhet.
A vëreni ju një rritje të sensibilizimit në radhët e grave, për sa i takon kujdesit shëndetësor të sferës femërore, apo në vendin tonë në maternitet vihet vetëm kur ka një problem, apo pasi mësohet se po përjetohet një shtatzëni?
Situata është shumë e përmirësuar krahasuar kjo me 15 vjet më parë dhe nuk po shkoj më tutje. Që në momentin që ka filluar ndryshimi i mentaliteteve në këto 15 vjet, ka përmirësim sidomos kur ka fushata sensibilizimi, si rastin e vaksinës së HPV, në këto momente këtu paraqiten edhe vajza të reja. Vërtet shikojmë që po vijnë gjithmonë e më shumë, pa vajtur problemi te diagnostikimi, pa vajtur problemi te një shtatzëni e padëshiruar, vijnë thjesht kërkojnë informacion për vaksinën, ku të shkojnë, si ta bëjnë. Ka filluar të përhapet, të paktën për qendrat e mëdha urbane, nuk e them dot për zonat rurale, ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme struktura e paraqitjes te mjeku. Nga ana tjetër unë do të dëshiroj të përfitoj nga rasti, të bëj një thirrje të një natyre tjetër. Spitali nuk është vendi ku duhet të shkojnë të paraqiten vajzat, gratë, apo edhe meshkujt kur kanë një shqetësim më të vogël. është mjeku i familjes, është këshillimorja dhe duhet të shkojnë aty se fare mirë mund të gjejnë zgjidhje të problemeve të tyre aty. Nëse nuk gjejnë dot zgjidhje aty mund të vijnë për një ndihmë më të kualifikuar. Spitali nuk është një qendër ambulatore dhe shpenzimet e veta i ka të llogaritura për të shtruarat jo për ambulatorët.
Të respektohet sistemi i referimit, ata janë atje për t’i shërbyer komunitetit dhe ky komunitet duhet të shkojë aty për të gjetur ndihmën nuk ka pse për një dhembje të marrë vrapin të vijë në maternitet.
Duke qenë se jemi te çështja e vaksinimit. Kohët e fundit në vendin tonë ka hyrë edhe vaksina e parandalimit të tumorit në qafën e mitrës. Shumë vajza kanë dëshirë ta marrin, por janë edhe pak skeptike, duke u nisur edhe nga debatet e shumta që janë krijuar, edhe me një tjetër vaksinë të re, atë të gripit të derrit, AH1N1, cili është mendimi juaj?
Skepticizmi është e drejtë e njeriut. Vaksina e HPV është e provuar. Informacionet në internet janë nga më të ndryshmet. Mund të dëgjosh nga të tëra llojet. Siç dëgjojmë për vaksinën e AH1N1, mund të dëgjosh edhe për vaksinën e HPV, ndërkohë që ka shumë më tepër kohë që është eksperimentuar, është ndenjur shumë më gjatë për t’u provuar, dhe më vonë ka nisur aplikimi, ne jemi vendi i fundit, ndërkohë që vende të tjera e kanë nisur më parë. Nuk është vërejtur asnjë lloj komplikacioni, nuk është dokumentuar asnjë rast që të ketë ndodhur diçka e pakënaqshme. Unë nuk mund të marr përsipër të bëj absolutin, sepse në mjekësi nuk ka absolute dhe nuk e di se çfarë eksperience e re mund të dalë pas 20 vjetësh. Por mund të flas aktualisht, sepse aktualisht ka rezultuar me shumë sukses. Nuk ka në Shqipëri shtrirjen që ne do të dëshironim të kishte, por ka ndryshuar goxha me sensibilizimin e kohëve të fundit dhe shpresoj që do të ndryshojë më shumë edhe në të ardhmen. Skepticizmin kush e ka le ta mbajë dhe normalisht ka të drejtë, sepse për gjërat e reja njerëzit tremben dhe tuten. E njëjta gjë ndodhi edhe me vaksinën e AH1N1, ngaqë u fol shumë më tepër se HPV, sepse hyri shumë shpejt në treg nuk pati kohë të provohej dhe nuk i diheshin efektet, kjo u futi frikën njerëzve. Në institucionin tonë u mor vaksina për të gjithë personelin mjekësor, sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe u bënë vetëm 10 prej tyre, të tjerët nuk pranuan ta bëjnë, edhe mjekët janë skeptikë.
Vaksina HPV, nëse nuk të mbron dot, flasim në rast se personi e ka marrë njëherë këtë lloj virusi, mund të të mbrojë nga një riinfektim, sepse ke mundësi të riinfektohesh.
Materniteti “Koço Glozheni” njihet për reanimacionin e specializuar, njihet për disa shërbime të cilat jepen me shumë kualitet. Me çfarë i rivalizoni ju institucionet homologe?
Në total personeli në institucionin tonë është 281 persona, por mjekë janë afërsisht 58 të specialiteteve të ndryshme, janë obstetër-gjinekologë afërsisht 40, janë anestezistë reanimatorë 9 janë dhe neonatologë 8. Kemi dhe dy mjeke laboratori, me të cilat bëhen 60, mjeke të laboratorit biokimik dhe mikrobiologjik.
Natyrisht për mendimin tim ka pak mbipopullim të gjinekologëve do të duhet edhe për specialitet e tjera, por këtu ka një specifik pune. Gjinekologët sidomos gjatë shërbimit 24 orë duhet të jenë minimumi 3-4 vetë roje. Kjo e bën që ata të jenë më shumë, sepse të nesërmen duhet të shërbejnë me kapacitet të plotë, njësoj si kolegët e tjerë. Puna e gjinekologut funksionin në grup, nëse do të futesh në sallë, do të thotë që duhet të futesh dy veta dhe do lësh një njeri të presë urgjencën e radhës, kjo ka bërë që numri të jetë më i lartë. Për sa i takon rivalizimit me institucionet e tjera nuk më takon të flas. Natyrisht, rivalizimi në terma pozitivë se në këtë rast konkurrimi sjell përparim, nëse ne themi jemi mbi të tjerët do të thotë që duhet të bëjmë disa gjëra më shumë, do të thotë që duhet të pajisim më mirë reanimacionin e bebeve. Ne sot e kemi të mbingarkuar edhe për shkak të publicitetit. Rivalizimi do të thotë përmirësim i punës në drejtim të pajisjeve të reja, në drejtim të tre projekteve dhe tentojmë të tregojmë kujdes me trajtimin e personelit, të trajtojmë mjekët me tema, konferenca, të organizuara apo lejimet pa doreza për pjesëmarrjen e të gjithë mjekëve në trajnimet që ata dëshirojnë të marrin pjesë brenda apo jashtë Shqipërisë. Kanë leje të plotë të shkojnë të trajtohen. Për sa i takon specializimit të personelit të mesëm kemi pasur disa projekte me “Rotari club” të Romës, të cilët na kanë mundësuar specializimin e personelit të mesëm. Kemi specializuar infermieret e reanimacionit të bebeve. Do të vazhdojmë edhe me pjesën e mamive, pasi aty kemi edhe pjesën e mamive, që ka lënë shumë mangësi në Shqipëri, se mjekët e kanë gjetur një mundësi, ndërsa personeli i mesëm është lënë pas dore. Në mes të shkurtit do të nisim një projekt tjetër me operacionin zviceran. Do të bëjnë seanca trajnimi në teori dhe praktikë duke sjellë njerëz me ekspertizë nga jashtë për t’u dhënë eksperiencë infermierëve dhe mamive se çfarë mund të bëjnë brenda këtij institucioni.
Burrat në sallën e lindjes, është mirë të jenë apo jo? çfarë ndikimi ka prania e burrit gjatë asistimit të lindjes së bashkëshortes së tij. Kemi dëgjuar raste edhe kur burrave u bie të fikët?
Mjekët jo gjithmonë janë të saktë ose të fokusuar në idetë e tyre. Unë personalisht jam pro prezencës së partnerit në sallën e lindjes. Jo të gjithë mjekët e tolerojnë diçka të tillë, nuk janë gjëra që bëhen me urdhër, në radhë të parë bëhet me dëshirën e personit dhe shumë pak janë ata që kanë dëshirë të jenë prezentë. Janë shumë pak ata që duan të jenë në sallën e lindjes, shumë pak fatkeqësisht. Nga ana tjetër duke u nisur nga epidemia, gripi i derrit, jo i derrit, mjekët frikësohen dhe ata pak që mund të kenë dëshirë, shpeshherë frenohen kështu që në këtë rast, kemi pak kontradikta. Por nëse personi ka dëshirë, e sigurt që nuk ndalohet të jetë prezent në sallën e lindjes. Ndikimi është vetëm pozitiv për nënën për fëmijët, ashtu edhe për mjekun.
Nëse do të hyjë pjesa ligjore në Shqipëri, që unë besoj se tek e fundit, mjeku do të jetë shumë më i mbrojtur. Pasi për çdo veprim që është kryer ka marrë konsensusin, do të thotë që ka qenë prezent dhe nesër nëse do ta akuzojnë do ta ketë shumë më të vështirë. Kjo pjesë do vijë duke u shtuar sidomos kur të futet pjesa e aktit dhe dënimit ligjor, më tutje. Por aktualisht ndihmon për mirëqenien e nënës dhe fëmijës e lehtëson lindjen dhe është një komfort i jashtëzakonshëm për nënën. Ndikim ka dhe lidhja baba-fëmijë, sepse ai e sheh fëmijën që në momentin që del, e përkëdhel, e lan, e fshin, i pret kordonin, lidhja krijohet që në atë moment, nëna e ka krijuar 9 muaj, ndërsa babai e krijon në atë moment.
#