E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton disa vendime të rëndësishme

TIRANE-Qeveria ka miratuar sot në mbledhjen e radhës disa vendime.

QEVERIA, VENDIM PËR DISBURSIMIN E GRANTEVE NË AGRIKULTURË
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit Bujqësisë, dhe ministrit të Financave, vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Artigiancassa S.p.A., për financimin e programit për fuqizimin e Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe të Agrikulturës, për disbursimin e granteve në agrikulturë, me një hua të butë prej 5 000 000 (pesë milionë) eurosh.

Gjithashtu, qeveria mori vendimin për miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Artigiancassa S.p.A., për financimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të ullinjve, me një hua të butë prej 3 000 000 (tre milionë) eurosh.

Gjatë mbledhjes, Këshilli i Ministrave mori vendimin edhe për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Artigiancassa S.p.A., për financimin e programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare.

QEVERIA, VENDIME NË KUADËR TË BASHKËPUNIMIT ME VËNDE TË TJERA
Këshilli i Ministrave mori sot vendimin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

Gjithashtu, gjatë mbledhjes së qeverisë, u mor vendimi për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, për mbrojtjen shoqërore.

Me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi gjithashtu miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë - Hercegovinës, për bashkëpunim në fushën e veterinaries.

QEVERIA, VENDIM PËR LEJIMIN E EKSPOZIMIT TË DISA OBJEKTEVE TË RRALLA NË EKSPOZITËN “THESARE TË KULTURË SHQIPTARE”, NË PRISHTINË
Me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave vendosi sot lejimin e ekspozimit të disa objekteve të rralla me vlera unike, në kuadër të realizimit të ekspozitës “Thesare të kulturës shqiptare”, në Prishtinë, Kosovë, nga data 20 prill 2013 deri në datën 21 gusht 2013.

Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për lëvizjen e objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Ngarkohen Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” të kryejë shoqërimin dhe kthimin e ikonave në vendin e origjinës pas mbarimit të veprimtarisë dhe Qendra e Inventarizmit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›