Basha takohet me kryetarin e PSD-së Agim Çeku/ Diplomacia shqiptare në shërbim të konsolidimit të Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha ka zhvilluar dje një takim me z. Agim Çeku, Kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe ish kryeministër i Kosovës. Bashkëbiseduesit u ndalen tek zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe në rajon, ku një rëndësi të veçantë iu kushtua marrëdhënieve dypalëshe. Ministri Basha vlerësoi angazhimin e mëparshëm dhe aktual të Agim Çekut në zhvillimet politike në Kosovë.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova gjendet tashmë në një fazë historike dhe para sfidave të rëndësishme, kështu që ka nevojë për kontributin e përkushtimin e të gjithëve, për mbështetje maksimale lidhur me njohjen e saj ndërkombëtare, për përmbylljen me sukses të periudhës së tranzicionit dhe ecjen e sigurt përpara në konsolidimin e shtetit demokratik, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.
Ndërsa Çeku, nga ana e tij shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme të Shqipërisë, në të gjithë procesin e pavarësimit të Kosovës, në forcimin e shtetit ligjor dhe theksoi se ai është i mirëpritur dhe në zhvillimet e ardhshme.
Kreu i diplomacisë shqiptare e siguroi Çeku për mbështetjen, përkushtimin e plotë e të vazhdueshëm të qeverisë shqiptare, dhe gjithë infrastrukturës diplomatike të Shqipërisë, në funksion të konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare.