E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksionet e Gjermanisë

13-03-2013 / Gazeta 55

Leksioni më i rëndësishëm që ka dalë prej përmbysjes së pasurive brenda eurozonës në dhjetë vjetët e fundit është se askush nuk duhet të përfitojë prej vështirësive të momentit. Reformat e zbatuara në disa shtete periferike janë më të thella sesa ato që u ndërmorën në Gjermani para një dekade

Para dhjetë vjetësh, Gjermania konsiderohej e sëmura e Evropës. Ekonomia e saj ishte zhytur në recesion, në kohën kur pjesa tjetër e Evropës po rimerrte veten; shkalla e papunësisë së saj ishte më e lartë se mesatarja e eurozonës; Gjermania po shkelte rregullat evropiane të buxhetit duke zbatuar politika të deficiteve të larta; dhe sistemi gjerman i financave po përjetonte krizë. Një dekadë më vonë, Gjermania po konsiderohet një model që duhet ndjekur prej të gjithëve. Ama, a duhet?Duke marrë parasysh se cilat mësime të Gjermanisë mund të zbatohen në vendet e tjera të eurozonës, secili duhet t’i dallojë gjërat se çka mund të bëjë qeveria dhe çka mbetet në përgjegjësi të biznesit, punëtorëve dhe shoqërisë në përgjithësi. Një fushë që nuk do mend se është përgjegjësi e qeverisë janë financat publike. Në vitin 2003, Gjermania kishte zbatuar deficit fiskal që ishte afër katër për qind të bruto prodhimit të brendshëm – mbase jo një shifër e lartë shikuar prej standardeve të tanishme, por shumë më e lartë sesa shifra mesatare e atëhershme e BE-së. Sot, Gjermania ka një buxhet të balancuar, ndërkohë që shumica e vendeve të tjera të eurozonës po ndjekin politika deficiti që janë më të larta sesa ato të Gjermanisë para dhjetë vjetësh. Kthesa që ishte bërë në financat publike të Gjermanisë kryesisht kishte reduktuar shpenzimet. Në vitin 2003, shpenzimet e përgjithshme qeveritare kapnin shifrën prej 48.5 për qind të bruto prodhimit të brendshëm, një shifër më e lartë sesa mesatarja e eurozonës. Por shpenzimet qeveritare ishin reduktuar me pesë për qind të bruto prodhimi të brendshëm në pesë vjetët e ardhshëm. Si rezultat i kësaj, në prag të recesionit të madh të vitit 2008, Gjermania kishte pothuajse shkallën më të ulët të shpenzimeve qeveritare në Evropë. Po qeveria njëmend nuk mund të bënte më shumë për problemin kryesor të Gjermanisë, për shkak të mungesës së konkurrencës. Sot është e zorshme të imagjinohet, por gjatë pesë vjetëve të euros, Gjermania gjerësisht konsiderohej jokonkurrente, sebepi i kostove të pagave të larta.
Kur filloi përdorimi i euros, kishte një drojë të madhe se nuk do të mundë të zgjidhej problemi jokonkurrencës gjermane, sepse kështu autoritetet nuk do të ishin në gjendje të ndikonin në shkëmbimin valutor. Por sikur e dimë, Gjermania përsëri u bë konkurruese – madje si tepër konkurruese sipas disave, falë një kombinimi të frenimit të rritjes së pagave dhe reformave strukturore të prodhimit. Në fakt, kjo lloj analize është gjysmë e drejtë. Në njërën anë, ruajtja e nivelit aktual të pagave ishte një element kyç, megjithëse qeveria nuk do të mund të impononte. Papunësia e përhershme e lartë detyroi punëtorët të pranonin paga më të ulëta dhe orë më të gjata pune, derisa pagat vazhduan të rriteshin me dy deri në tre për qind në vit në vendet periferike me bum ekonomik të eurozonës. Në kohën derisa Qeveria gjermane ndihmoi me reformat e rëndësishme të tregut të punës para një dekade, ato masa ishte e qartë se nuk kishin ndikim në prodhimtari. Të gjitha të dhënat tregojnë se Gjermania kishte një prej shkallëve më të ulëta të rritjes së prodhimtarisë në dhjetë vjetët e fundit. Kjo nuk është e papritur, duke marrë parasysh mungesën e ndonjë reformave të çfarëdollojshme në sektorin e shërbimeve, që gjerësisht konsiderohet së tepërmi i rregulluar dhe i mbrojtur. Produktiviteti në fabrikim shënoi njëfarë rritjeje falë konkurrencës së madhe ndërkombëtare. Por, madje, në Gjermani, sektori i shërbimeve mbetet dy herë më i madh sesa degët industriale.
Reformat e thella të sektorit të shërbimeve janë të domosdoshme për të gjeneruar realizim të prodhimtarisë së njëmendtë në ekonominë gjermane. Por kjo nuk kishte ndodhur as në vitin 2003, sepse e gjithë vëmendja ishte fokusuar në konkurrencën ndërkombëtare dhe në industrinë përpunuese. Megjithatë, modeli gjerman nuk i ka disa mësime të dobishme për shtetet periferike të eurozonës që sot po përballen me krizë. Konsolidimi afatgjatë fiskal, para së gjithash, kërkon përmbajtje prej shpenzimeve, dhe reformat e tregut të punës, me kalimin e kohës, i lënë pa punë grupet e margjinalizuara.
Por sfida më e madhe për vendet si Italia dhe Spanja mbetet konkurrenca. Periferia përsëri mund të shënojë rritje vetëm nëse ia del të eksportojë më shumë. Ne tashmë jemi nën peshën e madhe të shkallëve të larta të papunësisë. Por kjo është rruga e vetme e dhimbshme për të çarë përpara, dhe gjeneron tensione sociale dhe paqëndrueshmëri politike. Një mënyrë më e mirë për të reduktuar kostot e punës do të ishte rritja e prodhimtarisë - dhe Gjermania nuk ofron një model në këtë aspekt. Megjithatë, fatmirësisht, disa shtete periferike tani po detyrohen prej kreditorëve të tyre të ndërmarrin reforma drastike jo vetëm në tregjet e tyre të punës, por edhe në sektorët e tyre të shërbimeve. Reformat, edhe nëse fillimisht zbatohen puna e presionit, paraqesin terrenin më të mirë për optimizëm. Me kalimin e kohës, do të nxisin prodhimtari dhe fleksibilitet, dhe vendet që i zbatojnë, duhet të bëhen më konkurruese.
Leksioni më i rëndësishëm që ka dalë prej përmbysjes së pasurive brenda eurozonës në dhjetë vjetët e fundit është se askush nuk duhet të përfitojë prej vështirësive të momentit. Reformat e zbatuara në disa shtete periferike janë më të thella sesa që u ndërmorën në Gjermani para një dekade. Ato shtete që u qëndruan besnike këtyre përpjekjeve të reformave mund të shpërthejnë si më konkurruese dhe më stabile. Ato që nuk dëshirojnë t’i zbatojnë (Italia duket se po shkon në këtë drejtim) do të zhyten në një stagim afatgjatë, derisa pozicioni në krye të listës i Gjermanisë nuk është përgjithmonë i garantuar. Në të vërtetë, nuk dihet se ku do të përfundojnë pas dhjetë vjetësh shtetet individuale, dhe shumë shpejt mund të ndryshojë rendi aktual brenda ekonomisë evropiane.

Autori është drejtor i grupit të pavarur të mendimit me seli në Bruksel, Qendra për Studime Politike Evropiane. Marrë nga “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›