E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton menaxhimin e mbetjeve të ngurta

Kryeministri Berisha ka pritur përfaqësuesit e agjencisë së ndihmës SIDA për të bërë një studim në shkallë vendi, në lidhje me trajnimin dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta. Bjorn Andersson ka kërkuar të ngrihet një mekanizëm institucional e njerëzor për të menaxhuar

mbetjet urbane. Andersson i prezantoi Kryeministrit raportin e bërë për këtë problem, duke dhënë edhe sugjerimet për  ngritjen e një mekanizmi institucional e njerëzor, për të menaxhuar mbetjet urbane. Kryeministri Berisha e falënderoi përfaqësuesin e agjencisë SIDA për kontributin e dhënë deri tani dhe për propozimet e bëra, në lidhje me përqasjen dhe zgjidhjen e një problemi kyç për vendin, si ai i mbetjeve të ngurta. Kryeministri tha se ishte absolutisht në vëmendjen dhe interesin e tij, që në momentin kur erdhi në pushtet, përqasja dhe zgjidhja e problemit të mbetjeve urbane dhe që për këtë qëllim, kishte ngritur edhe grupe pune. Prej kohësh, theksoi Kryeministri, Shqipërisë i ka munguar një vështrim dhe plan veprimi në shkallë vendi, për të adresuar këtë problem. Përfshirja e të gjitha strukturave, grupeve të interesit dhe niveleve të pushtetit është e domosdoshme. Problemi i mbetjeve urbane nuk është vetëm një problem ambientalist, tha më tej Kryeministri, por edhe një problem ekonomik dhe shëndetësor. Është provuar tashmë, u shpreh Kryeministri, që trajtimi i tyre i njëanshëm vetëm nga pushteti lokal dhe vetëm nëpërmjet landfilleve është vetëm hapi i parë në zgjidhjen e këtij problemi të rëndësishëm. Andersson tha se kombinimi i të gjitha aspekteve të trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve të ngurta është i lidhur edhe me zhvillimin e një sërë bizneseve si ato të riciklimit, të prodhimit të energjisë, serave etj.. Për të pasur sukses propozohet që, krahas planit të veprimit në shkallë vendi, asistenca e këtij programi të fillojë edhe një program pilot me një zonë të caktuar.

Last Updated on E Hene, 14 Qershor 2010 21:41

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›