Lirohet Albin Kurti për shkak të kohës që kishte kaluar në gjendje arresti
Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është liruar mbrëmjen e djeshme nga gjendja e burgimit. Kurti është liruar pasi sipas gjykatës ai e ka kryer dënimin gjatë periudhës që ka qenë në paraburgim. Gjykata e Prishtinës, shpalli vendimin për dënimin
me 9 muaj burgim kundër udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. Por, ky i fundit u lirua menjëherë për shkak të kohës që kishte kaluar në gjendje arresti. Në Gjykatën e Prishtinës, ku është mbajtur ditën e djeshme seanca gjyqësore kundër Albin Kurti, ky i fundit ka deklaruar se nuk e njeh EULEX dhe se ky rast është i motivuar politikisht. Dy ditë pas arrestimit lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është paraqitur para trupit gjykues, në seancën që EULEX e caktoi për dje, edhe pse ajo ishte paralajmëruar për tu mbajtur më 21 qershor. Në lidhje me këtë, kryetari i trupit gjykues, Ferdinando De Mongota, ka thënë se seanca u mbajt më herët, pasi që, siç është shprehur ai, nuk dëshironte që Kurti ti zgjatej paraburgimi. Nga tri aktakuza me të cilat ngarkohej, Albin Kurtit, tashmë i ka mbetur vetëm një. Në seancën e djeshme gjyqësore, trupi gjykues e ka liruar Kurtin edhe nga akuza e dytë, ajo për Tentim për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Kurti u gjykuar pa praninë e avokatit të tij mbrojtës, për shkak se ai nuk ka pranuar asnjë prej tyre. Përveç kësaj, ndryshe nga seancat e tjera, kur nuk i është mundësuar të lexojë fjalimin tij, në seancën e djeshme trupi gjykues ia ka mundësuar Kurtit të flasë. Por, fillimisht ai ka kundërshtuar të flasë me trupin gjykues, duke thënë se nuk e pranon misionin e EULEX dhe nuk e njeh as trupin gjykues në përbërje të gjyqtarëve e prokurorëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Mua nuk mund të më ofrohet një gjykim i drejtë brenda këtij sistemi. Veprimtaria ime është në kundërshti të drejtpërdrejtë me interesat e EULEX për të siguruar pushtetin e vet, citohet të ketë thënë Kurti.
Mungesa në 10 seancat e kaluara
Ndërkaq, gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, Kurti ka dhënë arsyet e tij pse nuk është paraqitur në 10 seancat e kaluara. Në mes të tjerash ai ka thënë se misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nuk është një mision teknik, por politik dhe jo demokratik. Unë nuk u paraqita në seancën e parë gjyqësore, sepse unë nuk e njoh EULEX dhe ngase ky rast është i motivuar politikisht. Rifillimi i rastit vetëm konfirmon që EULEX është pushtet jodemokratik dhe se ky është një trup gjyqësor i padrejtë. Unë do ta pranoja ftesën prej një gjykate të përbërë prej vendasve të mi, në një Kosovë të lirë nga sundimi ndërkombëtar, të qeverisur nga populli, bazuar në parimet e drejtësisë dhe vetëvendosjes, por unë do ta kufizoj komunikimin tim me këtë gjykatë të EULEX, vetëm deri në masën që e mendoj të nevojshme për të përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje!, ka thënë Kurti para trupit gjykues, për të shtuar se sistemi gjyqësor në Kosovë nuk ka pavarësi, llogaridhënie dhe transparencë. Sipas tij, parim themelor i sovranitetit është që vullneti i popullit i jep ligjit legjitimitetin, duke shtuar në këtë drejtim se fuqitë e EULEX dhe kompetencat e kësaj gjykate janë të padrejta, arbitrare dhe të paligjshme. Nga ana tjetër, prokurori Ali Rexha, ka thënë se Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka vendosur që të heqë dorë edhe nga pika një e aktakuzës, me të cilën ngarkohet Kurti. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Kristina Herodes, zëdhënëse e së drejtësisë në EULEX. Pala e prokurorëve kërkoi që të hiqen dy akuza. Kjo do të thotë se ka mbetur vetëm një akuzë dhe tani po përpiqen ti gjejnë faktet për akuzën e dytë akuzës për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave. Kurti fillimisht u akuzua për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, për pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007, në të cilat u vranë dy protestues. Mbi të tani rëndon pika e dytë e aktakuzës. Për këtë akuzë, kryetari i trupit gjykues, Demongota, ka thënë se Kurti mund të dënohet deri me tre vjet burg ose gjobë.
GND kundër ndarjes, Sejdiu dhe Thaçi mirëpresin mbështetjen e EULEX
Grupi Ndërkombëtar Drejtues që u mblodh në Prishtinë në nivel të drejtorëve politik e përjashtoi mundësinë e ndarjes së Kosovës. Po ashtu u paraqit qëndrimi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme ndërsa u kërkua nga institucionet vendore përkushtim më i madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si parakusht për perspektivën evropiane të Kosovës. Dy vite pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, drejtorët politik të 25 shteteve anëtare të Grupit Ndërkombëtarë Drejtues i vlerësuan pozitivisht të arriturat që janë shënuar në Kosovë. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi bindshëm kanë deklaruar se Kosova nuk është vend i inkriminuar nëse dikush përpiqet ta paraqes atë si të tillë, ndërkohë kanë mirëpritur mbështetjen që u jep EULEX institucioneve të Kosovës në zbatimin e rendit dhe ligjit. Sejdiu ka theksuar se institucionet e Kosovës e mirëpresin mbështetjen që u jepet nga ELUEX dhe me rëndësi është që në asnjë mënyrë politika të mos përzihet dhe të mos i diktojë çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë. Çdo shtet në nismën e vetë ka nisma të tilla. Kjo natyrisht që për Kosovën mund të thuhet se ka përballje me fenomene që në një formë a një tjetër mund të quhen si pjesë e përpjekjeve nganjëherë të drejtpërdrejta për të zbeh imazhin e vendit, por ajo që e them dhe e përsëris është që Kosova është me tablo të mirë të zhvillimit të saj. Them po ashtu se Kosova nuk është e inkriminuar, flas nëse dikush dëshiron ta lexojë asisoj për fenomene të caktuara, por janë njerëzit, që smund të them numra apo emra, që eventualisht mund të kenë rënë në kundërshtim me ligjin me sjelljet e tyre. Prandaj ligji duhet të veprojë dhe organet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e vetë, ka thënë Sejdiu.
Edhe për kryeministrin Hashim Thaçi, Kosova ka bërë rrugë të suksesshme dhe se askush nuk mund ta paraqes si vend të inkriminuar. Kreu i ekzekutivit të vendit ka theksuar se nuk do të ketë tolerim për askënd dhe se hetimet do të përfshijnë gjithë periudhën dhjetëvjeçarë duke nisur nga 10 qershori i vitit 1999. Duke folur në emër të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, shefi i ICO, Piter Feith ka thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe institucionet e saj kanë përparuar dhe po konsolidohen, duke shënuar përparime në zbatimin e planit të Ahtisari. Gjithashtu mund të them qëndrimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe ne e mbështesim fuqishëm atë dhe gjithashtu shfaqim përkushtimin tonë të përbashkët për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tuaj, ka thënë Feith. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë shprehur përkushtimin e tyre për zbatimin e plotë të Planit të Ahtisarit dhe për përmbylljen e suksesshme të pavarësisë së mbikëqyrur, ndërkohë u kanë bërë ftesë përfaqësuesve të vendeve të Grupit Ndërkombëtar Drejtues që të japin një ndihmë të veçantë për njohje të mëtejshme të Republikës së Kosovës.
Krasniqi: Lufta kundër korrupsionit, e politizuar
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se procesi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë është politizuar shumë, megjithëse ka pranuar se gjatë viteve të kaluara ka pasur shumë pak veprime konkrete. Procesi i luftës kundër dukurive negative, siç është krimi i organizuar dhe korrupsioni, është politizuar shumë, ndërsa gjatë gjithë këtyre viteve është vepruar tepër pak. Mendoj se lufta, propaganda, duke i shfrytëzuar edhe mjetet e informimit konsideroj se ka krijuar një perceptim të gabueshëm në përgjithësi, ka thënë Krasniqi në një intervistë për BBC. Ai tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është reformuar dhe cilësoi atë si të korruptuar, prandaj sipas tij ky sistem e ka të vështirë të vihet në krye të luftës kundë