E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetjet urbane, Berisha: Suedia, plan konkret në Shqipëri

Agjencia suedeze SIDA vjen në Tiranë me një projekt madhor për menaxhimin e mbetjeve urbane. Kryeministri Sali Berisha priti dje përfaqësuesin e agjencisë së ndihmës SIDA, e angazhuar nga qeveria suedeze, Bjorn Andersson, i shoqëruar nga sekretari i parë i ambasadës suedeze në Tiranë, Niklas Mattson. Me interes e kërkesë të qeverisë shqiptare, qeveria suedeze angazhoi agjencinë e saj SIDA për të bërë një studim në shkallë vendi, në lidhje me trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta. Z. Andersson i prezantoi Kryeministrit raportin e bërë për këtë problem, duke dhënë edhe sugjerimet për ngritjen e një mekanizmi institucional e njerëzor, për të menaxhuar mbetjet urbane. Zoti Andersson i tha Kryeministrit që kishte gjetur mbështetjen e plotë të njësive të qeverisë që trajtonin këtë problem. Kryeministri Berisha theksoi se ishte absolutisht në vëmendjen dhe interesin e tij, që në momentin kur erdhi në pushtet, përqasja dhe zgjidhja e problemit të mbetjeve urbane dhe që për këtë qëllim, kishte ngritur edhe grupe pune. Ndihmesa që ofroi qeveria suedeze, nëpërmjet agjencisë së ndihmës SIDA, - tha Kryeministri, - ishte në kohën e duhur dhe për një problem shumë të rëndësishëm. Mbrojtja e ambientit, pastrimi i tij dhe trajtimi i mbetjeve urbane, si pjesë të kësaj strategjie, është prioritet në axhendën e qeverisë shqiptare. Prej kohësh, - theksoi Kryeministri, - Shqipërisë i ka munguar një vështrim dhe plan veprimi në shkallë vendi, për të adresuar këtë problem. Përfshirja e të gjitha strukturave, grupeve të interesit dhe niveleve të pushtetit është e domosdoshme. Problemi i mbetjeve urbane nuk është vetëm një problem ambientalist, - tha më tej Kryeministri, - por edhe një problem ekonomik dhe shëndetësor. Në këtë kuadër, qeveria shqiptare është e përkushtuar dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet, për të filluar zbatimin e një plani konkret, adresuar mbetjeve urbane. Është provuar tashmë, - u shpreh Kryeministri, - që trajtimi i tyre i njëanshëm vetëm nga pushteti lokal dhe vetëm nëpërmjet landfilleve është vetëm hapi i parë në zgjidhjen e këtij problemi të rëndësishëm. Trajtimi në kompleks i mbetjeve, deri në ndarjen dhe procesimin e mëtejshëm të tyre, duke përfshirë riciklimin, transformimin, prodhimin e energjisë etj., përbën një objektiv me shumë aspekte. Z. Andersson theksoi se agjencia SIDA dhe programe të tjera suedeze mbështesin këtë projekt madhor, i cili do të synojë pastrimin e Shqipërisë, adresimin e mbetjeve urbane me teknologji bashkëkohore dhe trajtimin e tyre nga pikëpamja ambientaliste dhe ekonomike. Suedia, - tha zoti Andersson, - ka shumë përvojë në këtë fushë dhe në atë të ndihmës së vendeve në zhvillim për probleme të ngjashme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›