Qeveria miraton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot buxhetin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) për vitin 2025.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, të ardhurat e krijuara nga AZHT-ja deri në fund të vitit 2024 trashëgohen në vitin buxhetor 2025 dhe përdoren nga AZHT-ja për mbulimin e kostove dhe shpenzimeve të veta.
Gjithashtu qeveria miratoi disa ndryshime në ligjin “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit”.
Sipas këtij vendimi “Procedurat e rekrutimit”, zëvendësohet me “Procedurat e rekrutimit dhe nivelet e pagave të punonjësve të Agjencisë”. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe vlerat për secilin element të tyre për punonjësit e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit janë: Paga për pozicion, që shpërblen vlerën relative të çdo pozicioni pune; shtesa për vjetërsi në punë, që jepet në masën: 0.6% pas çdo viti punë për 10 vitet e para (1 – 10 vjet) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit; 0.8% pas çdo viti punë për 10 vitet e dyta (11 – 20 vjet) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit; 1% pas çdo viti punë për 10 vitet e treta (21 – 30 vjet) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit.
Ngarkohet Agjencia e Zhvillimit të Territorit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
/r.e/