E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton një ligj të veçantë për hetimin e raportit të Dick Martit

02-05-2012 / Gazeta 55

Berisha: Akuza të tilla s’janë bërë as në kohën e Millosheviç

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua edhe një ligj i veçantë për hetimin e raportit të Dik Martit, sipas të cilit pretendohej se në Shqipëri kryhej transplant organesh dhe gjendet një varr masiv serb. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha theksoi se ky ligj do të bëjë të mundur një hetim të plotë të akuzave të ngritura nga Dick Marty. Sipas Berishës, ky ligj do t’i shërbejë bashkëpunimit me prokurorin e ngarkuar nga Bashkimi Evropian për hetimin e raportit. “Intensiteti i akuzave të pa-faktuara kërkon hetim të imtësishëm, qoftë për transplantin e organeve, si forma më e shëmtuar e krimeve kundër njerëzimit, ku pretendohet se paska ekzistuar në Fushë-Krujë një spital, që hiqte organet dhe i çonte ë botë. Në Fushë-Krujë ndoshta i kanë vrarë sytë pamjet me Xhorxh Bushin atij”- theksoi Berisha, duke shprehur skepticizmin për akuzat e pretenduara nga Marti. “Dua të faktoj që këto akuza shumë të rënda që bëhen për udhëheqjen politike të Kosovës por edhe për Shqipërinë të zbardhen me vërtetësinë më të madhe. Ndaj dhe ne, ministria e drejtësisë ka bashkëpunuar me ekspertët e Eulex-it dhe ligji do të bëjë të mundur një hetim të plotë dhe baza ligjore do të japë një mbështetje të fuqishme”- tha Berisha. Duke i cilësuar si të pavërteta akuzat e ish-senatorit Dick Marty, kryeministri Berisha theksoi se akuza të tilla nuk janë bërë as në kohën e Sllobodan Millosheviçit. “Ky dokument bazohet në asnjë fakt evident. Dick Marty ka zgjedhur Fushë Krujën për qëllimet e tij por hetimi do të nxjerrë të vërtetën sepse të akuzosh për një krim të tillë që nuk e ka bërë as Sllobodan Millosheviç i cili s’ka deklaruar se është bërë trafik me organe të marra nga robërit serb të luftës. Do të ketë një hetim të plotë për varrezë masive pasi ky është pretendimi i dytë i Dick Martit, një pretendim i cili duhet të hetohet dhe do të faktojë se ku gjendet ky varr i përbashkët. Aty ku është pretenduar pas lufte kanë ardhur ekipet dhe kanë gjetur fshatarë në shtëpitë e tyre dhe s`kanë gjetur gjurmë të një varreze masive”- shtoi Berisha.
Ai ka shtuar më tej se ky ligj shpreh qëndrimin e Shqipërisë për hetim të plotë të kësaj çështje ndërsa shtoi se akuzat e ngritura ndaj shqiptarëve janë primitive dhe përsërisin klishera historike që nuk i bëjnë nder askujt. “Për Dik Martin më mirë që Millosheviçi të përsëriste skenat hitleriane të spastrimit etnik dhe gjenocidit, se sa NATO të ndërhynte e të mbronte të drejtat e e një populli që po shpërnguljes barbarisht nga trojet e tij”- tha ai.
Me këtë ligj përfundoi Berisha i japim përgjigjen më të shkëlqyer qëndrimit tonë për një hetim të plotë të kësaj çështjeje. Duke falënderuar BE-në dhe EULEX-in që financon këtë hetim, ai tha se përpjekjet për demonizimin e shqiptarëve janë primitive dhe për fat të keq përsërisin klishera historike që nuk i bëjnë nder asnjeri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›