Besa, kod i rendit të ri botëror!
Rinjohja me Besën, Kodin e nderit - “Kjo është kultura e nderit, të cilën ne duhet ta mbrojmë dhe ta përforcojmë, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në forumet ndërkombëtare kudo në botë”, ka thënë kryeministri Harper.
Shqiptarët prej shumë vitesh kanë filluar ta harrojnë traditën e tyre. Një nga traditat më të lashta, por që shqiptarin do ta ketë shoqëruar, për mijëra vjet, e ndoshta për një 10 mijëvjeçar.
Që kur u zbuluan piramidat në Bosnje, në Japoni, dhe në shumë vende të lindjes, si dhe shtyrja e datës, tani në rreth pesë mijë vjet ekzistencë të piramidave në Peru, kanë ndryshuar jo vetëm përfytyrimet, por edhe argumentet për origjinën e civilizimit të sotëm. Koha po i jep më shumë të drejtë miteve popullore se sa argumenteve darviniste dhe teorisë së evolucionit.
Pa u ndërlidhur me qytetërimet tjera, që pretendohen të jenë pjesë e civilizimit të lashtë të shqiptarëve, si ai etrusk, apo reminishencat e vazhdimësisë gjuhësore dhe simbolike me hieroglifet në qytetërimin egjiptas, sipas Xhyzepe Katapanos, kodi i besës duket të jetë një nga kodet e para të civilizimit njerëzor. I koduar dhe i ruajtur në një sintetizim maksimal dhe i përmbledhur në një fjalë të vetme, BESA, është përtej çdo përpjekje të sotme njerëzore apo zhvillimi teknologjik. Është një kod i paarritshëm dhe i papërsëritshëm, dhe ky duket të jetë shkaku apo shpjegimi për mbijetesën e tij.
Ky kod duket ta ketë shoqëruar shqiptarin shumë gjatë dhe kështu, ne të jemi mbase bartësit e kodeve më të lashta zanafillore, por fatmirësisht të atyre më virtuozëve.
Për kodin e besës është shkruar jo pak, ndoshta për më shumë se sa çdo gjë tjetër për shqiptarët, historinë apo heronjtë tanë, por shumëherë edhe është shtrembëruar, apo vlerësuar si negativ.
Por, veçanërisht nga periudha e komunizmit e këndej, prej kur shqiptarët, veçanërisht në Shqipëri përjetuan një prej tranzicioneve më rrënjësore, që tronditi thellë ndërgjegjen tradicionale, shqiptarët kanë vazhduar ta shmangin kodin e nderit, aq sa sot, besa të jetë më shumë një farsë, fjalë goje apo një nga betimet e zakonshme, të retorikës së përditshme.
Pa hyrë në faktorët tjerë, se cilët ndikuan në zhvlerësimin e saj, dhe unë besoj se një nga faktorët kyç ka qenë, roli i intelektualëve tanë, që për sa e kanë vlerësuar më shumë e kanë quajtur si një relikt të së keqes, që ka pas vlerë, në gjakmarrje, dhe si i tillë është vlerësuar më shumë si një kod i rrëgjuar, nga i cili duhet hequr dorë, sepse i takon të kaluarës së largët dhe kështu nuk është më civilizues, dhe si i tillë anticivilizues. Po ashtu me tranzicionin modern të dy shoqërive shqiptare, atëherë, andej dhe këtej kufirit, sikurse thuaja e gjitha tradita tjetër, përfshirë folklorin edhe besa, thuaja janë inekzistente.
Por, për aq kohë sa ne po i largohemi janë të tjerët që kanë rifilluar ta rivlerësojnë. Këtë kod që nuk e ka njohur asnjë civilizim tjetër apo që nuk ka mbijetuar tek popujt tjerë, sot po e lakmon bota e qytetëruar. Aq shumë janë befasuar sot edhe shkencëtarë, politikanë dhe publicistë, sa që vlerësimi për këtë kod, është imperial edhe për politikën botërore. Por, si ndodhi kjo rinjohje? Në fakt, ky kod, si duket është i bashkëshoqëruar apo mbëltuar nga kodi gjenetik njerëzor. Dhe pavarësisht gjithë atij investimi, dhe përbuzjeje thuaja të përbotshme për kulturën tonë, ishte një moment historie, që nëpërmjet këtij kodi, ia ribëmë të njohur botës së qytetëruar vlerën e Besës. Gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, ishte kodi i besës që i shpëtoi thuaja pa përjashtim të gjithë hebrenjtë që jetonin në trojet shqiptare në Ballkan, por edhe të atyre që rastiste të kalonin nëpërmjet Shqipërisë. Ishte edhe shkencëtari i madh Ajnshtajni, që kishte ikur nga nazizmi nëpërmjet Shqipërisë.
Kodi i besës, kodi i jetës - Por, që të gjitha ato jetë u shpëtuan në saje të kodit, që unë preferoj ta quaj edhe kodi i jetës, Besa. E cila më shumë se sa e njeh kodin etik, ajo është në shërbim apo funksion të humanizmit, pasi ajo shpëton jetë apo e shtynte vdekjen edhe në rastet e vrasjeve tek shqiptarët për aq kohë, sa mund të ishin bindëse rrethanat apo pleqnarët, që mund të ndihmonin për dorasin. Por, edhe miku në shtëpi ishte në besën e të Zotit të shtëpisë, edhe atëherë kur ai (miku) as nuk ishte i kërcënuar as nuk ishte gjaks. Pra, ai ishte përherë i mbrojtur nga Besa e të zotit të shtëpisë. Dhe mbrojtja ishte në funksion të jetës, sepse miku nuk mund të vritej, as në shtëpinë e mikpritësit, as në oborrin e tij, dhe në gjithë gamën e përcaktuar së fundi me Kanunin e Lekës, që përshkonte zotërimi i të zotit të shtëpisë. Dhe ishte pikërisht ky kodifikim, që i mbrojti nga vdekja apo torturat e sigurta të nazifashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Mrekullimi me kodin - Pavarësisht që hebrenjtë kishin për shumë kohë simpati, shqiptarët kurrë nuk morën prej tyre respektin e duhur, deri më tani. Por, së fundi nderi shqiptarë ka gjetur rinjohjen dhe duket se bashkë me të do të gjejë edhe mirënjohjen.
Ishte kryeministri kanadez Stefen Harper që shpjegoi mrekullimin e tij me Besën në ceremoninë përkujtimore për Holokaustin të zhvilluar në Kanada, që sipas tij Shqipëria dhe shqiptarët janë si shembull model për mënyrën se si e shpëtuan dhe e ndihmuan popullin hebre nga përndjekjet prej nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, përveç respektit dhe modelit për popuj, ai kërkon që besa të jetë, një kod dhe rregull botëror. “Besa do të thotë fjalë për fjalë, të mbash premtimin që ke dhënë, të mbash fjalën. Zonja dhe zotërinj, ne duhet ta mbajmë këtë premtim. Kjo është kultura e nderit, të cilën ne duhet ta mbrojmë dhe ta përforcojmë, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në forumet ndërkombëtare kudo në botë”, ka thënë kryeministri Harper.
Pra, qëndrimi i tij, është jo vetëm respektues e firmues, por ai kërkon rivënien në jetë të këtij kodi, jo vetëm ndër shqiptarë, por tek i gjithë rendi botëror.
Pra, Besa kërkohet për kod të rendit të ri botëror!
Këtë madhështi mund t’ia dhurojnë botës vetëm shqiptarët!
Marrë nga “Bota Sot”