Qeveria miraton proçedurat e ndryshimit të kategorive të tokës, pyll, kullotë e livadh, për t’i mbjellë me ullinj e dru frutorë
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin “Për një shtesë në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 655, datë 28.7.2010 “Për rregullat dhe proçedurat e ndryshimit të kategorive dhe resurseve të tokës”.
Në kuadrin e programit të madh kombëtar për shtimin e ullirit dhe drufrutorëve në vendin tonë, një rezervë e madhe janë edhe sipërfaqet e tokave të kategorive të resurseve pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh.
Ndaj edhe qëllimi i këtij vendimi është që t’u krijojë mundësi pronarëve privatë si dhe njësive të qeverisjes vendore, që i kanë në administrim këto resurse, për t’i mbjellë me ullinj, peme frutore dhe vreshta.
Në vendim është përcaktuar që proçedurat e kalimit të këtyre kategorive të resurseve në tokë bujqësore të kryhen paraprakisht, para proçesit të mbjelljes së tyre me kultura bujqësore. Vendimi përbën një lehtësi administrative për fermerët që i kanë në pronësi këto kategori resursesh, në proçesin e kadastrimit të sipërfaqeve, pas mbjelljeve të reja me ullishte dhe drufrutore.
04/05/2011