E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha : Në katër vitet që vijnë , synimi dhe objektivi ynë është Durrësi qytet Europian i zhvilluar, Shqipëria vend Europian i zhvilluar

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në inaugurimin e përfundimit të punimeve të rrugës “Aleksandër Goga”, në Porto Romano, Durrës, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 120 milion lekësh, me gjatësi 3 kilometra.

Kryeministri Berisha falënderoi të gjithë qytetarët e Durrësit për mbështetjen e vazhdueshme, që ata i kanë dhënë Partisë Demokratike dhe mazhorancës qeverisëse.  “Këtë mbështetje dhe votën tuaj, tha kryeministri, ne do ta shndërrojmë edhe në katër vitet që vijnë me kryetarin e ri të bashkisë Ferdinat Xhaferrin në rrugë dhe infrastrukturë moderne për të gjithë qarkun e Durrësit”. 

Kryeministri Berisha theksoi se gjatë këtyre viteve në rrethin e Durrësit, janë asfaltuar rreth 246 kilometra rrugë kombëtare dhe rurale.  “Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 52 shkolla, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha shkollat përfshirë kampusin modern për universitetin. Kemi ndërtuar 103 sisteme ujësjellsash dhe kanalizimesh garantojmë dhe do të garantojmë 24 orë ujë për të gjithë banorët e Durrësit dhe të qarkut të tij.  Në Durrës, kemi ndërtuar spitalet më moderne dhe ambulancat dhe ju garantoj se në katër vitet që vijnë do ju ofrohen shërbimet më moderne shëndetësore për ju dhe qytetarët e këtij qarku. Në  këto katër vite kemi subvencionuar 652 hektarë  ullinj, vreshtari dhe sere, nga të cilat kanë përfituar rreth 3 mijë fermerë”, u shpreh Kryeministri. 

Alternativa jonë, tha kryeministri Berisha është alternativa e zhvillimit, ndaj ai ftoi të gjithë qytetarët durrsakë të votojnë me 8 maj Ferdinat Xhaferrin si kryetar të ri të bashkisë së këtij qyteti.
 
Gjatë fjalës së tij kryeministri tha:

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Durrësit

Vëllezër dhe motra

Zonja e zotërinj

Të nderuar deputetë, qeveritarëve vendorë

I dashur zoti Ferdinat  Xhaferri, kryetar i ardhshëm i bashkisë së Durrësit

Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që jam sot këtu, për tu falënderuar ju me shumë mirënjohje për të gjithë mbështetjen e fuqishme që i keni dhënë dhe i jepnin Partisë Demokratike , mazhorancës aktuale, me të gjitha përpjekjet për shndërrime të mëdha të Durrësit dhe të Shqipërisë në tërësi.

Ju falënderoj gjithashtu për mbështetjen e madhe që i dëshmoni zotit Ferdinat Xhaferri dhe ju garantoj se, me Ferdinat Xhaferrin votën tuaj,  do ta shndërrojmë në vende pune për  të papunët e kësaj zone dhe të këtij qyteti.

Do ta shndërrojmë në infrastrukturën më moderne, rrugë të asfaltuara me trotuare  me ndriçim, rrugica të asfaltuara me trotuare me ndriçim dhe gjelbërim siç e meritoni.

Votën tuaj për  Ferdinat Xhaferrin, do ta shndërrojmë në furnizim me ujë 24 orë për ju dhe të gjithë banorët e rrethit të Durrësit.
Do ta shndërrojmë në shkolla moderne, në kampus  për universitetin, në një hapje të re të Durrësit drejt detit me një bulevard madhështorë  nga Durrësi deri në  Bisht Pallë. Me një hyrje të re për qytetin e Durrësit , me fuqizim të portit dhe nxitje të madhe të biznesit në këtë qytet dhe në këtë rreth.

Por me Ferdinat Xhaferrin, do ti rikthejmë  Durrësit të shkuarën madhështore të shekujve dhe mijëvjeçarëve të tij.  Durrësi turistik do të jetë qëllimi ynë më kryesore.  Koloseu  dhe e gjithë trashëgimia arkeologjike e Durrësit do të vihet në dispozicion të turizmit Europian dhe botërorë, në mënyrë që emri i këtij qyteti  të bëhet gjithnjë e më i madh.

Zonja dhe zotërinj

Në rrethin e Durrësit, ne kemi asfaltuar rreth 246 kilometra rrugë kombëtare dhe rurale.  Katër vitet që vijnë, në këtë qark, nga  Qafë -Shtama  deri në Golem, nuk do të ketë një kilometra rrugë të pa asfaltuar. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 52 shkolla, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha shkollat përfshirë kampusin  modern për universitetin. Kemi ndërtuar 103 sisteme ujësjellsash dhe kanalizimesh garantojmë dhe do të garantojmë 24 orë ujë për të gjithë banorët e Durrësit dhe të qarkut të tij.  Në Durrës, kemi ndërtuar spitalet më moderne dhe ambulancat dhe ju garantoj se në katër vitet që vijnë do ju ofrohen shërbimet më moderne shëndetësore për ju dhe qytetarët e këtij qarku.

Zonja dhe zotërinj

Në  këto katër vite kemi subvencionuar 652 hektarë  ullinj, vreshtari dhe sere, nga të cilat kanë përfituar rreth 3 mijë fermerë.  Ju bëj thirrje fermerëve të Durrësit, por ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të këtij qarku , të gjithë banorëve të mbjellim sa më shumë dru frutorë, sepse qeveria do të paguajë për çdo rrënjë.

Zonja dhe zotërinj

Alternativa jonë është alternativa e halleve, e derteve, e problemeve, e përkushtimit, e vizionit, e mundit, e djersës e punësimit tuaj, e shkollimit të fëmijëve tuaj, është pra alternativë që ka në epiqendër qytetarin dhe vetëm qytetarin. Ndaj dhe ju ftoj me 8 maj të votoni për Ferdinat Xhaferrin dhe ju jap fjalën, se  do të bëjmë gjithçka që votën tuaj ta kthejmë në një sukses për ju, për fëmijët tuaj, familjet  tuaja dhe komunitetin tuaj.  Ne sëbashku  këto vite ia dolëm të kthejmë ëndrrat tona më të bukura në realitet.  Sot jemi anëtarë të NATO-s, sot lëvizim të lirë në mbarë Europën, sot jemi ndër të paktat vende në  botë, që kemi dyfishuar rrogat dhe pensionet, ekonomia shqiptare qëndron në krye të rritjes së ekonomisë Europiane.  Në katër vite ne ia dolëm të ndërtojmë dhe rindërtojmë 8 mijë kilometra rrugë, ndër të cilat dhe korridore të mëdha kombëtare.  Ia dolëm të ndërtojmë 1200 shkolla , ia dolëm të garantojmë ujë të pijshëm  për 95% të qytetarëve shqiptarë.  Në katër vitet që vijnë , synimi dhe objektivi ynë është Durrësi  qytet Europian i zhvilluar, Shqipëria vend  Europian i zhvilluar.

Vëllezër dhe motra

Sot,  unë isha në Vatikan, ku mora pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të burrit më të shquar, ta Papës më të shquar të të gjitha kohërave, mikut më të madh të shqiptarëve  kudo që janë Papa Gjon Pali II.  Papa Gjon Pali II,  hyri dhe mbeti  në historinë e njerëzimit si Papa i lirisë së kombeve të shtypura . Unë, u ndjeva krenarë, kur protokolli i Vatikanit kishte gjykuar të na vendoste ngjitur me  delegacionin polak.  Papa  ishte engjëlli  i lirisë së kombeve të shtypura. Ndaj dhe le të urojmë ne sot të gjithë besimtarët katolik, të gjithë besimtarët e Zotit  në këtë ditë të shënuar.

Kjo është alternativa jonë. U ndala në këtë  moment se edhe besimet në Shqipëri rilindën sëbashku me ne.  Alternativa jonë është alternativa e besimit, e mundit, e djersës, e punës , e përkushtimit, e punësimit, e ndërtimit, e anëtarësimit në NATO, e anëtarësimit në Bashkimin Europian, e lëvizjes së lirë pa  viza.  Krahas kësaj alternative është alternativa e shokut Edvin Rama, e të vetmes rrugë.

Ju e keni dëgjuar, ka një muaj që kalon nga sheshi në shesh, diku  më  quan fashist dhe qeveri  fashiste, pavarësisht se ne jemi anëtar të NATO-s, tjetër kund thotë se janë 1 milion të papunë, përsërit një dogmë të Ramiz Alisë. Vë përpara tabelën  “Saliu e ka fajin”, çirret dhe bërtet “kurrë më”, për të gjitha këto zoti Rama, nuk kam asnjë koment dhe të garantoj se nuk merrem fare me to, por dy janë momentet, në të cilat unë ndihem i lënduar dhe kërkoj të jesh i kujdesshëm.

Së pari, për herë të parë në këto 20 vite shuajte ekranet e mediave që kontrollon për kundërshtarin tënd,rivalin tënd në Tiranë. Nuk kam këtu  hallin aspak se e censurove Lulzim Bashën, sepse atë e dhanë të tjerët  dhe absolutisht vetëm  sa i shtove votat. Por na lëndove ne të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga bindjet politike,  në kujtesën tonë, kujtesën e censurës e kemi kujtesën më të zezë. Ndaj dhe më duhet t’ju bëj thirrje atyre mediave që urdhërove censurën, me 8 maj të votojnë alternativën e qytetarit, sepse do të marrë fund edhe diktati i zotit Edi Rama mbi to.

Lëndimi i dytë ka të bëjë me një çështje tjetër delikate.  Për herë të parë gjatë jetës tënde, ke një muaj që merresh me problemin e një xhamie. Tani është normale që ne politikanët të merremi dhe të ndihmojmë me të gjithë potencialin tonë edhe kishat edhe xhamitë edhe teqetë dhe ti nderojmë sa më shumë komunitet  fetare.  Deri këtu e kemi detyrim, mirëpo  ç’më patë sytë sot mua.  Sot nga një anë ti more zotëri paraqisje projektin e xhamisë për ta ndërtuar në vendin  prapa pallatit të kulturës , nga ana tjetër 30 pronarë protestonin se po ju grabisje pronën për të ndërtuar xhaminë. Atëherë do të më falësh zotit Rama, duhet të jesh i kujdesshme. Dy nga porositë themelore të Profetit janë, e para mos prek pronën e tjetrit dhe më duhet të them këtu se përpjekja jote për të servirur  xhami në  prona të grabitura është një lëndim për të gjithë besimtarët  e Zotit, nuk ka mysliman që pranon që të falet mbi një xhami të ndërtuara mbi prona të grabitura.

Natyrisht  ti qëllimin nuk e ke për të lënduar besimtarët, e ke për të ndukur ndonjë votë, por kjo nuk mund të ndodhe, ta dha përgjigjen rinia vota nuk mund te merret me këtë mënyrë.  Ndaj këshillohu më mirë kur merresh me disa probleme dhe  mos  bej gafa të tilla, se nuk ndërtohet kisha dhe xhamia mbi toka të grabitura. Nuk di ç’bën.

Edhe njëherë ju përshëndes dhe ju uroj 8 majin ditën e fitores, për ne ju jeni  të parët, fëmijët tuaj  janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Durrësi është i pari, Shqipëria është e para.

Rrofshi ju

Rroftë Durrësi

Rroftë Shqipëria


01/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›