E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre ambasadorët: Pakti me 10 pika, propozim për dialog me qeverinë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 06-10-2011 12:57

Partia Socialiste ka gjetur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për paktin e saj dhjetëpikësh “Për një Shqipëri si gjithë Europa”. Kreu i PS-së, Edi Rama ka pritur dje në zyrën e tij me kërkesën e vet, tre diplomatët më me influencë sot në vend, të konsideruar ndryshe edhe si ‘trojka’ e ambasadorëve. Bëhet fjalë për ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, atë të BE-së, Etore Sequi, dhe përfaqësuesin e prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, të cilët i ka njohur më gjerësisht mbi përmbajtjen e paktit, ndërkohë që i ka garantuar ata se ky mbetet një dokument i hapur për propozime të tjera. Ndërsa vetë ambasadorët kanë shprehur për mediat dakordësinë e tyre për nismë, duke e konsideruar atë si një mundësi për pikënisjen e një dialogu politik.

Takimi

I është përgjigjur pozitivisht trojka e ambasadorëve kërkesës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, për të bashkëbiseduar mbi Paktin për Shqipërinë si gjithë Europa. Tre ambasadorët kanë ndarë së bashku për më shumë se dy orë qëndrimet e tyre me kryetarin Rama, lidhur me përshpejtimin e procesit integrues të vendit. Ndërsa kreu socialist shoqërohej në këtë takim edhe nga dy deputetët e tij, Damian Gjiknuri dhe Ditmir Bushati. Vetë selia rozë, në një njoftim për mediat bëri publike se trojka e ambasadorëve ka vlerësuar paktin me 10 pika si një mundësi shumë të mirë për nisjen e dialogut, në mënyrë që të shkohet para me procesin përafrues me BE-në. Ndërkohë që burime pranë takimit kanë bërë të ditur se ambasadorët janë njohur përveç pikave të paktit edhe me kërkesat që Partia Socialiste i ka paraqitur mazhorancës lidhur me reformën zgjedhore. Pra, kërkesat për të arritur një marrëveshje paraprake që reforma zgjedhore të përfshijë jo vetëm 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por edhe të gjitha ato mangësi të tjera të konstatuara nga vetë socialistët.

Ambasadorët

Pas takimit, të tre ambasadorët kanë konfirmuar për mediat se takimi ishte shumë frytdhënës në aspektin e njohjes me më gjerësi për paktin dhe se ata e mbështesin këtë nismë dhe se do të luftonin që ajo të ecte përpara që dialogu të bëhej realitet. “Ky proces duhet të ecë përpara. Janë bërë propozime të rëndësishme dhe z. Edi Rama na dha informacion shtesë rreth këtyre propozimeve. Bëhet fjalë për një listë të hapur, e cila nis me mënyrën se si duhet të funksionojë Kuvendi, me atë se si mund të jetë Kodi Zgjedhor në të ardhmen, si edhe pika të tjera. Ne mendojmë që është e rëndësishme që lista është e hapur dhe shërben si propozim për dialog me shumicën qeverisëse”, - tha Wollfarth. Gjithashtu, ai shtoi se kjo nismë e PS-së duhet shqyrtuar me seriozitet të plotë nga të gjitha palët e interesuara, duke shprehur besimin se, nëse dialogu do të nisë, brenda pak kohësh do ketë dhe rezultate konkrete. “Në qoftë se trajtohet brenda një kornize kohore të arsyeshme, do të bëjë të mundur që të shohim disa rezultate përpara ose gjatë pranverës së ardhshme. Ne jemi këtu për të ofruar mbështetje, për t’i vënë në lëvizje palët, për t’i ndihmuar ato që të ecin përpara. OSBE është veçanërisht e gatshme për të mbështetur çdo lëvizje kur bëhet fjalë për të gjetur pikat e përbashkëta dhe për të identifikuar rrugën për të ecur përpara, sidomos kur bëhet fjalë për integrimin evropian”, - tha Wollfarth. Ndërkohë që edhe dy ambasadorët e tjerë kanë mbështetur deklarimet e Wollfarth, ndërsa kanë shprehur angazhimin e tyre se po punojnë që të heqin pengesat që ka Shqipëria në procesin integrues. “Shtetet e Bashkuara e mbështesin me gjithë zemër rrugën e integrimit të Shqipërisë dhe ne po përpiqemi të heqim pengesat drejt realizimit të këtij qëllimi”, - tha ambasadori amerikan Arvizu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›