E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Krimet e vënies së zjarreve janë krime të rënda dhe duhen vlerësuar si të tilla edhe në ligj

-         Kryeministri Berisha falënderon strukturat e BE-së, NATO-s dhe qeveritë e vendeve mike për ndihmesën e dhënë në përballimin e situatave të zjarrin në Shqipëri

Kryeministri Berisha u shprehu sot, gjatë mbledhjes së qeverisë, se krimet e vënies së zjarreve janë krime të rënda dhe kërcënuese, pavarësisht se në ligjin tonë, nuk përcaktohet si krime të tilla tillë. Kryeministri tha se për fat të keq, në ligjin tonë klasifikohet si krim i rëndë vetëm ai që është i organizuar, por vënia e zjarrit, edhe pse mund të jetë një krim solitar, është shumë i rëndë dhe shumë kërcënues.

Duke theksuar se gjatë kësaj vere nga më të nxehtat në shumë vite e dekada, në Shqipëri kanë rënë rreth 370 zjarre, Kryeministri tha se në 99.9 për qind të rasteve, ato janë vepër e ligësisë, kriminalitetit njerëzor, keqdashjes nga ziliqarë që djegin pronën e njëri - tjetrit. Ai vlerësoi punën e bërë nga Policia dhe agjencitë e tjera, këtë vit, për identifikimin e autorëve, duke nënvizuar se janë arrestuar mbi 70 persona të dyshuar për implikime në këto zjarre dhe shumë prej tyre janë kapur në flagrancë.  

Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë për qeveritë e vendeve mike për ndihmën shumë të çmuar me mjete ajrore zjarrfikëse në përballimin e situatës së zjarreve në Shqipëri. Ai falënderoi qeverinë e Malit të Zi, qeverinë turke, qeverinë italiane, atë sllovene për gatishmërinë e treguar për të dërguar mjete ajrore të fikjes së zjarrit, pilotë të tyre, por edhe specialistë të mbrojtjes cilivile të këtyre vendeve, duke vlerësuar se pa kontributin e madh të tyre,  zjarret në Shqipëri do të kishin marrë përmasa shumë më të mëdha, për shkak të terrenit jashtëzakonisht të vështirë e të veçantë që ka Shqipëria për të ndërhyrë me mjete të tjera.

Kryeministri shprehu gjithashtu mirënjohjen më të madhe edhe për mbi 1500 efektivë të Forcave të Armatosura, 850 punonjës të shërbimit zjarrfikës, 800 punonjës të shërbimit pyjor, qindra punonjës të Policisë së Shtetit, për banorët të cilët janë përballur në të katër anët e vendit me këto vatra zjarri, në kushte të vështira.

Duke iu referuar qëndrimit të opozitës edhe në këtë rast fatkeqësie natyrore, Kryeministri tha se “është për t’u dhimbsur fakti që opozita, në një traditë unike, të pashembullt, në çdo lloj fatkeqësie natyrore, mendon se do nxjerrë kapital politik duke bërtitur”.  Ai tërhoqi vëmendjen se në asnjë deklaratë të tyre publike për zjarret, nuk është bërë qoftë dhe njëherë thirrje për të denoncuar zjarrvënësit, apo për të mbështetur punën e zjarrfikësve dhe forcave të tjera.

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri u shpreh:

“Kjo verë në Evropë, veçanërisht në Evropën Mesdhetare, ka qenë një nga verat më të ngrohta, në shumë vite e dekada. Në memorien meteorologjikë spanjolle është vera më e nxehtë e 70 viteve të fundit. Nuk mund të them se sa vite është kjo në memorien meteorologjike në vendit, por e vërteta është se ka qenë dhe mbettë një nga verat më të thata e më të ngrohta. Kjo verë është shoqëruar me zjarre ndër më të mëdhatë. Vetëm një vend, Spanja, ka pasur 11 mijë zjarre. Sipas disa të dhënave të vëzhgimit të pyjeve, zjarret kanë djegur mbi 580 mijë Ha.

Në Shqipëri, gjatë këtyre muajve tepër të thatë, kanë rënë rreth 370 zjarre. Mbi 1500 efektivë të Forcave të Armatosura, 850 punonjës të shërbimit zjarrfikës, 800 punonjës të shërbimit pyjor, qindra punonjës të Policisë së Shtetit, janë përballur në të katër anët e vendit me këto vatra zjarri, në kushte të vështira. Rreth 100 zjarrfikëse të sistemit të zjarrfikjes e të ministrisë së Mbrojtjes, mjete të tjera dhe vet njerëzit, kanë luftuar me zjarret në kushte heroike. Dëmet nga zjarret kanë qenë si vijon, nga vlerësimet paraprake. Këto janë të dhëna të ministrisë së Mjedisit dhe të drejtorive të Pyjeve  të vendit dhe që e vërteta është që ato në tërësi korrespondojnë me të dhënat e ministrisë së Brendshme, por në klasifikimin e zonave të djegurave, natyrisht, më e saktë është ministria e Mjedisit.  

Janë djegur 1690 ha pyje.  

Janë të djegur, siç ndodh për vit për fat të keq, në një traditë ndër më të rrezikshmet, 4 mijë ha kullota, sepse veçanërisht në malet e jugut barinjtë përdorin këtë metodë me rrezik shumë të madh për malet, që të mund të plehërojnë me djegie kullotat që ata i kanë për tufat e tyre në vjeshtë e më vonë.

Janë djegur sipërfaqe prej 600 ha shkurre.

Qeveria ka ndjekur problemet e zjarreve në mënyrë absolute, orë pas ore. Natyrisht, problemi ynë më kryesor dhe në çdo rrethanë, fatkeqësi e situatë, janë jetët njerëzore të parat. Nuk kemi viktima. Janë bërë disa evakuime të pakta në zona të thella, por deri tani viktima nga zjarret nuk kemi pasur, ndërkohë që në shumë vende të tjera, edhe më të fuqishme janë regjistruar dhjetëra e dhjetëra viktima. Janë djegur disa banesa, por një numër shumë i kufizuar. Mund t’u them se numri i banesave të djegura në vende të tjera të Mesdheut, është shumë i madh.

Duke përgëzuar edhe njëherë të gjithë ata të cilët, në kushtet shumë të vështira, u përballet e po përballen me zjarret, dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë qeverive të vendeve mike, të cilat, në kuadër të mekanizmit të BE, të NATO-s , ose jashtë këtyre mekanizmave, dhanë një ndihmë shumë të cmuar me mjete ajrore zjarrfikëse për Shqipërinë. Qeveria e Malit të Zi me 2 kanaderë, me kapacitet 3.5 ton, qeveria turke me 2 helikopterë e 1 kanader, me kapacitet 8 ton, qeveria italiane me 2 kanaderë me kapacitet 8 ton, qeveria sllovene një helikopter, i njëjtë me atë që do vinte në Shqipëri, por që pësoi atë që pësoi, me kapacitet prej 4 ton. Këto mjete ajrore të fikjes së zjarrit, pilotët e tyre, por edhe specialistë të mbrojtjes cilivile të këtyre vendeve, kanë dhënë një kontribut të madh, pa të cilin zjarret në Shqipëri do të kishin marrë përmasa shumë më të mëdha, për shkak të terrenit jashtëzakonisht të vështirë e të veçantë që ka Shqipëria për të ndërhyrë me mjete të tjera. Ata që e njohin malin e Dajtit duhet ta dinë se krahu verior i tij dhe ai lindor, janë shumë më të thepisur, madje në një pjesë të madhe të tyre, tërësisht të pamundura për t’u arritur nga njeriu.

Kanë qenë këto mjete që bëjnë të mundur dominimin e zjarreve, të cilat, dua të them këtu se, në bindjen time më të thellë në 99.9 për qind janë vepër e ligësisë, kriminalitetit njerëzor, piromanë keqdashës, ziliqarë që djegin pronën e njëri - tjetrit. Janë arrestuar mbi 70 persona të dyshuar për implikime në këto zjarre, janë kapur në flagrancë duke vendosur këto zjarre. Policia dhe agjencitë e tjera, këtë vit kanë bërë një punë shumë të mirë për identifikimin e autorëve. Një banor nga Golemi i Gjirokastrës më dërgoi dje një mesazh ku thoshte se na x personi vuri zjarrin dhe na dogji, policia e arrestoi, por më pas e liroi prokuroria. Së pari, krimet e zjarrit janë krime të rënda, pavarësisht se në ligjin tonë, të cilin ne duhet ta rishqyrtojmë, nuk përcaktohet si krim i tillë. Ky është krim i rëndë, por për fat të keq, ne të tillë klasifikojmë vetëm atë që është i organizuar. . Sipas ligjit tonë, që të konsiderohet krim i rëndë, duhet të ketë më shumë se një person. Ky mund të jetë krim solitar, por është shumë i rëndë dhe shumë kërcënues.

Është për t’u dhimbsur fakti që opozita, në një traditë unike, të pashembullt, në çdo lloj fatkeqësie natyrore mendon se do nxjerrë kapital politik duke bërtitur. Dhe p të vini re në asnjë nga deklaratat e panumërta të tij për zjarret, nuk është bërë qoftë dhe njëherë thirrje për të denoncuar zjarrvënësit, nuk është bërë asnjë herë thirrje për të mbështetur zjarrfikësit. Një eksponent kryesor i PS-së do ti telefononte me shumë të drejtë ministrit për t’i kërkuar ndihmë për zonën e tij. Por, kur ministri i thotë se ata që janë arrestuar janë militantë të thekur tuajt, telefoni u mbyll. Unë nuk them se është një organizim qendror, por një thirrje, një denoncim i zjarrvënësve duhet bërë, sepse janë kriminelë, janë zjarrvënës”.


05/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›