E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, pas kthimit nga vizita në Pragë dhe Varshavë

Mbrëmë u ktheva nga një vizitë, në të cilën i paraqita kryetarit të radhës së Bashkimit Europian, Kryeministrit të Republikës çeke, kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kjo kërkesë, e miratuar konsensualisht, siç janë edhe rregullat e funksionimit të BE-së për këto raste, u bë pas suksesit spektakolar të reformave të qeverisë që unë drejtoj, reforma të cilat, në ministerialin e ministrave të Jashtëm të BE-së, në Lubjanë, do të cilësoheshin si frymëzuese për suksesin e tyre për vendet e rajonit. Kjo kërkesë u bë në përputhje me qëllimet e shpallura nga ne, se kërkesën do ta paraqisnim në ujdi me presidencën e radhës dhe pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga të gjitha vendet anëtare. Ajo që kam kënaqësi t’ju informoj është se në rast se për shkak të mureve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, momenti i hapjes së negociatave deri në firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, i mori Shqipërisë tre herë më shumë kohë, sesa Kroacisë dhe Maqedonisë, koha, nga firmosja  e Marrëveshjes deri në paraqitjen e kërkesës, ishte më e shpejtë se e të gjitha vendeve të rajonit dhe kjo si rezultat tërësor i suksesit të reformave të kësaj qeverie.

Kërkesa u mirëprit nga presidenca çeke, nga Kryeministri Topolanek, të cilit, në emrin e vendit tim, i dorëzova kërkesën zyrtare, nga Presidenti i Çekisë, një mik i vjetër i imi dhe nga drejtues të tjerë të Republikës së Çekisë. Kërkesa ka pasur një jehonë mbarë botërore pozitive. Kryeministri Mirek Topolanek më rezervoi një pritje jashtëzakonisht miqësore, rezervoi një ceremoni nga më dinjitozet e të bukurat, e bukur ashtu siç është vetë Praga. Kryeministri Topolanek më garantoi për mbështetje të plotë në rrugën e mëtejshme nga ai dhe qeveria e tij. Unë shfrytëzoj rastin për t’i shprehur Kryeministrit Topolanek, Presidentit Klaus mirënjohjen time më të thellë, të vendit dhe kombit tim, për mirëkuptimin e madh, për vlerësimin e drejtë, të ndershëm dhe serioz, për lobimin dhe avokatinë që bënë për reformat tona, duke paraqitur suksesin e tyre, si kryetar i radhës së BE, në të gjitha kancelaritë e tjera. Edhe një herë, e falënderoj për pritjen jashtëzakonisht miqësore që më rezervoi. Udhëtimi në Pragë ishte një udhëtim i mrekullueshëm, jashtëzakonisht mbresëlënës.

Zonja dhe zotërinj,

Prilli i vitit 2009 është prilli që ndau historinë, sa asnjë muaj tjetër. Zëvendëspresidenti i Senatit çek që bënte funksionet e Presidentit të Senatit më priti me fjalët e para se asnjë vend tjetër në një muaj nuk ka shënuar dot dy arritje kaq të mëdha, sa Shqipëria dhe kjo është meritë e reformave të thella dhe rezultatit të tyre. Pra, Shqipëria, këtë prill, nuk do të thosha se kaloi ylberin, por do të thosha u bë nuse, nuk ka qenë kurrë më e bukur, më e dashur, më dinjitoze, sesa me anëtarësimin e saj në NATO dhe kandidimin për anëtarësim në BE, dy projektet madhore të këtij kombi. Anëtarësimi në NATO, një ëndërr vërtet e bukur, u kthye në realitet. Ëndrra tjetër kapi një horizont shumë të rëndësishëm, për të ecur të sigurt drejt horizontit përfundimtar. Prandaj, në fjalën time në kongresin e Partisë Popullore Europiane, ku merrnin pjesë 3500 përfaqësues të 74 partive, ndër të cilët 20 kryeministra dhe presidentë, ajo çka më erdhi ndërmend ishin muret dhe horizontet, muret e krimit dhe korrupsionit që shembëm dhe horizontet që kapëm. Ne kapëm horizontin e NATO-s, u ngjitëm aty, kapëm horizontin e kandidimit në BE dhe mbetet të kapim horizontin tjetër, anëtarësimin  e plotë. Mendoj se kurrë ndonjëherë tjetër, ky vend nuk ia ka dalë të krijojë lajmet dhe mesazhet më pozitive për shqiptarët, rajonin e botën Ky është një rast i veçantë për mua që, edhe një herë, të shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjitha vendeve mike, institucioneve ndërkombëtare dhe e bëj këtë me vetëdijen më të plotë për solidaritetin që ata na kanë dëshmuar. Pa këtë solidaritet, Shqipëria, vetëm 17 vite më parë, përjetonte urinë, tollonin, rrënimin e plotë ekonomik dhe nuk do t’ia dilte kurrë të ngjitej këtu, ku është ngjitur sot.

Falënderoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët e mbajtën në zemër dhe shpirt ëndrrën e tyre të bukur europiane dhe  e shndërruan atë në një motiv të fuqishëm të progresi të vendit dhe realizimit të kësaj ëndrre.

Falënderoj të gjithë zyrtarët shqiptarë, punonjës, drejtuesit që me përkushtim të madh në reformat që ndërmorën e zbatuan ia dolën ta bëjnë Shqipërinë plotësisht të denjë për anëtare e plotë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, të Aleancës më të fuqishme të kohërave, e bënë të mundur të pranohet kërkesa e Shqipërisë për anëtarësimin e saj në BE.

Zonja dhe zotërinj,

Në udhëtimin tim faza përmbyllëse ishte pjesëmarrja në kongresin e PPE-së, parti që grupon 74 forca politike në mbarë kontinentin. Parti, e cila ka ndërtuar Europën e vlerave. Parti, e cila ka përfaqësuar dhe zhvilluar, pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, vlerat më të mëdha të lirisë, të individit dhe që shkon drejt zgjedhjeve parlamentare e sigurt në një fitore të gjerë në mbarë Europën. Pata rastin të takoj kryeministra, presidentë, kryetarë partish dhe të shkëmbej me ta mendime, por edhe të marr urimet e tyre më të përzemërta për të dyja aktet, për prillin që theu historinë, për prillin e integrimeve të mëdha. Në këtë kongres, pata rastin të jem në panelet e  tij, por edhe si folës kryesor në seancën plenare, krahas kolegëve të mi, me një fjalë që buronte tërësisht nga zemra ime dhe u përpoqa të jem interpret besnik i ndjenjave të shqiptarëve. Kjo bëri që fjala ime të pritej jashtëzakonisht mirë. Partia Popullore Europiane është e sigurt në fitoren e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe mezi pret që të vazhdojë mbështetjen e plotë e totale për Shqipërinë e shqiptarët në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të plotë në BE.

A do të prisni afatin zyrtar të shpalljes së listave për deputetë apo do të kemi një dalje më të mëparshme publike?

Kryeministri Berisha: Kjo ka një përgjigje institucionale. Do të respektohen të gjitha etapat. Partia ka një statut, është një parti thellësisht e konsoliduar dhe kjo do të bëhet në përputhje me statutin e saj.

Si e keni pritur vendimin e djeshëm të gjykatës së Lartë, që mesa duket i hap rrugë Prokurorisë për hetimin e ish ministrit të Punëve Publike Basha?

Kryeministri Berisha: Armiqtë e rrugës po shkojnë drejt fundit. Drita në tunel së shpejti do të dalë. Rruga po përfundon.

Zoti Kryeministër, OBSH dje ka dhënë alarmin se Shqipëria mund të preket nga gripi i derrave. Sa i sigurt është Shqipëria nga ky grip dhe nëse preket, cilat janë masat për ta minimizuar atë?

Kryeministri Berisha: Sot, do të krijohet komisioni ndërqeveritar për të marrë të gjitha masat ndaj kësaj sëmundjeje infektive, e cila po ecën drejt përmasave të pandemisë, me të dhëna kontradiktore, në disa vende me forma shumë virulente dhe në disa të tjera më pak virulente. Ju siguroj se një komitet ndërqeveritar do të ngrihet sot për të përballur dhe për të marrë të gjitha masat si për parandalimin e saj, ashtu edhe për çdo eventualitet, si p.sh në rast se shqiptarët mund të kenë qenë në Meksikë, sepse rastet nga kanë ardhur kanë qenë vizitorë në Meksikë. Ne po e marrim me shumë seriozitet dhe absolutisht asnjë vend nuk është imun nga kjo sëmundje. Ne do të marrim të gjitha masat dhe disponojmë të gjitha mjetet për të marrë masat e nevojshme, financiare, medikale etj..

Zoti, Kryeministër, në fillim të kësaj jave qeveria juaj ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë greke, e cila për mungesë të transparencës nga ana e qeverisë është hetuar dhe vazhdon të hetohet nga media. A jepni ju garanci se kjo marrëveshje nuk cenon integritetin territorial të vendit tonë dhe pse ajo është hartuar mbi një hartë greke?

Kryeministri Berisha: Kjo që ju thoni është një trillim, i bazuar në gënjeshtër. Problemi është se kjo qeveri punon për vendin e vet, ndërsa ju punoni në mënyrë konsistente kundër vendit tuaj. Në qoftë se ju merrni përsipër të vazhdoni punën kundër vendit tuaj,  atëherë më mbetet veçse të mos ju përgjigjem. Megjithatë jam i detyruar të të përgjigjem. Në mënyrë absolute pala shqiptare ka përdorur hartën e marinës së Republikës së Shqipërisë. Së dyti, është përdorur Konventa  Ndërkombëtare e Detit, e sugjeruar kjo, nga miqtë tanë më të mirë, si dokument bazë për zgjidhjen e problemit. Se kush ju jep juve si media një grusht para për të shpifur, trilluar dhe disinformuar shqiptarët se është përdorur për bazë harta greke, kjo është punë e juaja, por nuk bëni mirë. Aty ka një hartë shqiptare dhe nëse jeni të interesuar, shkoni tel Flota dhe merrni hartën dhe harta shqiptare. Ju garantoj se nuk është hartë greke.

Por komandanti i Flotës ka dalë në konferencë për shtyp me një hartë greke.

Kryeministri Berisha: Absolutisht jo. Komandanti i Flotës ka dalë me hartën shqiptare. Pala greke ka përdorur hartën greke, sepse pala greke nuk mund të përdorë hartën shqiptare. Sesi maten koordinatat ka një praktikë shumë të njohur dhe linja mediane është linjë mediane dhe Konventa e Detit përcakton qartësisht si do të bëhen matjet aty, ku nuk ka kufi. Por, pasi ju dështuan shpifjet dhe trillimet, tani mendonin se do t’u shisnin shqiptarëve bukën për djathë. Ju thoni se është përdorur harta greke, por jo. Nga autoritet shqiptare është  përdorur harta shqiptare dhe për këtë të jeni të sigurt 100 përqind. Ushtria shqiptare nuk përdor hartat e një vendi tjetër, ajo ka hartat e veta. Ju jeni të lirë të vazhdoni të trilloni, edhe kur e bëni këtë kundër vendit tuaj.

Zoti Berisha, ju keni kthyer sot në vendim qeverie marrëveshjen për çështjen e letërnjoftimeve. A besoni se kjo do të ketë ndikim 59 ditë para zgjedhjeve për pajisjen me letërnjoftim të qytetarëve?

Kryeministri Berisha: Kam shumë kënaqësi t’ju informoj se pardje vetëm Posta Shqiptare, jo ç'kanë marrë institucionet dhe sipërmarrjet, ka shpërndarë nga sportelet e saj 800 mijë kupona, rreth 230 mijë janë marrë nga administrata qendrore dhe lokale, sipërmarrjet publike etj.. Faktikisht, ky është numri i kuponave. Deri në datën 29 prill, kanë aplikuar 706 mijë persona. Së dyti, skema e vendosur është e shkëlqyer. Ajo nuk lë asnjë qytetar pa letërnjoftim për shkaqet financiare dhe teknike. Në rast të mosdëshirës për të votuar është diçka për të cilën ne nuk e detyrojmë dot qytetarin, sepse nuk kemi ligj për të detyruar pjesëmarrjen në votime, ashtu siç e kanë 2-3 vende të botës. Jam shumë i kënaqur që u arrit marrëveshja. Në rast se ka persona që nuk janë në lista, në rast se ka persona që nuk kanë pasaportë, por nuk figurojnë as në lista, unë i jam shumë mirënjohës opozitës të gjejë secilin prej tyre. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që ata marrin përsipër dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me ta në këtë fushë, për të gjetur ata, emrat e të cilëve kanë ngelur jashtë listave. Kjo është shumë pozitive. U pranua të shtohen disa kategori, por brenda numrit të 700 e ca mijëve, pasi aq janë edhe qytetarët pa pasaportë. Ne nuk dimë të ketë, - janë sjellë një herë emra - por nuk mund të përjashtosh kurrë 100 përqind. Qëllimi ynë është që çdo qytetar që do të votojë, të votojë. Opozita tregon të njëjtin vullnet. Ne e sanksionojmë këtë me vendim.

Në fjalimin tuaj në kongresin e PPE-së ju  keni një fjali se do të vazhdoni revolucionin fiskal. Për çfarë e keni fjalën?

Kryeministri Berisha: Është çështje debati dhe programi, por personalisht jam njeri që besoj plotësisht tek taksat e ulëta. Ky është besimi ynë i palëkundur. Unë kam një eksperiencë shumë të rëndësishme. Në vitin 1995, duke pasur taksat më të ulëta në Europë, ne ia dolëm të kemi rritjen dyshifrore, në 12 apo 13 përqind. Me rikthimin tek ajo praktikë, ne ia dolëm që në 9 muajt e parë të vitit që shkoi të kemi rritjen dyshifrore prej 10 përqind. Unë vazhdoj të besoj se taksat e ulëta janë mekanizmi më kryesor, por jo i vetëm, i rritjes së shpejtë ekonomike.

Sot, është 1 maj dhe në këtë ditë flitet më së shumti për të drejtat e punëtorëve, papunësinë, pagat. Ju lutem një mesazh të shkurtër për këtë ditë, lidhur me papunësinë në Shqipëri dhe me pagat?

Kryeministri Berisha: Së pari, dua të theksoj se si qeveri e qendrës së djathtë, 1 majin ditë pushimi e konsideroj një kompromis. Së dyti, kam kënaqësinë më të madhe se ky muaj shënon dyfishimin e plotë të pensioneve në fshatin shqiptar për 170 mijë pensionistë. Imagjinoni të gjithë këta që ishin me nën 2 dollarë në ditë, dalin me mbi 2 dollarë në ditë. Krahas 200 mijë personave që nxorëm nga varfëria, tani me një vendim të drejtë qeverie, edhe 170 mijë të tjerë dalin nga kriteri i varfërisë. Së treti, nga data 1 maj e këtij muaji, llogaritja e pagave për të gjithë punonjësit buxhetorë do të jetë me përqindjen e rritjes, e cila bën që rroga e majit që merret në qershor të jetë dy herë më e lartë, sesa rroga e majit e vitit 2005, për 44 mijë arsimtarë, për 12 mijë infermierë, për 4 mijë mjekë dhe në tërësi, paga mesatare e administratës shqiptare në 4 vjet rritet me 68 përqind, që është rritja më e lartë se e çdo administrate tjetër në Europë. Kjo rritje bëri të mundur që Shqipëria të parakalojë me 30 përqind edhe vende anëtare të BE-së dhe të barazohet me disa vendet të tjera anëtare të BE-së.

Papunësia është një problem, me të cilin qeveria ka qenë, absolutisht, më e përqendruar se në çdo problem tjetër. Historia e zhvillimit të një vendi fakton se rritja e shpejtë ekonomike është turbina, gjeneratori më i fuqishëm i punësimit. Sipas statistikave zyrtare, janë jo një apo dy, por 80 mijë qytetarë shqiptarë që rezultojnë të siguruar, gjatë kësaj periudhe. Sidoqoftë papunësia, ndonëse është ulur ndjeshëm, ekziston. Janë një seri projektesh të mëdha, të cilat kanë filluar ose do të fillojnë, që japin shanse të mëdha punësimi, siç është kaskada e Devollit, në të cilën punësohen rreth 7 mijë vetë; rruga Durrës-Morinë ka punësuar në tërësinë e saj, përfshirë në punimet e Bechtel&Enka, rreth 5 mijë vetë. Por krahas kaskadës së Deviollit, janë edhe 47 kontrata koncesionare, të nënshkruar për hidrocentrale të vogla, të mesme dhe të mëdha, nga të cilat 20 fillojnë nga ky muaj dhe deri më 15 qershor. Siç e shihni, ka shpresa shumë të mëdha për punësim në këto sektorë. Por ka dy qëndrime. I pari është qëndrimi i mazhorancës që me një ligj të shkëlqyer i dha jetë një procesi ndër më të rëndësishmit të kohërave të sotme, partneritetit publik privat. Ka edhe një qëndrim të opozitës, e cila ka votuar kundër çdo koncesioni, të dërguar në parlament, e cila zotohet se do t’i anulojë ato, madje edhe ato që në prapaskenë i ka pranuar. Por jam i bindur se shqiptarët do të dinë të votojnë për punësimin e tyre. Po ashtu ka disa parqe industriale në zhvillim e sipër, në Vlorë, Durrës, Elbasan, Shkodër etj.. Të gjitha këto parqe do të shndërrohen në gjeneratorë të fuqishëm punësimi. Po ashtu është porti i madh i Vlorës, një nga më të mëdhenjtë në Mesdhe me vlerë rreth 2 miliard euro, do të punësojë në ndërtimin e tij mbi 30 mijë punëtorë. Janë licencuar edhe parqe të erës. Unë e shoh me shumë optimizëm, sikundër dua të garantoj shqiptarët se gjersa edhe një qytetar i vetëm të mos ketë punë, unë do të luftoj për punësimin e tij. Kjo është platforma e kësaj partie.

Në konferencën me zotin Karamanlis, deklaruat se Shqipëria dhe Greqia tashmë nuk kanë asnjë çështje të hapur mes tyre dhe ky është padyshim një lajm i mirë. Mendoni se edhe çështja çame ka gjetur një zgjidhje apo është drejt zgjidhjes?

Kryeministri Berisha: Deklarata ime ka qenë pak më ndryshe dhe unë po jua rikujtoj. Mes fqinjëve gjithnjë krijohen probleme për t’u zgjidhur. Ajo që është shumë e rëndësishme është se midis dy vendeve tona ekziston një frymë dialogu për t’u dhënë zgjidhje atyre. Meqenëse sërish mediat që punojnë kundër vendit të tyre ‘vrapuan’ të thonë se Berisha nuk e diskutoi problemin, po ju them se unë e diskutova problemin dhe e diskutoj atë në çdo takim, pasi unë jam bashkëfirmëtar i atij Traktati, i cili, për hir të së vërtetës, ka kthjelluar dhe vendosur shumë gjëra në interesin më të mirë të të dy vendeve dhe unë as që e konceptoj të mos i qëndroj Traktatit që kemi firmosur. Por dihet që pala tjetër ka mendimet e veta, ne kemi tonat. Dhe e vazhdojmë. Ky është qëndrimi im. Vizita ishte shumë e suksesshme.


01/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›